​Kurti: Ndërmarrjet amerikane ta zgjerojnë strategjinë e tyre në Kosovë

Aktuale

​Kurti: Ndërmarrjet amerikane ta zgjerojnë strategjinë e tyre në Kosovë

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 18:25
Ilustrim

Kryeministri Albin Kurti zhvilloi takim virtual me Joshua Bolten, kryeshef ekzekutiv i Business Roundtable, shoqatë e cila përfaqëson kryeshefat ekzekutivë të kompanive kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik u veçuan nga kryeministri Kurti si arsye pse Kosova ofron një mundësi të artë për investime të reja.

Ai theksoi angazhimin e Qeverisë në avancimin e parimeve demokratike dhe përparimin në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, që është pasqyruar në ngritjen e Kosovës për 17 vende sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, dhe renditjen si të parët në rajon sipas “World Justice Project”.

Kryeministri Kurti tha se me popullatën e re dhe profesionale që ka Kosova, shtrirjen më të gjerë të internetit në Evropë, potencialin e dëshmuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe me qeverinë që mbështet këtë sektor, Kosova synon që të bëhet qendra e radhës e kësaj fushe në Evropën Juglindore.

Në takim u diskutuan mundësitë që Business Roundtable të jetë urë lidhëse ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ndërmarrjeve amerikane. U bë ftesë që ndërmarrjet amerikane ta konsiderojnë Kosovën në strategjinë e tyre të zgjerimit dhe planet e tyre për kontraktim të shërbimeve nga jashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat