Vizita e Presidentit të Malit të Zi, policia njofton se do të mbyllen disa rrugë për qarkullim

Aktuale

Vizita e Presidentit të Malit të Zi, policia njofton se do të mbyllen disa rrugë për qarkullim

Më: 17 maj 2022 Në ora: 20:27
Milo Gjukanoviq

Policia e Kosovës ka njoftuar se nesër dhe pasnesër do të mbyllen disa rrugë për qarkullim përkohësisht, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare të Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Policia ka bërë me dije se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit dy ditor të delegacionit shtetëror në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete zyrtare.

Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtar policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat