Kurti uron popullin francez për festën kombëtare: 14 korriku, datë e rëndësishme në historinë e njerëzimit

Aktuale

Kurti uron popullin francez për festën kombëtare: 14 korriku, datë e rëndësishme në historinë e njerëzimit

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 10:21
Albin Kurti dhe Emmanuel Macron

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka uruar popullin francez me rastin e festës kombëtare.

Kurti, në veçanti ka folur për 14 korrikun duke vlerësuar se është një nga datat më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, njofton Klankosova.tv.

“14 korriku është një nga datat më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, edhe pse është festa kombëtare e Francës. Sepse 14 korriku i vitit 1789 u bë më shumë si një referencë e ndërgjegjes humane e qytetare. Nën numrin e kësaj date revolucionare paraqitej në tërësinë e Evropës dhe botës, masa më e madhe evolucionit historik që do të shpinte në përputhjen e së drejtës politike dhe së drejtës shoqërore”.

“Sepse, për kombe dhe popuj të asaj kohe, kjo datë dhe ngjarja që ajo shënjon u paraqitën si një limit që duhej mbërritur tashmë, si një detyrë e paanashkalueshme, pavarësisht konservatorizmave të regjimeve e shoqërive, ndalimeve në konceptimin e sovraniteteve dhe drejtësisë, gjendjeve gjeopolitike në të cilat mbaheshin të ngulfatura fuqitë e kohës. Për atë datë dhe ngjarjen e saj kishin punuar të paktën dy shekuj francezë, që prej Descartesit deri tek Iluministët”.

Mes tjerash, Kurti thotë se në shoqërinë tonë ne jemi të mangët në demokraci e Republikë, andaj pa ngjarje të kësaj përmase nuk mund të evidentohet nëse njerëzimi është një proces në ecje prapa.

“Në shoqërinë tonë ne jemi të mangët në demokraci e Republikë. Andaj i referohemi gjithnjë datave me domethënien më të madhe. Arsimi ynë duhet të bëjë të pamundurën për ta lexuar semantikën e datave të tilla. Data të tilla duhen parë si ngjarje, si çastet kur ka ngjarë themelimi i njeriut si komunitet i të drejtave. Pa ngjarje të kësaj përmase nuk mund të evidentohet nëse njerëzimi është një proces në ecje prapa, në ngecje, apo ecje përpara, në përparim”.

“Mendësia e francezëve në këtë datë e gjeti edhe orientimin e saj kombëtar, por edhe universal. Në një farë mënyre, me hartimin e të drejtave të njeriut, me hamendësimin e universalitetit të tyre, çdo francezi i delegohej puna që në kombin e vet t’i mendonte të drejtat e njeriut të zbatueshme në tërë botën. Ai kishte të drejtën ta shihte kombin e vet si eksperimentues të të drejtave të njerëzimit në tërësi. Ja dhe ku vendosej pika orientuese e barazisë, një nga çështjet thelbësore që gjatë veprimtarisë politike unë vetë, e bashkë me mua subjekti politik ku bëj pjesë, e kemi përdorur si një direktivë orientimi dhe veprimi” ka shkruar Kurti në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat