Hoti: Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët

Aktuale

Hoti: Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët

Më: 12 korrik 2022 Në ora: 19:18
Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, vlerëson se Qeveria nuk ka bërë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët, duke listuar edhe të dhënat se si janë rritur çmimet në krahasim me vitin e kaluar.

Me anë të një postimi në Facebook, ai u shpreh se çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, dhe se për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe.

Përveç kësaj, Hoti theksoi se për çdo litër të naftës Qeveria mbledh 61 centë dhe se sikur të pezullonte akcizën në naftë, sot çmimi i naftës do të bëhej 1.39 euro për litër.

“Nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8%, nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale” shkroi mes tjerash ai në postimin e tij në Facebook.

Shkrimi në Facebook.

Çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Por, për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe:

- Vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%),

- Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%),

- Gazi (39,3%),

- Buka dhe drithërat (27,7%),

- Qumështi, djathi dhe vezët (22,3%),

- Mishi (19,6%),

- Sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (19,0%),

- Prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (12,8%),

- Perimet (6,8%),

- Lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (33,6%),

Sot, 12 korrik 2022, çmimi i naftës është caktuar 1.75 euro për litër. Për çdo litër të naftës, qeveria mbledh 61 centë. Sikur Qeveria të pezullonte akcizën në naftë, sot çmimi i naftës do të bëhej 1.39 euro për litër.

Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët.

Nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8%, nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat