Lirohen të afërmit e ministrit Damka, të arrestuar për një tender 100 mijë €

Aktuale

Lirohen të afërmit e ministrit Damka, të arrestuar për një tender 100 mijë €

Më: 14 maj 2022 Në ora: 16:07
Fikrim Damka

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Anil dhe Sefçet Damkës, dy kushërinjve të Ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, të cilët dyshohen për përfshirje në falsifikim të dokumenteve për një tender në vlerë 100 mijë euro në ATK. Me vendimin e Gjykatës këta të fundit tashmë janë liruar.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka urdhëruar lirimin e Anil dhe Sefçet Damkës, duke refuzuar kështu kërkesën për paraburgim të Prokurorisë.

Në aktvendimin e Gjykatës të cilin e ka siguruar Pmedia Anil dhe Sefçet Damka janë liruar nga paraburgimi të premten më 13 maj.

Anil dhe Sefçet Damka dyshohen për përfshirje në falsifikim të dokumenteve për një tender në vlerë 100 mijë euro të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Këta të fundit janë kushërinj me Ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka. Një gjë e tillë është pohuar dje edhe nga vetë ministri.

Megjithatë, Anil dhe Sefçet Damka janë biznesmenë të cilët kanë fituar kontrata nga prokurimet publike që nga viti 2009.

Ndërkohë që Gjykata Themelore e Prishtinës vendimin për lirimin e biznesmenëve e ka bazuar mbi arsyetimin se vepra për të cilën akuzohen të dyshuarit është ndërmarrë vite më parë.

“Prokuroria, kërkesën për caktimin e paraburgimit e paraqet për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale, si në hyrje të këtij aktvendimi, ku siç ceket në kërkesë veprimet inkriminuese për të cilat dyshohen të pandehurit janë ndërmarrë në vitet 2017, 2018, 2019 dhe 2021 dhe asnjë veprim në vitin 2022, e që duke e pasur parasysh faktin se masa e paraburgimit është masë për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale dhe jo dënim, si dhe kur i shtohet fakti siç u cek më lartë se veprimet e dyshuara janë ndërmarrë vite më parë, shtrohet pyetja cili është efekti i caktimit të masës së paraburgimit tani, pas më shumë se një viti nga veprimi i fundit”, shkruhet në arsyetimin e parë të aktvendimit që ka siguruar Paparaci.

Tutje në arsyetim shkruhet se Prokuroria Themelore në Prishtinë në kërkesën për paraburgim nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi të cilën mund ta bazojë këtë kërkesë.

Gjykata thekson se prokuroria ka përmendur rrezikun që të dyshuarit mund të kenë tek dëshmitarët, mirëpo nuk ka përmendur asnjë emër të tyre.

“Sipas vlerësimit të gjykatës, arsyetimet e paraqitura në kërkesën e Prokurorisë, nuk arsyetojnë caktimin e paraburgimit, pasi siç u cek më lartë, nuk është përmendur asnjë emër i vetëm të një dëshmitari, në të cilin mund të ndikojnë të pandehurit. Po ashtu, nuk ka rrezik të asgjësimit, ndryshimit, falsifikimit të provave materiale, pasi të njëjtat tanimë ndodhen në duart e Prokurorisë dhe Policisë”, shkruhet tutje në aktvendim.

Gjatë ditës së djeshme rreth këtij rasti ka reaguar edhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, i cili ka kërkuar hetim të plotë për rastin e arrestimit të dy të afërmve të tij.

Në një njoftim nga Ministria e Zhvillimit Rajonal është theksuar se të arrestuarit nuk janë familjarë të brezit të parë të tij.

“Në disa media dje është raportuar arrestimi i dy personave të cilët janë apostrofuar si persona të afërt në familje me ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka. Ministri i Qeverisë së Kosovës ka kërkuar që rasti të hetohet deri në fund ndërsa është shprehur se personat në fjalë nuk janë pjesë e familjes së ngusht të tij”, shkruhet në reagim.

Anil dhe Sefçet Damka u arrestuan të enjten nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas policisë, gjatë vitit 2021 dy të afërmit e ministrit Damka në cilësinë e përfaqësuesve të një biznesi privat kanë përfituar tender nga Institucionet e Republikës së Kosovës pa i plotësuar kriteret.

“Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, njoftoi Policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat