Zyra e Scholz tregon mesazhet që Kancelari do t’i sjell në Ballkan

Aktuale

Zyra e Scholz tregon mesazhet që Kancelari do t’i sjell në Ballkan

Më: 24 maj 2022 Në ora: 17:13
Olaf Scholz

Para mbledhjes së Këshillit Evropian që do të mbahet me 23 dhe 24 qershor, pritet që në rajonin e Ballkanit perëndimor të qëndrojë kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Një gjë të tillë, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë e kanë konfirmuar nga Zyra e Kancelarit të Gjermanisë në Berlin.

Në përgjigje me shkrim për RTKlive, Zyra e Kancelarit gjerman, është pyetur për vizitën e Scholzit në vendet e Ballkanit perëndimor.

Kjo, pas raportimit të DW në gjuhën serbe, se ai pritet të qëndrojë në Serbi dhe disa vende të tjera të rajonit, duke nisur nga data 10 qershor.

Zyra e Kancelarit Scholz rekomandon që për të marrë përgjigje,  tash për tash  duhet shikuar dhe bazuar në fjalimin e tij të mbajtur në Bundestag, të enjten me 19 maj.

Fakti që nuk ka rrugë të shkurtra në rrugën drejt BE-së është gjithashtu një kërkesë e drejtë ndaj gjashtë vendeve në Ballkanin Perëndimor”, citohet të ketë thënë Scholz.

Në atë fjalim të gjatë, Scholz kishte folur me fjali të qarta për gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor.

Në adresimin e tij para deputetëve gjermanë, sipas Zyrës së Kancelarit Scholz, ky i fundit citohet të ketë thënë se-“prej vitesh këto gjashtë vende,  kanë ndërmarrë reforma intensive dhe po përgatiten për anëtarësim”.

“Mbajtja e premtimeve ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Tani më shumë se kurrë, integrimi i tyre është edhe në interesin tonë strategjik”, ka thënë Scholz para ligjvënësve gjermanë.

 “Nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë e këtij rajoni, ku forcat e jashtme po luftojnë për ndikim, e jo ​​më pak këtu bën pjesë Rusia”.

Sscholz pati thënë se- “bëhet fjalë për sigurinë tonë, e cila nuk mund të jetë e tillë pa një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm evropian. Prandaj, BE-ja tani duhet t'i japë këtë Ballkanit Perëndimor”.

Në pyetjen e RTKlive për mundësinë që Scholz të vijë edhe në Kosovë dhe temat që ai mund t’i diskutojë, në përgjigjen e Zyrës së Kancelarit gjerman, shkruan se duhet pasur parasysh edhe një deklarim tjetër të tij, në fjalimin e mbajtur me 19 maj në Bundestag.

Dhe kjo është ajo për të cilën jam angazhuar: duke zhvilluar bisedime për të arritur përparim në negociata dhe gjithashtu për të hequr pengesat e fundit brenda BE-së, duke ringjallur të ashtuquajturin ‘Procesi i Berlinit’, i cili forcon bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe duke udhëtuar në rajon përpara mbledhjes së Këshillit Evropian në qershor, me një mesazh të qartë me vete-Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian”, ka thënë Scholz në fjalimin  tij në Bundestag, e të cilin zyra për media e Kancelarit të Gjermanisë, ia sugjeron RTKLive, si përgjigje në pyetjet nëse është e konfirmuar se ai do të vijë në Ballkan me 10 qershor, se cilat vende do t’i vizitojë, apo temat që do të mund të trajtohen.

Përndryshe, një ditë më parë është raportuar se kancelari gjerman Olaf Scholz, planifikohet të vizitojë Serbinë dhe vendet e rajonit, më 10 qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat