“Herezia” e Hekuran Muratit! / Persekutim, linçim, kërcënim... dhe rrezik për likuidim!

Aktuale

“Herezia” e Hekuran Muratit! / Persekutim, linçim, kërcënim... dhe rrezik për likuidim!

Nga: Idriz Morina Më: 1 korrik 2022 Në ora: 18:57
Foto ilustrim

Hekuran Murati, në vitin 1998, ishte 10 vjeçar!

Pra, edhe në kulmin e luftës me 1999, ai nuk i dëgjonte lajmet, ose sepse ishte fëmijë, ose sepse nuk e lejonin të tjerët apo mundësitë i kishte të atilla.

Diku 19 vjet pas mbarimit të luftës, ai po polemizonte në bazë të kujtimeve të tij, dhe asaj që lexonte për skandalin që kishte nisur të bëhej me veteranët.

Duke qenë vetëm një fëmijë në luftë, ai atë e ka përjetuar kryesisht nëpërmjet të frikës dhe disiplinës që mund t’ia ofronte shtëpia, familja aso kohe.

Shkelja e të drejtës së shprehjes

Duke folur për veteranët, jo në një analizë shkencore, as gazetareske, ai e kishte lirinë e dhënies së një mendimi gjysmë publik, pak a shumë siç flasin dhe bisedojnë shlirshëm e shkujdesshëm shqiptarët nëpër kafene.

Ai atëherë nuk ishte një figurë publike reale, e as më pak, një zyrtar shteti me ndikim.

Të gjitha këto rrethana dhe të tjera, janë të mjaftueshme, për të dhënë një gjykim racional për reagimin e tij në Fb, në faqen e tij.

Në bazë të kësaj perspektive, atij nuk mund t’i vihet asnjë faj, asnjë ngarkesë emocionale, për lirinë e tij të të shprehurit, në ‘ambientin’ që e cilësuam. Përkundrazi akuzat që i bëhen rëndojnë dhe përkojnë me shkeljen e të drejtës dhe lirisë së shprehjes.

Pra, duke qenë i tillë i çliruar nga bota e paragjykimeve dhe paragjykuesve, dhe veçmas e propagandës, ai e thotë atë që e mendon për momentin, që nuk e kanë thënë të tjerët, ose që i shkon momentit, për ta nxitur opinionin që të mendonte qartësisht për dëmin, që po ia bënin vendit, ata që me vetëdije po e falsifikonin numrin e veteranëve dhe ata që po e pranonin të merrnin një status mashtrues në jetë.

Image
Ministri i financave Hekuran Murati

Ta lexojmë deklaratën:

“Përderisa pagesa për veteranët po don me kalu 100 milionë euro në vit, për vitin 2016 buxheti për FSK-në asht veç 45.1 milionë euro. Për vitet 2017 dhe 2018 shkon tu ra madje, 44.8 dhe 44.6 përkatësisht. Këta tre muj lufte të një ushtrie guerile dojnë me na dalë shumë ma shtrejtë se ni ushtri e rregullt”, në bazë të tekstit kjo deklaratë nuk është bërë në vitin 2016, pasi Murati nga retrospektiva flet për buxhetin gjatë viteve 2016-2018. Pra, më së hershmi i bie, që është dhënë në vitin 2018, por mund të jetë dhënë edhe në vitin 2019 (meqë statusi është fshirë nga autori).

1. Kostoja e manipulimit - E para ai e shpreh frikën se brenda një viti mund të arrijë shifra e shpenzimeve buxhetore në 100 milionë euro, pra disa herë më shumë se sa i kushtonte buxhetit para falsifikimit të listave.

2. Morali - Ai e dëshmonte se ata që kishin pranuar, lejuar apo marrë pjesë në falsifikimin e listave, nuk kishin treguar asnjë respekt për mbrojtjen e vendit, pasi për të tria vitet mesatarja e buxhetit për armatim ishte nën 45 milionë euro. Pra, ‘pronarët’ e listave false të veteranëve nuk e kishin hallin e mbrojtjes (së vendit), sepse po ta kishin do ta kishin rritur buxhetin. Dhe veteranët shihen si mbrojtësit e shtetit, si kujtesë, pra nderimi për sakrificën në mbrojtje të atdheut.

3. Shpotia - Ai duke e llogaritur, nënkuptueshëm si ekonomist, shpotitë edhe ata që ishin bartës në luftë, duke e shtruar si dilemë, se nëse ata do të kishin bërë më mirë, sikur të kishin paguar mercenarë!?

Me dy të parat askush nuk u mor. As nuk kishte se si ta bënte, por problemi është se pse u morën, vetëm me pjesën e tretë këtu, apo si mesazh të tretë në tekst.

Veterani fals, fatkeqësisht nuk është as një mercenar. Luftëtari mercenar, duhet të paguhet për luftën që bën, sikurse edhe mund të vritet. Por, veterani fals, as nuk mund të vritet, as të plagoset, as të zihet rob. Por, ata po e zënë ‘rob’ buxhetin’, po e plaçkitin atë. Me këtë edhe ata që falsifikuan listat, janë më të ligj se mercenarët, madje, edhe se vetë veteranët fals!

Shqiptarët në mesjetë janë shquar si mercenar, veçmas pas jehonës së lavdishme të luftërave të Skënderbeut, nuk kishte ushtri të fuqishme në Europë, që nuk kërkonte të paktën një grusht ushtarësh shqiptarë.

Më i shquari ndër ta ishte Mërkur Bua Shpata, lavdia e të cilit edhe sot kujtohet, pavarësisht se ndodhte që i ndërronte taborët, për shkak të marrëveshjeve më të mira për luftë. Emri i tij kujtohet me rëndësi, edhe në historinë mesjetare të Zvicrës.

Por, pse këta ‘pronarët’ e veteranëve fals, e krijuan këtë situatë mashtrimi?

Vetë ajo situatë, falsifikimi i listave, nxiti një debat të madh e të gjerë shoqëror, që ende vazhdon me akuza për ata, që e bën atë supermashtrim. Të gjithë e dimë, dhe madje ka edhe një proces gjyqësor, që nuk pritet thuaja nga askush lista e pastruar, ta kalojë numrin e veteranëve prej 20 mijë vetave, përfshirë veteranët që i la jashtë Thaçi në deklarimet e 1999-ës e më pas, ata që ishin pjesë e UÇK-së nën kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes, përfshirë strukturën e Ministrisë; veteranët e luftës në Maqedoni, dhe veteranët e luftës në Kosovën Lindore;

Pra, askush nuk mund ta bëjë fajtorë deri në atë shkallë, sa jo më të kërkoj dorëheqje, por as për ta shënjestruar e goditur, për shkak se ministri aktual, në kohën kur ka deklaruar nuk ka qenë ministër, dhe ka thënë dy të vërteta, që janë taksative dhe kryesoret në gjithë deklarimin e tij, dhe se shpotia, ironia që e thotë në pjesën e tretë, duke ia kundërvënë një situatë hipotetike, ku njerëzit nxiten për veprimet më të vogla në luftë të kërkojnë kompensim, ka një grim moral, por edhe pezëm ndaj sjelljes së atillë, të pashembullt në historinë tonë, të falsifikatorëve të numrit të veteranëve.

Është çështje tjetër se si qeverisë ai me këtë ministri, që për mendimin tim, i mungon përvoja dhe eksperienca e mjaftueshme profesionale.

Megjithatë Ministria e Financave, nuk është projektuese e zhvillimit financiar tek ne, pasi ne nuk kemi një valutë tonën, dhe vendimet përkatëse kryesisht i merr BQK-ja, në lidhje me normat e interesit dhe çështje të tjera financiare.

Prandaj, përveç vërshimit të kërkesave në facebook dhe në mediat e kontrolluara, nga ‘pronarët e veteranëve fals’, doli edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PDK, eksponent i drejtpërdrejtë i Hashim Thaçit, që kërkoi dorëheqjen e Muratit, në emër të “prishjes së moralit”.

“Ne e shohim që këtu tashmë ka një agjendë, ju e dini që kemi pasur një debat shumë të ashpër për mos përfshirjen e veteranëve të UÇK-së pra pensionin e tyre me mos kategorizimin me pagën minimale në Republikën e Kosovës. Duket që këtu kemi një agjendë të ministrit Murati që ka një kundërshtim të madh ndaj kësaj kategorie jashtëzakonisht të ndjeshme… Mendojmë që kryeministri nuk ka alternativë tjetër veçse largimin e tij nga ky pozicion, besojmë shumë që e çliron edhe veten e vet, sepse në krye të kuletës së shtetit ka vendosur një njëri të papërgjegjshëm dhe të paaftë”, ka thënë Tahiri.

Abelard Tahiri po mendon se ende jemi në luftë, virtualisht, dhe se tash komisarët politik, për rend dhe moral, duhet të kërkojnë ndëshkim, dhe kur këta atë e kërkojnë, ‘objekti duhet eliminuar’!

Ja mesazhet e Tahirit prej “Komisari politik”:

1. Agjenda (në Shqipëri, cilësohej jugosllave... mbi të cilën pastaj persekutoheshin shqiptarët e ikur atje dhe të tjerë)

2. Kundërshtar i veteranëve (pra luftës... me këtë akuzë vriteshin mbështetësit e Rugovës dhe LDK-së)

3. Papërgjegjshmëri

4. Kërcënim dhe presion (“kryeministri nuk ka alternativë”).

Janë të njëjtat elemente, veçse të zbutura për shkak të kohës, në mënyrën se si i përdornin ‘mjetet’, mediat dhe propagandën, ish-udhëheqësit e UÇK-së, të Shtabit që ndodhej në Tiranë, në hotelin “Rogner”. Në emër të të cilave ndodhën vrasje, torturime, jo vetëm në luftë, por shumë më shumë në paqe.

Pra, këto mesazhe që janë vetëm në këtë tekst, janë të përmbledhura edhe si reagime të ‘ushtrisë’ së Faceobook-ut që ka krimi i organizuar, i strukturuar dhe rekrutuar nga agjentët e SHIK-ut, dikur, por që nuk e kanë shuar organizimin.

Por, edhe ‘autokritika’ e ‘pendimit’ e Muratit, e bërë sot në fb, se ka gabuar me postimin e para disa viteve, nuk do ta shpëtojë nga shenjëstrimi i grupit të organizuar kriminal në Kosovë, përveç nëse ky ka vendosur apo do të zgjedhë t’ju shërbejë atyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat