​Përfundon seanca, Teuta Hadri vazhdon dëshminë nesër në Hagë

Aktuale

​Përfundon seanca, Teuta Hadri vazhdon dëshminë nesër në Hagë

Më: 11 maj 2022 Në ora: 11:18 Përditësuar në ora: 17:25 më 11.05.2022
Teuta Hadri

Teuta Hadri vazhdon dëshminë nesër në Hagë

Përfundon seanca, Teuta Hadri vazhdon dëshminë nesër në Hagë

Dëshmitarja e mbrojtjes, Teuta Hadri do të dëshmojë edhe nesër para turpit gjykues në rastin ndaj Salih Mustafës në Hagë.

Gjatë ditës së parë së dëshmisë, ajo ka thënë se Salih Mustafën e ka takuar dy ose tri herë në prill 1999 në Zllash. Ndërsa kur është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorisë, ajo ka thënë se në Zllash nuk janë mbajtur persona dhe sipas saj në ato shtëpi kanë qëndruar pjesëtarët e UÇK-së dhe personeli mjekësor me të plagosurit.

Hadri, e cila është mjek me profesion, gjatë luftës ka bashkëpunuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës rreth të plagosurve të cilët i ka mjekuar.

Hadri: Më 17 prill 1999 ka qenë hera e parë që e kam parë Salih Mustafën

“Dy-tri herë më shumë nuk e kam parë, në ditën e 17 si figurë, në ditën e 18 të ofensivës si Cali si figurë që organizonte tërheqjen e të plagosurve, aty e kam kuptuar nga ushtarët që quhet Cali. Kam pyetur dhe më kanë thënë që quhet Cali. Më 17 ka qenë hera e parë në largësi, më 18 kështu nga afër. Unë aty e kam parë lëvizjet që i ka bërë, ka dalë ka mbledhur ushtarët, është kthyer përsëri dhe ka dalë”, ka thënë ajo.

Dëshmitarja ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë kontakt me Salih Mustafën, ndërsa e ka përshkruar atë nga jo që kishte parë në atë kohë në Zllash.

Hadri: Salih Mustafa ishte në uniformën e bukur të UÇK-së

“Uniformën me lara, UÇK me lara dhe me atë stemën që ka qenë. Me kapele dhe ishte një uniformë shumë e bukur”, ka thënë ajo.

E pyetur nga prokuroria pse shprehet e sigurt se në shtëpinë ku ka qëndruar në Zllash nuk janë ndaluar persona, Hadri ka thënë se oborri ka qenë i vogël dhe nëse do të kishte diçka të tillë do të dëgjohej nga dhoma ku ajo mjekonte pacientët.

Hadri: Nuk ka pasur persona të ndalur në Zllash

“Oborri ka qenë i vogël, nuk ka qenë oborr më shumë se kjo hapësirë, edhe zhurma edhe lëvizja e njerëzve shihej nga dera e hapur, nëse e ke hap derën e dhomës, nuk kishe nevojë të shkoje ku janë burrat. Kur pyetet a kam parë a kemi dëgjuar, ne nuk i kemi parë, nuk i kemi dëgjuar, dhe isha e bindur se ato zhurma dëgjohen, sepse hapësirë e vogël, nuk kishte mundësi”, ka thënë ajo.

Teuta Hadri, e cila është autore e librit “Krimi që pash me sytë e mi”, i ka thënë gjykatës se mund të ketë edhe dëshmitarë të rrejshëm.

Hadri: Ka dëshmitarë të rrejshëm

“Ka edhe dëshmitarë të rrejshëm që janë të interesuar të marrin një vizë për të dalë në Francë, Holandë. Unë kam përvojë edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Edhe atëherë bënin këto gjëra, për atë e kam menduar në këtë aspekt, kështu që gjykata duhet t’i analizojë drejt, sepse ka edhe dëshmitarë që janë të dyshimtë, vetëm për ta marrë një leje për të dalë jashtë janë në gjendje të bëjnë çdo gjë”, ka thënë ajo.

Teuta Hadri e cila është dëshmitarja e 14 e mbrojtjes së Salih Mustafës do të vazhdojë dëshminë e saj nesër para trupit gjykues në Hagë.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm./G.Kadrija

​Hadri tregon kur e ka parë Calin në Zllash, e falënderon për veprimtarinë e tij gjatë luftës

Dëshmitarja e katërmbëdhjetë e mbrojtjes së Salih Mustafës, Teuta Hadri ka thënë se në fshatin Zllash ka shkuar më 16 prill të vitit 1999 dhe ka qëndruar tre ditë ku ka dhënë ndihmë mjekësore për të plagosurit. Ajo i ka thënë trupit gjykues se në ditën e tretë i kanë nxjerrë të plagosurit dhe civilët nga ajo zonë për shkak të fillimit të ofensivës, ku sipas saj edhe e ka takuar Salih Mustafën të cilin në atë periudhë ajo e ka njohur vetëm si komandant Cali. Hadri ka thënë se në Zllash nuk ka pasur njerëz të ndaluar dhe as roje përreth shtëpive ku kanë qëndruar.

Dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e avokatit të mbrojtjes Betim Shala.

Avokati Shala: Gjatë kohës ku ju keni qenë në Zllash, a keni parë që një ndërtesë specifike në atë pjesë ku keni qenë ka pasur roje, është ruajtur nga ushtarët?

Dëshmitarja Hadri: Nuk ka pasur.

Avokati Shala: Gjatë kohës sa keni qenë ju në Zllash a keni parë që është ndaluar ndonjë ushtarë apo ndonjë civil?

Dëshmitarja Hadri: Nuk është ndaluar dhe nuk kam parë që kanë ndaluar, aty kanë hy civilë nga fshati, me uniformë njerëz dhe pa uniformë, dhe ajo zonë ku ne kemi qenë ajo ka qenë zonë që më shumë kanë hyrë edhe njerëzit civilë, njerëz të lirë, aty ka pasur gra dhe fëmijë, Famtir Humolli e ka pasur gruan me gjithë familjen, me babë me fëmijë, aty nuk ka pasur mundësi të ndalohet dikush dhe të ketë diçka.

Dëshmitarja Hadri ka thënë se ofensiva në atë zonë kishte filluar më 18 prill të vitit 1999.

Hadri: Ofensiva ka filluar më 18 prill 1999

“Ofensiva ka filluar më 18 prill, ka filluar në mëngjes dhe jemi informuar nga ushtarët nuk kanë dalë komandantët, ata kanë bërë organizimet e veta, dhe kanë lajmëruar edhe teknikët medicinalë ‘doktoreshë të bëhemi gati se serbët po vijnë, forca të mëdha’, dhe filluan granatimet më 18 prill në mëngjes dhe ne jemi sistemuar, ushtarët në pikën e parë, neve na thanë mjekëve të dilni në pikën e dytë që kur ka të plagosur t’i tërheqim dhe t’u japim ndihmë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se në kohën e ofensivës e kishte takuar për herë të parë Salih Mustafën.

Hadri: Calin e kam takuar një natë para ofensivës në Zllash

Unë për herë të parë e kam parë një natë para ofensivës dhe ditën kryesisht si Cali e kam kuptuar ditën e ofensivës, një natë përpara vetëm si ushtar i UÇK-së i veshur si gjithë ushtarët e tjerë që merrnin pjesë aty në oborrin e shtëpisë kur kanë ecur i kemi përshëndetë si ushtarakë. Ndërsa ditën e 18, ditën e ofensivës e kam kuptuar vetëm me nofkën e tij Cali, i kam pyetur ushtarët sepse Cali ishte një komandat pedant i shkathët, ai djalë kishte lënë lirinë e vet, në vend se me ikë në Gjermani ai vinte aty me i mbrojt qytetarët, me mbrojt ushtrinë, me furnizime me ushqim me barna, krejt ato kanë qenë organizim i ushtarëve të UÇK-së. Më 18 kam pyetur kur është bërë ofensiva e madhe, kam pyetur kush është ky djalë, aty e kam kuptuar se është Cali”, ka thënë Hadri.

Ajo ka deklaruar që në atë periudhë e kishte njohur atë vetëm me emrin Cali ndërsa kur është ngritur aktakuza e ka kuptuar se emri i tij është Salih Mustafa.

Hadri: E falënderoj Calin dhe ushtarët e UÇK-së, falë tyre dhe unë sot jam gjallë

Publikisht e falënderoj Calin dhe ushtarët e UÇK-së sepse falë tyre edhe unë sot jam gjallë, në organizmin që e kanë bërë të na mbrojtur neve, personelin e shëndetësisë, të plagosurit dhe civilët, për ndihmën që e kanë dhënë”, ka thënë ajo.

Teuta Hadri, e cila është mjeke me profesion, do të vazhdojë dëshminë e saj duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë.

Ajo është dëshmitarja e 14 e mbrojtjes së Salih Mustafës.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

​Hadri rrëfen periudhën kur kishte shkuar të mjekojë pacientët në Zllash

Teuta Hadri është dëshmitarja e radhës e mbrojtjes së Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Hadri, e cila është mjeke me profesion, ka folur për periudhën e muajit mars dhe prill të vitit 1999 ku ndër të tjera ka thënë se më 16 prill të atij viti kishte shkuar në fshatin Zllash me qëllim që të ndihmonte njerëzit në nevojë.

Para trupit gjykues, Hadri ka thënë se më 1 prill të vitit 1999 forcat serbe e kishin dëbuar nga vendbanimi i saj në Prishtinë.

Ajo ka thënë se si gjinekologe ka dashur të ndihmojë nënat gjatë lindjeve të fëmijëve në periudhë lufte.

Hadri ka deklaruar se ka ikur nga kolona ku i kishin vendosur forcat serbe, të cilat sipas saj, synonin t’i dëbonin drejt Shqipërisë dhe se është drejtuar për në shtëpinë e profesorit Sami Peja.

Gjatë dëshmisë ajo ka thënë se në shtëpinë e tij ka qëndruar për rreth tre ditë meqë sipas saj profesori Sami Peja kishte ndërruar jetë.

Aty, ajo ka thënë se një çift e kishte ndihmuar të shkojë në fshatin Keqekollë në mënyrë që të takohet me ushtarët e UÇK-së.

Hadri: Ushtarët më kanë dërguar nga Keqekolla në zonën e Skifterajve

Nuk kemi qëndru në Keqekollë, më kanë marrë ushtarët dhe më kanë dorëzuar në një zonë afër Keqekollës, nuk e dija ku por i thonin Skifteraj, zona e Skifterajve dhe aty më kanë kontrolluar, më kanë identifikuar dhe kanë marrë të gjitha informatat çka atyre u nevojiteshin”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ushtarët e kishin dërguar për në fshatin Zllash meqë i kishin lajmëruar që aty ka nevojë për mjek.

Hadri: Kam shkuar në Zllash të jap ndihmë mjekësore

Pasi ai lajmëroi në bazë siç thoshte në telefon, ata ju përgjigjën në telefon të bazës ‘silleni këtu sepse ka nevojë shumë dhe vendin e ka këtu me ardh për shërbime shëndetësore’ dhe ushtarët më kanë marrë me makinë dhe më kanë dërguar mua deri të zona që nuk e dija ku, që i thonin Zllash”, ka thënë ajo.

Në Zllash, Hadri ka thënë se e ka takuar atë qe e quanin ‘komandant Sejda’.

Ndër të tjera, Hadri ka thënë se e di saktë që ishte data 16 prill kur kishte shkuar në Zllash meqë sipas saj ajo mbante një ditar ku shënonte çdo gjë.

Hadri: Data kur kam shkuar në Zllash ka qenë 16 prill 1999

Ka qenë data 16 prill 1999 dhe koha me orë ka qenë diku nga ora tre ose katër pasdite. Ishte një fat i madh se unë mbaja ditar lufte, çdo ditë kam shënuar në ditar, qoftë krimet, qoftë gëzimet e pakta që i kemi pasur në luftë që janë shumë të pakta, me sekonda, i kam shënuar ngjarjet ditore që të mos harrohet kjo ditë që e kaloja, andaj e dija që është 16 prilli”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se është në Zllash është vendosur në një dhomë të vogël, pranë shtëpisë ku sipas saj ishte shtabi.

Hadri: Shtëpia në Zllash ishte e vogël me katër ose pesë shkallë

“Shtëpia ku i thonin ‘shtabi’, që unë e mendoja më të madhe, ishte një shtëpi e vogël me katër-pesë shkallë, unë e kam parë vetëm pamjen nga unë jam ngjitur, pjesën tjetër nuk e kam parë asnjëherë. Ajo i kishte katër-pesë shkallë dhe e kishte një korridor të ngushtë katër-pesë metra dhe në të dy anët kishte dy dhoma, djathtas dhe majtas, dhe ne kemi hyrë në njërën prej atyre dhomave”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se është vendosur në një dhomë të vogël ku sipas saj menjëherë kishin filluar të vinin pacientët për të kërkuar ndihmë.

Sipas Hadrit, vendi ku duhet të shërbente ishte objekti i shkollës në Zllash, pjesa ku shfrytëzohej për shërbime mjekësore, por nevoja që kishin pacientët për të marrë shërbimet mjekësore ishte aq e madhe dhe ajo kishte filluar t’i mjekonte në dhomën e saj.

Hadri: Në Zllash pacientët kishin shumë nevojë për shërbime mjekësore

Fatkeqësisht unë ende pa hy në dhomën ku doja t’i dërgoja rrobat, pacientët ishin shumë të nevojshëm për ndihmë mjekësore, erdhën dhe u futën në dhomën time, pa pyetur fare, pa trokitur dhe kishin nevoja të çuditshme që i binte situata, kishte fëmijë me meningjit, kishte pacientë me kardiopati, unë u shndërrova nga një gjinekologe që kisha dalë mi ndihmu nënat me lind në një mjeke të përgjithshme dhe kështu që pacientët nuk prisnin, dhe që në ditën e parë më 16 prill filluan të hynin në dhomën time”, ka thënë Hadri.

Dëgjimi i dëshmitares në gjyqin ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë pas pauzës.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Teuta Hadri, dëshmitarja e radhës e mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë

Ish-deputetja Teuta Hadri është dëshmitarja e radhës e mbrojtjes së Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ajo po përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës, Betim Shala rreth ngjarjeve të muajit mars dhe prill të vitit 1999.

“Gjatë prillit 1999, më 1 prill forcat serbe më kanë nxjerrë sikur gjithë popullatën tonë me dhunë nga shtëpia ime, është fjala për 1 prillin, ashtu sikur të gjithë banorët e banesave kemi dalë me dhunë, ata kishin bërë krime të mëdha nëpër tërë Kosovën që nga viti 1998. Unë këtu nuk do t’i përshkruaj ato krime që i kam parë dhe jam dëshmitare e gjallë të atyre ngjarjeve që i kam përjetuar vet, nuk jam dëshmitare që flas me anë të mediave, por jam dëshmitare e gjallë që i kam përjetuar me syrin tim dhe me truri tim”, ka thënë Hadri.

Hadri është dëshmitarja e 14 e mbrojtjes.

“Unë kam dashur të dalë në luftë të ndihmoj pasi isha mjeke me profesion, isha humanitare dhe kisha nevojë shumë t’u ndihmoj atyre njerëzve”, ka shtuar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat