Gjenerali Rrahim Ademi, a dëshmoi për tradhti kombëtare të Agim Çekut me ‘shokë’!?

Aktuale

Gjenerali Rrahim Ademi, a dëshmoi për tradhti kombëtare të Agim Çekut me ‘shokë’!?

Nga: Idriz Morina Më: 13 maj 2022 Në ora: 12:18
Gjenerali Rrahim Ademi, heroi i Kroacisë, që e refuzuan ta ndihmonte sinqerisht luftën në Kosovë

Dëshmia e Rrahim Ademit ishte një shok për opinionin publik në Kosovë!

Me një thjeshtësi dhe sinqeritet të rrallë, por edhe si një hero i luftës në Kroaci, që i kishte shkaktuar vuajtje të shumta, si gjatë saj, si pas saj, e ka bërë si duket edhe më sfidues dhe më të qartë e më të bindur në qëndrime, gjeneralin Ademi.

I njohur deri në respektim të një legjende, por jo për shkak të luftës në Kosovë, po heroizmit në Kroaci, ku njihet si njëri nga kryeheronjtë e saj, që e ndihmoi të çlirohej me fitore në beteja vendimtare.

Por, ajo që ka bërë të shtangen shqiptarët është se gjenerali Ademi ishte interesuar të jepte dijen e tij, eksperiencën e tij, por krahu i majtë i UÇK-së, që e kishte kontaktuar, jo se nuk i kishte ofruar të bëhej komandant i UÇK-së, por e kishte prishur edhe marrëveshjen shtatëpikëshe, që e kishte arritur në prani të Agim Çekut dhe të tjerëve në Split të Kroacisë.

Pengesat

Ademi nuk e ka mohuar se ka pasur edhe pengesa të tjera, që të vepronte, por megjithatë ai thotë se do t’ia kishte dalur të vinte në luftë.

Pengesa më e madhe sipas tij ka qenë, se ishte në kërkim nga Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Edhe pse në atë ene nuk kishte një aktakuzë, ai thotë se ishte informuar se po zhvillohej një hetim i fshehtë ndaj tij. Kështu, që në këto rrethana, nëse do ta lëshonte Kroacinë do të konsiderohej si përpjekje për t’i ikur drejtësisë, dhe kjo do të nënkuptonte lëshimin e një fletarresti për të.

Image
Agim Çeku, rrinte në Kleçkë, nuk dilte në Zveçan

“Në atë kohë, unë isha i paditur, i akuzuar fshehtë nga Haga. Largimi im nga Kroacia konsiderohej ikje, dhe mund të arrestohesha, nga Shqipëria dhe nga të gjitha vendet”, thotë Ademi.

Pengesa e dytë, si bëri të ditur ai ishte, se një ushtarak i lartë me gradën gjeneral, sipas ligjit kroat nuk mund ta lëshonte vendin pa lejen e presidentit të shtetit.

Por, që të gjitha këto pengesa sipas tij do të ishin kapërcyer sikur të mos ishte thyer marrëveshja, dhe sikur të mos ishte shkelur parimi elementar, që Ademi t’i nënshtrohej ish-ushtarit të tij Agim Çekut, për të cilin tha se nuk është prej atyre që kanë ndonjë famë në Kroaci.

Ai thotë thuajse në dëshpërim, se kishte arritur t’i tejkalonte pengesat: “Unë e gjeta rrugën, por njerëzit nuk ishin të kënaqur, i kanë gjetur të tjerët”.

Pra, ai dëshmon, se ishte refuzuar dhe injoruar, edhe pse ishte thirrur nga ata. Pra, ishin ky grupim, që ia kishin nxjerrë, pengesën e fundit apo kryesore Ademit, që ai të mos vinte në luftë.

Kjo edhe njëherë i kthen dilemat, nëse ky grupim e kishin ndonjëherë luftën seriozisht? A mendonin ndonjëherë se lufta bëhet për ta fituar, dhe vetëm kush e fiton bëhet hero i fitores!

- Po ta kishin ndarë mendjen seriozisht për luftë, nuk do të vepronin ndarë nga Ministria e Luftës!

- Po ta kishin ndarë mendjen për fitore, do t’i merrnin ushtarakët më të mirë dhe do t’ua jepnin vendin kryesor!

- Po pse e refuzuan bashkëpunimin, planin për çlirime qytetesh, dhe një plan për çlirimin e Kosovës!?

Pa sqaruar më shumë se pse nuk mund ta pranonte shkeljen e marrëveshjes nga grupi, ai e bëri të qartë, që ishte çështje parimesh, që të refuzonte t’i jepte llogari Agim Çekut.

Ai kishte pranuar që këtë ta bënte për Sylejman Selimin, atëherë të shpallur komandant, por jo që një gjeneral t’i jepte një ushtaraku me grada shumë më të ulëta, dhe duke e zgjedhur me shkelje të marrëveshjes.

“E kemi pasur një mbledhje në Split, një takim, si Agim Çeku, Bedri Selmani, Tomë Berisha etj., në atë mbledhje, u kam thënë se nuk jam i interesuar për komandantë, atëherë u pat ba Selimi... Unë ua bëjë planifikimin e çlirimit të Kosovës dhe të gjitha operacioneve. Unë Vatanin e dua me zemër, e jo me interes, për pare”, thotë Ademi.

Ai këtu dëshmon se dikush ose ka përmendur para, përfitime, ose për shkak se dikush e ka ditur se do të përfitojë para në fund.

“Ata e kanë bërë një gabim, aty, kanë bërë një bisedë ilegale me Agim Çekun, sepse ne ishim marrë vesh për bashkëpunim. Dhe pas një kohe, mora vesh që ai ishte bërë komandantë.

Kam qenë i gatshëm të dalë edhe në këtë anë. Kanë qenë 7 pika të marrëveshjes, ku unë do të isha si anëtar, çka me vepru dhe si. Dikush i ka kthyer ato pika”. Pra, ishte thyerja e marrëveshjes që rrëzoi planin kryesor, të futjes në luftë të gjeneralit Ademi.

Por, pavarësisht kësaj ai u kishte premtuar që edhe më tej t’ju ofronte planin e përgjithshëm të çlirimit të Kosovës, planet për çlirimin e Pejës, Gjakovës e tjera, por të gjitha këto ndihma të tij ishin refuzuar, edhe pse kishte vazhduar të mbante kontakte me Agim Çekun.

Kush ishin që nuk ia kanë dëgjuar erën e luftës!

Vlerësimet e tij janë shumë të sakta, dhe të provuara edhe nga eksperienca e tij në Kroaci.

“Ata që nuk ia kanë dëgjuar erën e luftës, pas përfundimit të saj, bëhen heronjë dhe bëhen gjithçka”, thotë ai, pa iu referuar një grupi, por që mund të konfirmohet nga ajo që ndodhi në Kosovë.

Pikërisht këta tipa që “nuk ia kanë dëgjuar erën e luftës”, u bën pas luftës, dhe po vazhdojnë edhe sot të jeni problemi kryesor i shoqërisë.

Ata e glorifikojnë pjesëmarrjen në luftë, sikurse ne t’i kishim vrarë nja 10 apo 20 mijë ushtarë serb, siç po bën sot Ukraina ndaj Rusisë, dhe të mos ishte e kundërta.

Janë këta glorifikues të paturp, që gjakun e viktimave – martirëve të luftës e shohin si fitore të tyre, dhe jo si turp të tyre, që nuk arritën t’i mbrojnë, t’ju dalin në ndihmë apo të hakmerren duke vrarë ushtarë serb, siç po bën Ukraina, ushtria e saj, duke vrarë ushtarë rus, madje në një moment të vetëm, sipas raportimeve perëndimore, 300-600 ushtarë, e sipas atyre ukrainase mbi 1500 veta, në një betejë të vetme strategjike, brenda orësh.

Kjo e kishte çuar edhe në një përfundim tjetër. Se duke mos i përgënjeshtruar gënjeshtarët e luftës, ata në paqe do të vazhdonin edhe me trillime të pafundme, aq sa vështirë do të bëhej për publikun ndarja e të vërtetës nga e pavërteta.

Image
Rrahim Ademi, dëshmoi se si nuk i donin këshillat pa para, se si të çlirohej Kosova apo edhe veriu

“Pas luftës e kuptova se e vërteta po bëhet rrenë dhe rrena e vërtetë”, thotë gjenerali i vetëm shqiptar në Kroaci, Rrahim Ademi.

Kjo pasqyrë e luftës në Kroaci, është si duket edhe më e përshtatshme për rastin e Kosovës, që gjeneral Ademi e përmbledh thjesht: “Edhe në Kosovë ka trima të rrejshëm, sa të duash”!

Dhe vërtetë është kështu, këta trimat e rrejshëm, ende vazhdojnë ta mbajnë Kosovën peng, të ardhmen tonë.

Tradhti apo padituri?!

A dëshmoi, njëri prej gjeneralëve më të mëdhenj shqiptarë të shekullit 20-të, se si gjeneralët e rrejshëm dhe ata ushtarak që i nënshtroheshin injorantëve të luftës, e lanë veriun nën kontrollin serb apo me fat të papërcaktuar qartë.

Në vend se UÇK-ja të vendosej në veri, ata vendoseshin në pika si Kleçka, gati në afërsi të kufirit me Shqipëri.

Por, sot ku ndodhemi?!

Gjenerali Rrahim Ademi, përveç këtyre detajeve negative për luftën dhe pas luftën, dëshmoi edhe për një çast vendimtar.

Fati i Kosovës, jo vetëm nga këndvështrimi ushtarak do të ishte tjetër, por edhe nga ai politik. Për të mos ndodhur zhvillimet negative për fatin e Kosovës, gjenerali ishte kujdesur që ta këshillonte ish-ushtarin e tij, komandantin e UÇK-së, të ndërmerrte hapa vendimtarë!

Ai i kishte kërkuar, madje me qortim Agim Çekut, që të hiqte dorë nga vendi ku ndodhej Shtabi, dhe të vendosej menjëherë në veri të vendit, në Zveçan, në mënyrë që të sigurohej zgjidhja e çfarëdo kontesti që mund ta krijonte Serbia.

“E thirra Agim Çekun pas hyrjes së NATO-s i thashë: O Agim Çeku po ku je? Më tha: Në Kleçkë. I thashë: Ça po bën në Kleçkë? Po merre komandën e dil te Zveçani e bëj sene taktike”.

Si ushtarak profesionist, sikurse edhe ata që ishin në organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, e kishte parashikuar saktë, se nëse nuk hynte ushtria atje, atëherë do të mund të kishte probleme. Dhe ato vërtetë ndodhën, dhe ende janë larg fundit.

“Sot e asaj dite, Kosova ish e kompletume. Veç nëse dikush t’ish dalë te Zveçani. Ta dërgonte komandën atje”, thotë i bindur gjenerali Ademi.

Pra, Agim Çeku duhet të rrëfehet gjatë se kush e shtyri ta thyente marrëveshjen 7 pikëshe të Splitit, dhe akoma më seriozisht të dëshmojë, se pse nuk e dëgjoi apo kush nuk e la të vendosej me shtab në veri.

Mos vendosja e shtabit dhe ushtarëve në veri, nuk është i vetmi tregim i Ademit. Ka edhe tregime, që ende po i mbajnë të fshehura udhëheqësit e Brigadës “Agim Ramadani”, të cilët po ashtu kërkonin të shkonin të vendoseshin në veri.

Pra, pengesat ishin sistematike!

“Ata që kanë bashkëpunuar me Agim Çekun, qe ku e kanë tash Agimin Çekun, urdhëroni”, ka thënë Ademi në RTK.

Pra, Rrahim Ademi, fajin e hedh tek njerëz të politikës, ata që vendosnin për kuadrot në UÇK, duke i bërë fajtor.

Sepse sintagma, “qe ku e kanë tash Agimin Çekun”, nënkupton gjendjen e sotme në veri, ku FSK-ja, as 23 vjet pas çlirimit të Kosovës nuk mund të shkojë në veri; urën mbi Ibër qe 23 vjet e siguron KFOR-i, a po e bën si vijë ndarëse; As në Vjenë dhe as në Bruksel nuk do të ishte biseduar me askë, për status të veçantë apo për asociacion ekzekutiv, sepse ‘përdorimi i taktikave’, që Ademi dhe Kroacia i zbatoi në Knin dhe vende të tjera, do të kishte dhënë rezultat përfundimtar.

Madje, as Hashim Thaçi dhe mbështetësit e tij nuk do të kishin rast të bisedonin për ndarjen e Kosovës, e madje, as procesi ndaj Dhurata Hoxhës nuk do të kishte ekzistuar, sepse nuk do të kishte pasur rast të abuzonte me kompetenca dhe buxhet të Kosovës, për të financuar ndarjen e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat