Macron, Michel e Von Der Leyen, nuk e thanë asnjë fjalë për heqjen e vizave për Kosovën

Aktuale

Macron, Michel e Von Der Leyen, nuk e thanë asnjë fjalë për heqjen e vizave për Kosovën

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 10:07
Macron, Michel e Von Der Leyen

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron shteti i të cilit e udhëheqë me presidencën e Këshillit, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për heqjen e vizave për Kosovën në konferencën për media pas takimit të 27 liderëve të BE-së.

Hapësirën më të madhe në konferencën për gazetarë e pati Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia, për dhënien e statusit të vendeve kandidate të BE-së.

Kosova u përmend vetëm nga presidenti i Këshillit, Michel, në kontekstin e përkrahjes së dialogut Prishtinë – Beograd.

“Ne përkrahim konkluzionet nga Përfaqësuesi i Lartë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha ai kur foli për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Liberalizimi i vizave nuk u përmend as në konkluzat e Këshillit në takimin e ditës së parë që u zhvillua dje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në samit, kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.

Liderët e 27 vendeve të unionit evropian do ta zhvillojnë sot edhe takimin e dytë në kuadër të Këshillit të BE-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat