Pronari i veturës në atentatin ndaj Tahir Zemajt, hetohet nga gjykata speciale për krime lufte!

Aktuale

Pronari i veturës në atentatin ndaj Tahir Zemajt, hetohet nga gjykata speciale për krime lufte!

Nga: Idriz Morina Më: 15 qershor 2022 Në ora: 20:18
Koloneli Tahir Zemaj i vrarë para 19 viteve, bashkë djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin

Gjatë një debati publik për figurën e Isa Mustafës, rezultoi një dialog interesant, i cili më pas u bë lajm në media.

Për herë të parë një komentues po risjellte në kujtesë një sekuencë televizive, në të cilën ishte parë të nxirrej, sipas tij një veturë nga uji.

Gjurmë apo humbje gjurmësh

“Në Tahir Zemajn është gjuajtur nga vetura Opel Ascona. Ajo veturë ka qenë e regjistruar në emër të dikujt. Ajo veturë, pas vrasjes është hedhur në Dri. Ajo veturë është nxjerrë nga Drini nga policia e Kosovës. Pasi policia e Kosovës e kanë lexuar emrin dhe mbiemrin e pronarit, veturën e kanë lëshuar në Dri përsëri. Ajo veturë kurrë nuk është nxjerrë pastaj nga Drini. A mjafton?”, shkruante Sefedin Krasniqi rreth dy vite më parë.

“A nuk është ashtu? Pse a s’ka qenë në TV filmimi i nxjerrjes së veturës nga Drini dhe lëshuarja e saj prapë në Dri? Po familja Zemaj nuk e dinë këtë? Po Shkumbin Mehmeti, a nuk e ka thënë emrin e vrasësit?”, shkruante Krasniqi.

Në fakt sipas pohimeve është e ditur nga shkrimet e kohës dhe dëshmitë, se është përdorur një veturë Opel Ascona, por duket se ngjyra nuk përputhet me atë që përshkruhet më lart, dhe nuk është e sigurt nëse ajo veturë është përdorur në ndonjë rast tjetër.

Image
Koloneli Zemaj gjatë luftës

Sipas informacioneve që jep Naim Miftari, i cili duke shkruar se duhet të hapet dosja “Zemaj”, kërkon që të kuptohet se kush kishte paguar 135 mijë euro për vrasjen.

“Isë, Avdullah, Agim, Selim, Lumez … sa bluni… hapni dosjen e Tahir Zemajt shikoni kush kishte pranuar 135.000 euro edhe pse vrasësit i kishin kërkuar në fillim 250.000 euro, dhe kush kishte paguar vrasjen e Tahir Zemajt! Ku janë tri transkriptat, sms-të e bisedat e përgjimeve disa mujore të dhjetëra telefonave që lidhen me planifikimin e kësaj vrasje dhe disa vrasjeve tjera, që janë të njëjtët ekipe të vrasësve", shkruante Miftari.

Ndërsa, është për kuriozitet deklarata e kryeprokurorit të rajonit të Pejës, Agim Kurmehaj, e dhënë për media në vitin 2017, ku kishte premtuar se do të fliste për rastin Zemaj, pasi ta studionte mirë atë, dhe ta diskutonte me prokurorët e tjerë.

“Nuk mund të flas për veprime konkrete, sepse thashë se më duhet t`i marr, t`i studioj ato lëndë së bashku me prokurorët që i kanë në punë dhe mandej pas disa muajsh të flasim a është ndërmarrë diçka apo jo”, deklaroi kryeprokurori i Pejës Agim Kurmehaj.

Por, si duket, as studimi i tij, dhe as diskutimi me kolegë nuk i kanë dhënë informacion të mjaftueshëm.

Dosja, ka mbetur po aty, mbase për të pritur studiues të tjerë.

Si duket ai nuk ka pasur guximin t’i qaset dëshmisë së Shkumbin Mehmetit, të dënuar 30 vjet për pjesëmarrje në vrasjen në Podujevë, të një polici ndërkombëtar dhe të një shqiptari, i cili vazhdimisht ka pohuar se ka informacione për vrasjen e Xhemajl Mustafës, Smajl Hajdarit e të Tahir Zemajt.

Sipas raportimeve aso kohe, koloneli Tahir Zemaj dhe Hasan Zemaj nga plagët e marra kishin vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa i biri Enisi gjatë rrugës për në spital.

Vrasësit me pagesë

Dëshmitarët e rastit pohojnë se policia ishte vonuar rreth 25 minuta deri sa ka dalur në vendin e ngjarjes, ndërsa një patrullë e KFOR-it nuk ishte ndalur, dhe vetëm e dyta, kishte ndaluar aty para se të arrinte policia. Ndërsa, ambulanca është vonuar edhe më shumë. Kjo ndoshta mund të ketë ndikuar, që të mos shpëtonte Enisi, i vetmi që ishte dërguar drejt spitalit i gjallë.

Vrasja rezulton të jetë kryer nga grupet e vrasësve me pagesë, të cilët ishin të angazhuar nëpërmjet SHIK-ut kryesisht, pjesë e së cilës skuadër ishte edhe Shkumbin Mehmeti.

Nëse do të ndodhnin arrestimet e autorëve të vrasjes së trefishtë vërtetë do të ishte një goditje tronditëse për krimin e organizuar.

Image
Isuf Haklaj, Sabahate Tolaj dhe ish-ushtaraku Skender Rexhahmetaj (edhe ky i vdekur)

Vrasja e Zemajt, çoi edhe në vrasje të tjera. Më e pakta që dihet është se gjatë hetimit të rastit “Zemaj” nga eprorët e policisë së krimeve, Sebehate Tolaj dhe Isuf Haklaj, ata u vranë në një pritë, ndërsa pohonin se ishin gati ta gjenin vrasësin apo vrasësit.

Atentati është kryer më 24 nëntor të vitit 2003. Dhe për këtë rast policia e ka arrestuar Bedir Krasniqin, i dënuar me 27 vjet burg!

Emrat për vrasësit potencial, dhe madje një të sigurt, për atentatin ndaj Tahir Zemajt, ka deklaruar t’ia ketë thënë vetë Haklaj, Bajram Gecajt, zyrtar i LDK-së.

“Tezaku Isuf më kishte informuar, diku rreth dhjetë ditë para atentatit, se kishte identifikuar tre individë vrasës potencial të Tahir Zemës, dhe se njëri nga të tre ishte padyshim vrasësi. Kjo, fatkeqësisht, ishte biseda ime e fundit me të. Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj ishin profesionistë, prandaj edhe një herë apeloi, kërkoi dhe insistoi publikisht që prokuroria të hetoi seriozisht të gjeturat e Isufit e Sebahatit, të cilat besoi fuqishëm se janë edhe të dokumentuara dhe të arkivuara diku në sirtarët e policisë apo prokurorisë … shfletoni shkresat ju lutem dhe gjeni e dënoni vrasësit katilë; mos prisni që këtë ta bëjnë ndërkombëtarët!”, ka shkruar zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, kohë më parë, i cili kishte lidhje familjare me Haklajn.

Gjykata speciale

Bazuar në mandatin kohor të ndëshkimit të krimeve, gjykata speciale nuk ka mandat përtej vitit 2000. Në këtë rast ajo nuk do të mund të merrej me zbulimin e këtij krimi.

Sipas përkufizimit kohor të fushëveprimit të gjykatës speciale, kjo rezulton se nuk bie në domenin e saj të hetimit dhe gjykimit të rastit.

Por, pronari i veturës për rastin e atentatit është thirrur nga gjykata speciale për intervistim, përkatësisht është intervistuar, por meqë vrasja e Zemajt ka ndodhur në vitin 2003, ai duket se është pyetur për ngjarje të tjera.

Image
Pamje pas atentati ndaj kolonelit Zemaj nga sulmi terrorist

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat