Deputetja e AAK-së i bashkohet protestës së veteranëve
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj i është bashkuar protestuesve në oborrin e Kuvendit. Ajo ka thënë se është bashkë me protestuesit si veterane e luftës.
Ajo para mediave ka deklaruar se barra për këtë situatë bie mbi qeverinë Kurti.
Kadriaj: Barra bie mbi qeverinë Kurti
“Nuk besoj që do të ketë normalitet në seanca, ne do të protestojmë me format tona edhe në Parlamentin e Kosovës që të fillojë, sepse ua garanton ligji... Nuk mendoj që njerëzit të cilët kanë ndihmuar në lirinë e Kosovës dhe në shtetndërtimin e Kosovës do t’i dëmtojnë institucionet e Kosovës. Barra bie mbi qeverinë Kurti dhe paturpësia mbi qeverinë Kurti që i ka eliminuar prej pagës minimale”, ka thënë ai.
Madje, ajo shtoi se nuk do të ketë normalitet të seancave, nëse nuk përfshihen veteranët në projektligjin për pagën minimale, në të cilin nuk janë përfshirë kjo kategori e luftës.
Kadriaj: Nuk do të ketë normalitet të seancave nëse nuk përfshihen veteranët
“Sot e kundërshtuam, thamë që nuk do të ketë normalitet të seancave deri sa nuk fillon dialogu dhe nuk përfshihen veteranët. Unë mendoj që qeveria duhet të reflektojë në këtë drejtim”, ka shtuar Kadriaj.
Klinaku: Nëse ka nevojë do të qëndrojmë këtu edhe me tenda
Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, u ka bërë thirrje protestuesve që të qëndrojnë të qetë dhe të mos të pengojnë njësitet e Policisë së Kosovës.
“Seanca e Kuvendit është ndërprerë sepse opozita e ka tërhequr foltoren, ju lutëm mos bëni probleme me policinë. Nëse ka nevojë do të qëndrojmë në protesta këtu edhe me tenda. Qëndroni të qetë, sepse shumë mirë jeni”, ka thënë Klinaku.
Protestuesit tashmë po qëndrojnë brenda oborrit të kuvendit, ndërkaq dera është e bllokuar nga njësitet e Policisë së Kosovës.
Protestuesit po shprehin vendosmërinë që të mos tërhiqen nga kërkesat e tyre.
“Ne veteranët bimë poshtë nëse tërhiqemi e fiton Albin Kurti. Kryesinë e kemi, qysh të thotë Fatoni me kryesi, ne kemi përkrahur. Unë jam kundër që të kemi punë me policinë tonë. A Albin Kurtit nuk ia lojmë në qat mend që tash me u dorëzua veteranët. Veteranët nuk janë dorëzuar kur ka qenë koha me u vra çdo sekondë o burrë. Zoti i ka shpëtuar se veteranët krejt kanë qenë të vrarë”, ka thënë një nga protestuesit.
Jashari: Kërkojmë nga Qeveria dhe deputetët që të reflektojnë ndaj kërkesave të veteranëve
Në protestën e veteranëve të UÇK-së që po mbahet para Kuvendit të Kosovës, kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari iu ka bërë thirrje qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të reflektojnë krahas kërkesave të tyre dhe siç tha ai të ndalen edhe provokimet ndaj protestuesve.
Po ashtu, Jashari ka bërë thirrje protestuesve që protesta të mbahet e qetë dhe e dinjitetshme, ashtu siç ka qenë e dinjitetshme edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Jashari: Qeveria dhe Kuvendi duhet të reflektojnë
“Ne iu kemi bërë thirrje që protesta të jetë e qetë, të jetë e dinjitetshme, siç ka qenë ushtria Çlirimtare e Kosovës e dinjitetshme, dhe ne nuk kemi punë me policinë e Kosovës, nuk kemi punë me objektet që janë ndërtuar mbi sakrificën, mbi mundin e atyre që çka kanë bërë kategoritë e luftës. Ne iu bëjmë thirrje qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, edhe të deputetëve që të reflektojnë, sepse nuk lejohet të degradohet institucioni më i rëndësishëm, moral, njerëzor dhe kombëtar institucioni i luftës së UÇK-së. Oborri i kuvendit është oborr i vlerave të luftës, andaj ne iu kemi bërë thirrje, dhe iu bëjmë thirrje edhe tash që mos të provokohen, sepse gjatë gjithë kohës sa jemi këtu protestuesit provokohen zyrtarë prej dritareve të kuvendit dhe për këtë duhet të merren masa që mos të bëhen provokime. Sepse ne do ta përfundojmë protestën në mënyrë të qetë për t’i dhënë rastin e fundit këtyre institucioneve që të korrigjohen, në të kundërtën do të marrim edhe masa të tjera, të cilat ndoshta nuk do t’i duhen askujt”, theksoi ai.
Në protestën sotme që po mbahet në Prishtinë për rritjen e pensioneve të tyre krahas rritjes së pagës minimale, po marrin pjesë qindra veteranë të luftës
Molliqaj deklarohet nga protesta e veteranëve
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj i është bashkuar protestës së veteranëve para Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se është e padrejtë që kjo qeveri po i maltreton ata.
“Besoj në fitoren e tyre sepse është e drejtë e tyre”, tha Molliqaj.
Ai tutje tha se Qeveria i ka provokuar duke ua vendosur policinë përballë.
“Me i heq rrethojat e me vendos policinë është provokim. Qeveria Kurti i ka heq rrethojat me qenë të qasshëm për qytetarët, veteranët janë qytetarë. Pse po jau vendos policinë”, ka thënë Molliqaj.
Klinaku: Kurti duke mos na mbështetur mendon se do të na shtrijë për toke
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka deklaruar se po protestojnë, meqë po u shkelen të drejtat dhe po mohohet lufta çlirimtare. Ai ka pasur një mesazh edhe për kryeministrin, Albin Kurti, që siç u shpreh ai, po tenton me mos-përkrahje ‘t’i shtrijë për toke’.
Sipas tij, tentimet për mohimin e sakrificës dhe kontributit të luftëtarëve nuk kanë sukses.
Klinaku: Duke mos në mbështetur, mendon se do të na shtrijë për toke
“Duke mos na mbështetur e përkrahur, mendon se do të na shtrijë për toke, ashtu siç po vepron pa përgjegjshëm edhe me sindikatat. Ne i themi se qeveria shkon e vjen, e ne nuk kemi ndërmend të ndalemi përballë çdo qeverie dhe çdo kryeministri... Neve na duhet të protestojmë sepse mohohet lufta që u bë dhe shkelen të drejtat që iu takojnë pjesëtarëve të asaj lufte”, ka thënë ai.
Klinaku nis fjalimin, ndërpritet nga protestuesit që mësynë ndërtesën e Kuvendit
Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka nisur të mbajë një fjalim, megjithatë protestuesit kanë mësyrë ndërtesën e Kuvendit, ku janë pritur me bllokim nga njësitet speciale e Kosovës, e cila ka vendosur kordonin në oborrin e Kuvendit.
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës po protestojnë para Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës për të shprehur kundërshtimin e tyre në lidhje me miratimin e Projektligji për rritjen e pagës minimale por që lë jashtë rritjes pensionet e tyre.
Të martën Kuvendi i Kosovës miratoi në parim, me 68 vota për, projektligjin që përcakton pagën minimale. Për kalimin e këtij projektligji ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe, ndërsa komunitetet e tjera joshumicë abstenuan. Projektligji është kundërshtuar nga opozita, e cila nuk mori pjesë në votim.
Për këto organizata, deputetët me miratimin e këtij projektligji kanë vepruar kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Njësia speciale dhe veteranët ballë për ballë te hyrja e Kuvendit
Policia është mobilizuar ndërsa veteranët e UÇK-së janë mbledhur dhe shpejt kanë arritur të futen deri te dera e Kuvendit për të protestuar. Ata thirrën “UÇK”, ndërsa është paraparë të kalojnë edhe kah Qeveria.
Veteranët janë të indinjuar që deputetët të martën miratuan në parim projektligjin për caktimin e pagës minimale i cili i mënjanon ata.
Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku tha se pushteti i diskriminioi veteranët kur e miratoi të martën projektligjin që përcakton pagën minimale “së bashku me pakicat që gëzojnë të drejta si askush në botë”.
Ai tha se kryeministri Albin Kurti nuk i dëgjoi, edhe pse tha se “kemi paralajmëruar se do ta kundërshtojmë këtë”.
Klinaku: Kërkoj nga pushteti që të ndalojë provokimet
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka deklaruar se pushteti është duke provokuar situatën në protestën që po mbahet para Kuvendit të Kosovës. Ai ka kërkuar që të merren masa, meqë sipas tij, nga dritaret e parlamentit, disa persona po provokojnë situatën.
Në protestën e organizuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë arritur me qindra protestues.
Klinaku: I drejtohemi policisë që të ndërmarrë masa
“I drejtohem Policisë së Kosovës që të ndërmarrë masa, sepse nga dritaret e kuvendit që po i hapin janë duke provokuar me gishta. Në basë të informacioneve që ne kemi, pushteti donë ta provokojë situatën. Ju kisha lut juve veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve, gjithë ju pjesëmarrës që jeni të kësaj proteste, ne me policinë nuk kemi probleme, janë shokët tanë, këta janë për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Kërkoj nga pushteti, i cili po bën vazhdimisht provokime, që të ndalojë provokimet dhe të kthehet ta tërheq ligjin i cili shkel aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këta deputetë që shkelin ligje, që shkelin kushtetutë nuk e kanë vendin këtu”, ka deklaruar Klinaku.
Grupi i veteranëve janë pozicinuar para hyrjes së Kuvendit të Kosovës, në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në kundërshtim të projektligjit për pagën minimale në të cilin nuk janë përfshirë kjo kategori e luftës.
Protestuesit hyjnë në oborrin e Kuvendit
Tashmë ka filluar protesta e thirrur nga OVL e UÇK-së, para Kuvendit të Kosovës.
Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të kësaj organizate, deklaroi se pushteti po provokon. “Ne kërkojmë që të ndalohen provokimet”, tha ai.
Veteranët tashmë janë duke tentuar të futen brenda rrethojës së Kuvendit të Kosovës ku përballë tyre është vendosur kordoni i policisë.
Nën thirrjet “UÇK”, “Policia e jona”, ata tashmë ndodhen në oborrin e Kuvendit.
Siç njofton gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, protestuesit kanë thyer derën e rrethojës së oborrit.
Ndërkohë, para këtij institucioni, janë vendosur edhe Njësitet Speciale të policisë.
Deputeti i VV-së kalon kah protesta, veteranët ia rrahin krahët
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka kaluar kah protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Humolli është parë në mesin e veteranëve, por s’ka pranuar të prononcohet për media.
Ata e kanë pritur me brohoritje dhe e kanë përqafuar.
Ndryshe, Humolli ka votuar kundër Projektligjit për pagën minimale.