Rrëfimi emocionues i Komandantit të Koshares: Ushtari i UÇK-së u vra 17 minuta para se ta takonte babanë

Aktuale

Rrëfimi emocionues i Komandantit të Koshares: Ushtari i UÇK-së u vra 17 minuta para se ta takonte babanë

Më: 16 maj 2022 Në ora: 17:49
Rrustem Berisha

Një rrëfim i jashtëzakonshëm nga Lufta e Kosovës, e ka sjellë ish-komandanti i UÇK-së në Koshare, Rrustem Berisha.

Berisha ka rrëfyer historinë e një ushtari i cili u vra në Betejën e Koshares, vetëm 17 minuta para se ta takojë babanë e tij, të cilin s’e kishte parë shtatë vjet, ngase kishte jetuar në Gjermani.

Ai thotë se i riu kishte ardhur nga Gjermania dhe iu ishte bashkuar radhëve të UÇK-së pa dijeninë e prindërve që jetonin në Kosovë.

Komandanti i Koshares thotë se prindi me të dëgjuar fjalë mbas fjale se djali i ishte bashkuar UÇK-së kishte ardhur për vizitë në frontet e luftës ngase ishte përmalluar për të.

“17 minuta pas asaj bisede, ai ushtar vritet në front. Kur më kumtuan atë lajm më është dukur sikur 1 mijë kilogram më ranë mbi kokë. E kemi pasur shumë të vështirë t’ua komunikojmë familjarëve se djali i është vrarë në luftë. I urdhërova njerëzit e afërt të stafit t’ia kumtojnë lajmin prindit. Luftë është dhe në luftë njerëzit vriten, s’ke çfarë bën”, tregon Berisha në RTK.

“Asnjëri nuk pranuan “jo nuk mundem”, dhe u detyrova vet ta jap lajmin te babai i tij. Kur shkova me prezantuan, ai më përqafoi, më shtrëngonte. Gjatë shtrëngimit të tij, mendohesha se çfarë lajmi do t’i japë prindit. U ulem dhe ai po më thotë: ”Komandant ju kam shqetësuar, por shtatë vite nuk e kam parë djalin. Mezi po pres ta takojë””, tregon momentin e sikletshëm Rrustem Berisha.

“I thashë: Burrë, edhe ty si shumë baballarëve tjerë iu ka rënë në hise, djali të është vrarë derisa ka qenë duke pritur për këtë takim. U krijua një heshtje për rreth një minutë. Kur njeriu flet t’i di sit ë pozicionohesh por ajo heshtje ishte e tmerrshme”.

Berisha thotë se prindi pas asaj heshtjeje kërkoi ta sheh të vrarë djalin e tij.

“Mos me keqkupto komandant, se dua ta shoh a është vrarë ballë për ballë apo duke ikur”, rrëfen Berisha fjalët e prindit të dëshmorit.

Komandanti rrëfen tutje se edhe pasi e pa trupin e djalit të vrarë babai i tij i motivoi ushtarët tjerë për të vazhduar luftën.

“Mos qani, kam edhe dy djem. Së shpejti edhe ata do të vijnë në front. Pushka e tij nuk duhet të pushojë”, rrëfen tutje Berisha ngjarjen emocionuese.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat