Prokuroria ngrit aktakuzë për fajde ndaj ish-komandantit të UÇK-së dhe dy personave të tjerë

Aktuale

Prokuroria ngrit aktakuzë për fajde ndaj ish-komandantit të UÇK-së dhe dy personave të tjerë

Më: 12 maj 2022 Në ora: 14:47
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për veprën penale ‘fajde’. Gazeta nga burime të sigurta ka mësuar se njëri nga të dyshuarit është ish-komandanti i brigadës 133, Azem Veseli.

Përveç ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) aktakuza është ngritur edhe ndaj Hazir Tahirsylajt dhe Artin Çekajt.

Hazir Tahirisylaj e ish-komandanti i UÇK-së, Azem Veseli dyshohen për veprën penale “Fajde” kurse Artin Çekaj dyshohet për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale fajde” si dhe për “kanosje”.

Sipas aktakuzë, të pandehurit Hazir Tahirisylaj dhe Azem Veseli nga janari i vitit 2020 e në vazhdimësi deri më datë 15 shtator të vitit 2021, i kanë dhënë shuma të ndryshme të parave me kamatë viktimës.

“I pandehuri H.T, nga muaj janar 2020 e në vazhdimësi deri më datën 15.09.2021 në Deçan, duke e ditur gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit i jep këtij të fundit para me kamatë në shuma të ndryshme, me vlerë të përgjithshme 18.200 €, për të cilat i dëmtuari çdo fillim të muajit deri me datën 3, me përjashtim të vonesave për të cilat gjobitej, paguan nga 2.000 € fajde, ashtu që deri më datën 15.09.2021 i pandehuri H.T, realizon dobi pasurore në emër të fajdesë në vlerë prej rreth 20.000 € pa e llogaritur shumën bazë ku së bashku me të i pandehuri ia kërkon edhe 25.000 € dhe ia ndal fajdenë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

I pandehuri Azem Veseli, në fillim të muajit janar 2020 në fshatin Llabjan Komuna e Pejës, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, i jap atij para me kamatë në vlerë të përgjithshme 10.000 €, mirëpo për shkak të vonesave ia kërkon 15.000€, për të cilat i dëmtuari në emër të kamatës, duke përjashtuar vonesat, çdo muaj paguan nga 2.200€ dhe atë 1.000€ çdo fillim muaj dhe 1.200€ me datën 16 të secilit muaj, për çka gjer me datën 15.09.2021 i pandehuri A.V., realizon dobi pasurore në emër të fajdesë në vlerë prej rreth 20.000€ dhe ia kërkon edhe 5.000€ fajde dhe 10.000€ të borxhit.

Kurse, i pandehuri Artin Çekaj., sipas aktakuzë, ka aranzhuar takimet dhe me dashje ka ndihmuar të pandehurin H.T. për të kryer veprën penale “Fajdeja” nga janari i vitit 2020 deri në shtator të vitit 2021.

“Po ashtu, i pandehuri A.Ç., akuzohet edhe për veprën penale “Kanosje”, sepse më datë 15 shtator të vitit 2021, kanos seriozisht viktimën derisa ishe me të njëjtin në veturë, për t’u takuar me të pandehurin H.T., gjatë rrugës e kanos seriozisht me fjalë se do t’i shkaktoj një të keqe”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se tre të pandehurit secili veç e veç kanë kryer veprat penale të cilat ju vihen në barrë. Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente, që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat ju vihen në barrë.

Ndërkohë, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurve t’u bëhet sekuestrimi i përhershëm i pasurisë, përfshirë pronat, veturat dhe parat të cilat janë përfituar përmes veprës penale apo kanë mundësuar kryerjen e saj.

Theksojmë se në këtë çështje penale ka filluar të aplikohet Ligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat