Kuvendi i Izraelit dhe i Kosovës do të thellojnë bashkëpunimin

Aktuale

Kuvendi i Izraelit dhe i Kosovës do të thellojnë bashkëpunimin

Më: 23 maj 2022 Në ora: 15:30
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Avdullah Hoti njëherit  kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, sot ka zhvilluar një takim online me deputetin Ali Salalha, që është emëruar Kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael në Parlamentin e Izraelit. Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe dy ambasadoret e dy vendeve, znj. Tamara Ziv, Ambasadore e Izraelit për Republikën e Kosovës dhe znj. Ines Demiri, Ambasadore e Republikës së Kosovës në Izrael.

“ Falënderova z.Salalhi për takimin, diskutuam disa tema me rëndësi për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe politik. Disa nga kërkesat që shtrova në këtë takim janë:  Marrëveshje për tregti të lirë në mes të dy vendeve, Marrëveshje për eliminim të tatimit të dyfishtë,  të punohet për lëvizje pa viza për qytetarët e të dy vendeve dhe Marrëveshje për punësim sezonal në Izrael”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Salalha u shpreh i gatshëm për të shtyrë përpara këto kërkesa dhe për çdo çështje që kontribuon në thellimin më tutje të bashkëpunimit në mes të dy vendeve. “Të dyja palët u dakorduam që se shpejti të takohemi dhe t’i konkretizojmë këto kërkesa që janë të rëndësishme për qytetarët tanë”, tha Hoti.

Ndryshe në kuadër të marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në shtator 2020 në prani të ish-presidentit të SHBA, Donald Trump, u ra dakord edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael.

Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem, vetëm disa javë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit më 1 shkurt 2021.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat