Muja: Veteranëve të vetmen rritje të pagave ua kemi bërë ne, ua kemi dyfishuar pagesat

Aktuale

Muja: Veteranëve të vetmen rritje të pagave ua kemi bërë ne, ua kemi dyfishuar pagesat

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 22:48
Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë se Qeveria është e vetëdijshme për kontributin që veteranët kanë dhënë për vendin.

Muja deklaroi se në takimin e parë që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, ai i ka thënë se së pari duhet t’i ndihmojnë familjet e dëshmorëve, e pastaj kategoritë e luftës.

“Ajo çka ne jemi të përkushtuar, dhe unë e di këtë në takimin e parë që kam pasur me Kurtin, mesazhi i tij ka qenë që për familjet e dëshmorëve dhe sidomos fëmijët e dëshmorëve të fillojmë në fillim, se këta duhet me i ndihmu më së shumti dhe shkojmë te kategoritë e luftës”, tha ai.

Sipas tij, e vetmja ndihmë që veteranët kanë pasur që nga viti 2015, ka qenë kur janë bërë nga Qeveria Kurti në nëntor.

“Dhe në tri raste, e vetmja ndihmë që nga viti 2015, pagesat e veteranëve kryesisht kanë qenë 170 euro, të vetmen ndihmesë kur kanë pasur rritje, ua kemi bërë ne gjatë qeverisjes në nëntor dhe prill. Ua kemi dyfishu pagesat…është modeste, por aq kemi pasur mundësi”, tha Muja.

Tutje, Muja shtoi se veteranët do duhej të hiqeshin nga diskutimi publik, teksa shtoi se s’ka veteranë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Do ishte mirë me hjek prej debatit, diskutim publik, veteranët, e sidomos kategoritë e dala nga lufta janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë dhe duhet të jenë përgjegjësi e krejt shoqërisë. Aty s’ka veteranë të AAK-së e të PDK-së”, potencoi Muja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat