Fitore Pacolli i kërkon Qeverisë e Kuvendit të marrin masa ndaj mediave

Aktuale

Fitore Pacolli i kërkon Qeverisë e Kuvendit të marrin masa ndaj mediave

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 14:48
Fitore Pacolli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që ka pushtetin absolut sot në Kosovë, Fitore Pacolli, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës ka bërë thirrje qe Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa ndaj mediave në Kosovë, meqë sipas saj, në raportin e Parlamentit Evropian thuhet që “kohëve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media”.

Siç pretendon Pacolli në fjalën e saj në Kuvend, ky raport thotë se përmes investimeve të tilla private është rritur edhe mundësia e ndikimit në disa mediume kryesore në vend dhe në ato online.

Teksa ka përmendur si burim të fjalëve të saj këtë raport të Parlamentit Evropian, Pacolli ka kërkuar vëmendjen e Kuvendit dhe të Qeverisë për të marrë masa dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave si dhe indetifikimin e pronësisë së mediave në Kosovë.

“Viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online, të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe për shantazh politik. Pra këtu kërkojmë vemdnjen e Kuvendit dhe qeverisë që të marrim masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, transparencën si dhe me indentifikimin e pronësisë së mediumeve”, ka thënë Pacolli në Kuvendin e Kosovës teksa ka folur për raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat