Krejt çka deklaruan Thaçi dhe Veseli për zgjerimin e aktakuzës nga Specialja

Aktuale

Krejt çka deklaruan Thaçi dhe Veseli për zgjerimin e aktakuzës nga Specialja

Më: 10 maj 2022 Në ora: 12:19
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamnetari Kadri Veseli janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat e reja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjilan, Budakovë dhe Seminishtë.

I pari që doli para Gjykatës Speciale sot ishte Hashim Thaçi i cili tha se nuk ka kuptuar aktakuzat e reja.

Mirëpo, ai tre herë u deklarua i pafajshëm.

“Nuk i kam kuptuar sepse nuk kam pasur mundësi me i lexuar sepse janë shumë të redaktuara”, tha Thaçi.

Ndonëse, gjykatësi Nicolas Guillou, i tha ish-kreut të UÇK-së, Hashim Thaçit, e nuk ka nevojë të deklarohet menjëherë rreth pafajësisë, ky i fundit përsëriti deklarimin e tij.

“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën s’e kam lexuar, sepse s’e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ish-presidenti.

“Z. gjyqtar, e theksova edhe njëherë, amandamentet tuaja shtesë janë të redaktuara. Jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj edhe nuk i kam kuptuar por deklarohem i pafajshëm”, shtoi ish-presidenti.

E njëjtë sikur Thaçi, i pafajshëm u deklarua edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli për akuzat e reja me të cilat ngarkohet nga Prokuroria e Specializuar.

“I kam lexuar akuzat, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të filloj sa më shpejtë dhe të kem të drejtën time të shpreh pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe këtij gjyqi të nderuar”, tha Veseli.

“Deklarohem i pafajshëm”, shtoi ai.

Sot para Gjykatës Speciale do të dalin edhe Rexhem Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Seanca dëgjimore për Jakup Krasniqin do të fillojë në orën 14:00, kurse për Rexhep Selimin në orë 15:15.

Prokuroria po pretendon se Kadri Veseli dhe tre të bashkë-akuzuarit e tjerë, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Ndryshe, në vendimin e gjykatësit paraprak, me anë të së cilit ka caktuar datën e paraqitjes së tyre, thuhet se më 3 shtator 2021, ZPS ka paraqitur një aktakuzë të ndryshuar për tu konfirmuar nga gjykatësi paraprak.

Tutje, thuhet se më 22 prill 2022, pasi urdhëruan palët të paraqisnin dhe u mor përgjigja e mbrojtjes dhe e ZPS-së, mbi materialin mbështetës të amendamenteve që konsiderohet se përbëjnë akuza të reja që mbështesin konstatimin e dyshimit të bazuar mirë në pajtim me rregullin 86 (4) të Rregullores, gjyqtari i procedurës paraprake konfirmoi aktakuzën e ndryshuar

Kurse, thuhet se më 29 prill 2022, ZPS- ja dorëzoi një aktakuzë të ndryshuar publikisht të redaktuar dhe dokumentet përkatëse.

Më 9 nëntor të vitit të kaluar, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat