Kush do të hetohet nga Komisioni për energji prej vitit 2006? Tregon Rashit Qalaj

Aktuale

Kush do të hetohet nga Komisioni për energji prej vitit 2006? Tregon Rashit Qalaj

Më: 2 qershor 2022 Në ora: 18:01
Rashit Qalaj

Komisioni Hetimor për Energji për periudhën 2006-2022 shumë shpejtë pritet që të përpilojë listën me emrat e personave të cilët do të hetohen.

Këtë e ka bërë të ditur anëtari i këtij komisioni Rashit Qalaj.

E, derisa ka treguar që ende nuk e kanë përpiluar lista ka thënë që kjo e fundit pritet të jetë mjaftë e gjatë duke treguar se edhe kush pritet të jenë të intervistuarit.

“Sigurisht të gjithë personat përgjegjës në bazë të periudhave kohore ata që kanë qenë përgjegjës nëpër institucione dhe përgjegjës për marrjen e vendimeve të ndryshme do të ftohen për intervistim”, është shprehur Qalaj.

Ai ka bërë të ditur se mbledhja e ardhshme do të mbahet të mërkurën dhe se aty edhe do të dihet se kush do të intervistohet.

“Në mbledhjen e radhës do të diskutojmë për emrat konkret të dëshmitarëve të cilët do t’i intervistojmë, ndërsa mbledhja do të mbahet të mërkurën e ardhshme”, ka thënë Qalaj.

Por, para se të mbahet kjo mbledhje Komisioni për shtatë ditë do të merr dokumente të ndryshme nga akterët të cilët janë përfshirë në këtë çështje.

“Ne e kemi mbajtë takimin e Komisionit dhe jemi dakorduar që dokumentet të cilat do t’i kërkojmë e të cilat kanë të bëjnë me energjinë do të kërkohen nga Kuvendi i Kosovës, nga Qeveria, pastaj nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nga KEK-u, KEDS-i , ZRrE-ja dhe të gjitha institucionet tjera dhe ato dokumente besoj se do të sillen në Kuvend brenda shtatë ditëve, dhe pastaj pasi të fillojmë të shqyrtojmë dokumentet do të përpilohet edhe lista e dëshmitarëve të mundshëm të cilët do të intervistohen”, ka deklaruar anëtari Qalaj.

Kurse, ka bërë të ditur se në mbledhjen e djeshme nuk është diskutuar fare për emra.

Me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka themeluar komisionin hetimor do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Votimi për këtë komision u bë menjëherë pas themelimit të komisionit hetimor për energjinë për menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Inicuese e këtij komisioni ka qenë shefja e grupit parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari-Lila e cila tha që analiza e hetimeve për këtë komision do të jetë e një periudhe më të gjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat