Arrestohet pas 9 muajsh Lundrim Beqiri, i dyshuari kryesor për vrasjen e 25-vjeçarit në Mitrovicë

Aktuale

Arrestohet pas 9 muajsh Lundrim Beqiri, i dyshuari kryesor për vrasjen e 25-vjeçarit në Mitrovicë

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 08:22
Lundrim Beqiri

Pas nëntë muajsh në arrati, Lundrim Beqiri, i shpallur në kërkim për vrasjen e 25-vjeçarit Albert Muja, më 30 tetor 2021 në Mitrovicë tashmë ka rënë në prangat e Policisë.

Burimet kanë bërë të ditur se 22-vjeçari Lundrim Beqiri, është arrestuar nga Policia dhe pas ndalimit, ndaj tij pritet të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Ai u shpall në kërkim më 1 dhjetor 2021 dhe për muaj të tërë Policia s’rriti të bie në gjurmët e tij.

Përveç Lundrimit, për këtë rast dyshohet edhe shoku i tij, Ardit Zymberi, i cili u dorëzua te organet e rendit, disa ditë pas ngjarjes.

Si ndodhi kjo ngjarje e rëndë?

Mesnata e 30 tetorit ishte tragjike për 25-vjeçarin, Albert Muja. Ai humbi jetën pasi nuk mundi t’u bëjë ballë  plagëve që mori nga therja me thikë.

Gjithçka i parapriu një zënke që kishin mes vete viktima dhe dy të dyshuarit, Lundrim Beqiri dhe Ardit Zymberi.

Pas sulmit me thikë, Alberti përfundoi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku nuk arriti të mbijetojë dhe humbi jetën.

Trupi i tij u dërgua në IML për obduksion, ndërsa po atë ditë iu dha lamtumira e fundit në varrezat e Shipolit, në Mitrovicë.

Kush është Lundrim Beqiri?

Lundrim Beqiri është vëllai i Valdrin Beqirit, i cili ishte arrestuar para 5 vitesh, për vrasjen me kallashnikov të studentit 21-vjeçar, Valon Sadikut, në rrugën “UÇK”, afër gjimnazit “Frang Bardhi”, në Mitrovicë.

Lundrimi i cili ishte në kërkim të Policisë së Kosovës, si i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, ka qenë edhe më parë i arrestuar nga Policia e Kosovës.

Ai ishte arrestuar në vitin 2018 për armëmbajtje pa leje, në afërsi të objektit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Ngjarja kishte ndodhur në kohën kur po mbahej gjykimi për vëllain e tij, për vrasjen te gjimnazi i Mitrovicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat