​Pushteti s’miraton Projektligjin të iniciuar nga LDK-ja, Konjufca mbyll seancën me një shaka

Aktuale

​Pushteti s’miraton Projektligjin të iniciuar nga LDK-ja, Konjufca mbyll seancën me një shaka

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 08:07 Përditësuar në ora: 17:27 më 29.07.2022
Kuvendi i Kosovës

​Kuvendi s’miraton Projektligjin për shëndetësinë të iniciuar nga LDK-ja

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar Projektligjin për shëndetësinë të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Vetëm 17 deputetë opozitarë votuan pro këtij projektligji, ndërsa 40 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, derisa katër prej tyre, abstenuan, në mesin e të cilëve sërish ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Pas kësaj pike, Kuvendi mbylli punimet e seancës plenare, pasi partitë opozitare lëshuan sallën.

Kryeparlamenari Konjufca duke iu drejtuar opozitës bëri një shaka.

Konjfuca: Kjo i bie sikur duke luajtur me e marrë topin me vete Armend

“Kjo i bie sikur duke luajtur me marrë topin me vete, Armend”, tha ai.

Seanca e njëjtë do të vazhdojë javën e ardhshme.

​Pushteti nuk mbështet Projektligjin për shëndetësinë të iniciuar nga opozita

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet Projektligjin për shëndetësinë të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi i njëjti, sipas pushtetit është afër finalizimit nga Ministria e Shëndetësisë.

Në seancën e sotme të Kuvendit, u debatua edhe për rolin e deputetit në inicimin e ligjeve për miratim në Kuvend. Deputetët opozitarë, kritikuan mazhorancën për arrogancë të numrave dhe cenim të demokracisë dhe mandat të lirë të të zgjedhurve të popullit.

Iniciuesi i projektligjit, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se i njëjti ka për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Zemaj: Qëllimi i këtij projektligji ka të bëjë me rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore

“Qëllimi i këtij projektligji ka të bëjë me rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, unifikimin e sistemit shëndetësor dhe deri te favorizimi i të arriturave shkencore njerëzore që siguron qëndrueshmëri të sistemit dhe profesionistëve shëndetësor. Prandaj ky ligj është hartuar që të jetë lehtë i zbatueshëm në dobi të qytetarëve tanë”, tha ai.

Mirëpo, deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, shprehu kundërshtimin ndaj këtij projektligji, pasi tha se i njëjti është në agjendën legjislative të Qeverisë Kurti.

Ajo kritikoi edhe partitë opozitare, pasi sipas saj, ato kanë pasur rastin të miratojnë projektligjin sa kanë qenë në pushtet, mirëpo nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Kollçaku: Ligji për shëndetësi tashmë është në përfundim në Ministrinë e Shëndetësisë

“Ligji për shëndetësi tashmë është në përfundim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës. Është e qartë që qeveritë e mëhershëm kanë pasur rastin, sidomos propozuesi që të procedojë në Kuvend të njëjtën, por nuk ka ndodhur. Kjo nuk është e pritshme që një qeveri e re të vazhdojë me politika të vjetra”, tha ajo.

Kjo qasje, sipas deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, është cenim i demokracisë dhe mandatit të lirë të deputetit për iniciativa ligjore.

Selmanaj: Kjo shumicë parlamentare po dëshiron të tregojë arrogancën e numrave

“Kjo shumicë parlamentare po dëshiron të tregojë arrogancën e numrave. Mund ta bëni këtë, keni vota. Por unë mendoj se kjo nuk është demokratike fare. Nëse nuk keni vërejtje me përmbajtjen e projektligjeve dhe dilni lexoni pamflete politike të një dikasteri tjetër, unë iu them se po e mbytni demokracinë dhe mandatin e lirë të deputetit për iniciativa ligjore”, tha ai.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila tha se e drejta ligjore për të iniciuar ligje nuk guxon t’i merret deputetëve.

Hoxha: E drejta ligjore nuk guxon t’i merret deputetëve

“E drejta ligjore nuk guxon t’i merret deputetëve, pa dallim partie apo grupi parlamentar. Andaj, mendoj njësojë se çdo nismë ligjore që ka qenë e pa përkrahur nga mazhoranca, nuk është e ndershme”, shtoi ajo.

Përkrahje këtij projektligji i ofroi deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj. Në një moment ai kritikoi edhe kolegët e tij deputetë për zhurmat e shumta në seancë plenare.

Dreshaj: Ju kisha lutur që t’më dëgjoni ose po e ndërprejmë

“Ju kisha lutur që të dëgjoni ose po e ndërpremë. Nëse jo po e lëmë muhabetin krejt. Nënkryetarja ose krijoni kushtet ose po e ndërpremë. Është kulturë themelore kur flet dikush me dëgju tjetrin”, tha ai.

Fjalën e mori edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili tha se ky projektligj është afër finalizimit dhe se shumë shpejt do të sillet në Kuvend.

Latifi: Jemi afër finalizimit të Projektligjit për shëndetësi

“Ligji për shëndetësi është ndër prioritetet më të mëdha, sikurse edhe ajo që diskutuam në mëngjes. Ky ligj është tashmë në finalizim dhe sipas planit tonë të dy këto ligje do të jetë të adresuara deri më 30 shtator, por ne do ta bëjmë shumë më herët sepse kemi bërë avancime të shkëlqyeshme”, tha ai.

Deputetët po vazhdojnë diskutimet lidhur me këtë projektligj.

“Dy persona votuan përmes telefonit”, sërish përplasje për rekomandimin e Rekës për konsull në Nju Jork

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj e ka kritikuar partinë në pushtet duke thënë se e kanë bërë në mënyrë të jashtëligjshme rekomandimin e Blerim Rekës për konsull të përgjithshëm në Nju Jork.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kadrijaj ka thënë se rekomandimi është bërë me mos prezencën e dy deputetëve në sallën ku është mbajtur komisioni.

Kadrijaj: Rekomandimi për konsull të Nju Jorkut është bërë në mënyrë të jashtëligjshme

“E kom ngrit një çështje dhe një shqetësim për zgjedhjen e konsullit të përgjithshëm në Nju Jork, me mos prezencën e deputetëve në sallën ku është mbajtur mbledhja e komisionit dheu në pres një reflektim se ai vendim duhet të bjerë poshtë dhe të thirret mbledhja tjetër e komisionit sepse prej shtëpisë nuk mundet askush mos me dhëne një verdikt”, ka thënë Kadrijaj.

Për këtë është përgjigjur kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, sipas së cilit çdo gjë është bërë sipas praktikave të funksionimit të komisionit.

Abazi: Shefi i misionit në Nju Jork është rekomanduar sipas praktikave të funksionimit të komisionit

“Në komision sipas praktikes së komisionit, shefi i misionit në Nju Jork është intervistuar në prani të deputetëve të pozitës dhe opozitës, me një përjashtim të zonjës Adelina Grainca e cila ka lindur dy binjak, dhe ka qenë e pamundur të jetë fizikisht prezent në takim por është paraqitur nëpërmjet lidhjes online e cila po ashtu ka votuar për shefin e misionit dhe kjo e gjitha është rakorduar sipas praktikave të funksionimit të komisionit. Konsideroj që do të ishte mirë që zonja Kadrijaj të mbetej pjesë e komisionit po ajo me vullnetin e saj e ka lëshuar takimin atë ditë dhe nuk ka qenë pjese komisionit. Rrjedhimisht sulmi mbi punën e komisionit atë ditë është i paqëndrueshëm dhe nuk ka asnjë bazë”, ka thënë Abazi.

Pas kësaj, Kadrijaj ka kërkuar sqarim edhe nga kryetari i Kuvendit lidhur me këtë çështje.

Kadrijaj: Cila rregullore e Kuvendit u mundëson deputetëve të votojnë nga shtëpia

“E kam kërkuar prej ju kryetar i komisionit, nuk është në pyetje vetëm Adelina, nuk a lidhje emri i kujt është por dy persona kanë votuar përmes telefonit, a kemi të drejtë, a ka ndonjë rregullore që munden me qenë në shtëpi ose kudo nëpër pushime edhe me i thirrë deputet me telefon me thënë a e konfirmon. Po kërkoj një interpretim prej juve kryetar i Kuvendit, a keni një mendim si kryesi e Kuvendit që mundemi me bë kështu, atëherë po i bëjmë këto praktika edhe në kuvend, apo është një praktikë që zotëri Abazi e ka shpikë vet dhe është kundër rregullores së Kuvendit dhe kundër ligjeve”, ka thënë ajo.

​Nuk kalon projektligji për çmimin e barnave i propozuar nga PDK

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. 19 deputetë kanë votuar për, 42 kundër dhe dy kanë abstenuar, në mesin e tyre edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Arsyetimi i deputetëve të shumicës parlamentare ka qenë që një projektligj i tillë por i përgatitur nga Qeveria e Kosovës do të vijë në Kuvend në vjeshtën e këtij viti.

Ndërsa nga opozita është kërkuar që një nismë e tillë të miratohet meqë sipas tyre do të ndalte abuzimet në tregun e barnave.

Zejnullahu: Projektligji për rregullimin e çmimit të barnave i nevojshëm

Qeveria në plan legjislativ e ka pasur projektligjin për barna edhe vitin kaluar por nuk ka ardhur kjo qeveri në plan legjislativ për vitin 2021 i kishte paraparë gjithsej 186 projektligje të cilat as për së afërmi nuk janë arritur të realizohen. Prandaj unë sot pres prej juve reflektim, prej kolegëve, përtej petkut politik që t’i japim dritën e gjelbër këtij projektligji që ne e kemi iniciuar që rregullon çmimet e barnave. Një projektligj i tillë është shumë i nevojshëm përballë gjendjes ekonomike në vend e cila është më se e rënduar nga inflacioni, nga rënia ekonomike, nga rritje e jashtëzakonshme e çmimeve”, ka thënë deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu derisa ka kërkuar miratimin e kësaj nisme.

Sipas PDK-së, ky ligj gjithashtu do të ndihmonte ekonomitë familjare të përballojnë rritjen e çmimeve.

Seanca plenare do të vazhdojë në orën 15:00 me pikat e tjera të rendit të ditës.

Përplasja verbale Tahiri – Muzaqi, shkak Projektligji për rregullimin e çmimeve të barnave

Projektligji për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale ka përplasur deputetë të pozitës dhe opozitës.

Abelard Tahiri i PDK-së, tha se kjo iniciativë e propozuar nga kjo parti (PDK), është në të mirën e ‘xhepit të qytetarëve’.

Por, ai replikoi me Besim Muzaqin e Vetëvendosjes, i cili tha se në këtë formë siç është sjell Projektligji, nuk duhet të kalojë.

Në fjalën e tij, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se qytetarëve u duhet një Projektligj i tillë, pasi tha se abuzimet me çmime të barnave kanë qenë të mëdhaja.

Kjo iniciativë të votohet, të shkohet përpara. Për ne në fund të ditës, është shumë ma lehtë me nejtë edhe me kritiku e mos me dhanë alternative, por e kemi marrë mundin me ekspertët që kemi me e draftu një ligj që ndikon direkt në xhepin e qytetarëve. E kuptojmë që edhe angazhimi i lobeve të ndryshme ka qenë i madh. Abuzimet kanë qenë shumë të mëdhaja. Zoti Besim Muzaqi ka konflikt interesi kur del na tregon se ka mafi farmaceutike. Ai ka shitë barna, tha deri në 2017 ka shitë, tha jo prej se kam hi në politikë, e kam lanë, po mirë de dil thuaj, kush janë abuzuesit në këtë industri”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Por replikë pati sërish deputeti i VV-së, Besim Muzaqi. A tregoi për punën që ka bërë para se të bëhej deputet.  

Tha se Besimi ka shitë barna, është farmacist dhe asnjë farmacist nuk shet barna, por shërben pacientët, ky është shërbim që me nder e kam bë për 10 vite. Kam përgjegjësi të lartë e mbroj punën që kam bërë edhe atë të kolegëve. Për çështjen e çfarëdo lidhje apo konflikt interesi, jemi të hapur dhe kjo s’na bën sikur ju. Sigurisht që keni presion të madh nga sponzorizuesit e këtij Projektligji, që kanë interesa të larta që të kalojë kështu siç e keni sjell.

Fjalën sërish e mori deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri. Tha se për 100 vite, VV-ja nuk mund t’i kryejnë punën që ka bërë PDK-ja.

Unë e thash atë që tha vet parafolësi. Muzaqi tha se deri në 2017 e kam bë këtë punë. Nuk thash kurrgjë çka s’tha ky. Të njëjtën gjë e konfirmoi vet. Edhe 100 vjet me ua dhënë zoti ymër, ju si na nuk mundeni me u bë kurrë. Harrojë këtë punë”, tha Tahiri.

​Musliu: Magjistralja Podujevë-Prishtinë është bërë rrugë e vdekjes

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas humbjes së jetës të dy mërgimtarëve në aksident trafiku në magjistralen Podujevë-Prishtinë.

Në Kuvendin e Kosovës, ajo tha se kjo magjistrale është bërë rrugë e vdekjes, prandaj ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu duhet të dalë në teren dhe të sinjalizojë urgjentisht këtë rrugë

Musliu: Magjistralja Podujevë-Prishtinë është bërë rrugë e vdekjes

“Apeloj ministrin Liburn Aliu dhe të gjithë stafin që të dalin në teren dhe të sinjalizojë urgjentisht rrugën Podujevë-Prishtinë, e cila është bërë rrugë e vdekjes. Sot kur po flasim ne i kemi humbur dy mërgimtarë tanë në atë rrugë, vetëm në mungesë të sinjalizimit të rrugëve. Është e dhimbshme, është tragjike që qytetarët tanë të kalojnë mijëra kilometra për t’i kaluar pushimet dhe të humbin jetën në aksin rrugor Podujevë-Prishtinë, pak kilometra para se të mbërrijnë në familjet e tyre”, theksoi ajo.

Ngushëllime familjarëve të dy viktimave iu shprehu edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Konjufca: Ky aksident ishte tronditës dhe tragjik

I bashkohem edhe ne ngushëllimeve për familjen që i humbi më të dashurit në këtë aksident të trafikut. Ishte tronditëse dhe tragjike”, tha ai.

​Rregullimi i çmimit të produkteve medicinale, debat e akuza në mes të pozitës dhe opozitës

Deputetët e shumicës në Kuvendin e Kosovës nuk e kanë mbështetur projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se qeveria ka punuar për hartimin e projektligjin që rregullon çmimet e barnave dhe të njëjtin do ta sjell në Kuvend gjatë sesionit vjeshtor.

Partia Demokratike e Kosovës, si propozuese e këtij projektligji ka kërkuar nga deputetët që të përkrahin këtë nismë meqë sipas tyre do të ndalonte abuzimet në këtë sektor.

Zejnullahu: Arbën Vitinë e keni punësuar të oligarkët, e keni shitur heroin e pandemisë

“Ky projektligj është për t’i ndalur abuzimet dhe keqpërdorimet në sektorin e farmacisë, dhe tregtinë me barnat, më vjen shumë keq kur vërejtjet për këtë projektligj vijnë prej punonjësve të kompanive farmaceutike dhe kjo e sqaron më mirë pse Vetëvendosje është kundër këtij projektligji. Por mbrojtja më e mirë është sulmi çdo herë. Ja përkujtoj që asnjë lloj lidhje me oligarkët nuk e kam, Arben Vitinë e keni punësuar tek oligarkët, ju e keni shitë heroin e pandemisë, ju jeni të shitur të oligarkët. Në kohën kur njerëzit po vdesin për barna ju po e dëshmoni që nuk jeni për t’i ndihmuar njerëzit, ju jeni të lidhur me kompanitë farmaceutike edhe kjo ju shtyn të pengoni shqyrtimin e këtij projektligji dhe miratimin e këtij projektligji”, ka thënë deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu.

Sipas PDK-së, sfera e rregullimit të barnave dhe pajisjeve medicinale është prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë e Kosovës për të ndalur abuzime me blerjen e barnave me çmime shumë më shtrenjtë se çmimet e tregut.

Sipas tyre, qytetaret e Kosovë blejnë barna më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e rajonit andaj një rregullim i cimeve me ligj është i nevojshëm sa më parë.

Por, sipas ministrit të shëndetësisë, një projektligj i tillë i hartuar nga qeveria do të sjelle në Kuvend në vjeshtë.

Latifi: Qeveria do të sjell në sesionin vjeshtor projektligjin për barnat

“Ju keni me pas shansin të na ndihmoni më shumë me këto për shkak se Ministria e Shëndetësisë sipas programit legjislativ qeveritar për vitin 2022 i ka këto dy, edhe ligjin tjetër që kemi për të diskutuar pak më vonë, në fazën e fundit, në realitet projektligji për barnat ka mbaruar, është i kryer, është jashtëzakonisht i mirë dhe ju keni me pas shansin të shtoni diçka, me heq diçka, por sigurisht do ta keni shansin ta bëjmë ligjin më të mirë. Po pajtohem me të gjithë juve që ne duhet të kemi ligj, sepse vetëm Bjellorusia dhe ne nuk kemi ligje për këtë, këtë do ta bëjmë dhe do ta realizojmë në seancën vjeshtore të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.

Ndërsa për projektligjin e propozuar nga PDK është shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ku sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj kjo çështje duhet të marrë epilog sa më shpejtë në mënyrë që sipas tij të mbrohen qytetaret.

Zemaj: LDK e përkrah projektligjin për çmimet e barnave

“Kjo çështje duhet të marrë një verdikt sa më shpejtë në mbrojtje të qytetarit dhe të pacientit tonë. Neve e përkrahin si të tillë dhe do ta japim kontributin nëse e merr votën, që do të duhej ta merrte, janë edhe dy muaj të tjerë që të gjithë ata të cilët e kanë qëllimin që të ndihmojnë qytetarët mund të japin propozime, mund të japin ide, mund ta ndryshojnë në masë të madhe të konsiderueshme ligjin e propozuar dhe të mos shkojmë duke e shtyrë në tërësi”, ka thënë Zemaj.

Miratim në parim të projektligjit të propozuar nga PDK ka kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë që shumica duhet të përkrah këtë nismë në të kundërtën sipas tij rrezikohet që Kuvendi të ketë bllokadë.

Tahiri: Vetëvendosje të miratojë nismën legjislative të Partisë Demokratike

“Është një iniciativë e cila duhet me u pa përtej një gjykimi të ngushtë të cilin e ka qeveria dhe shumica në këtë kohë. Nëse e shihni kështu ngushtë do të vijmë në një pozitë ku secilën temë, secilin ligj do ta shohim ngushtë, dhe mendoj që kjo e çon në një bllokadë Kuvendin e Kosovës për këtë arsye e ftoj Vetëvendosjen të miratojë nismën legjislative të Partisë Demokratike e cila kërkon rregullim dhe shumica e neneve të parashtruara këtu janë në vijë të plotë me diskutimet që u thanë, ndërsa komentet dhe çështjet që u ngritën gjatë diskutimeve të inkorporohen në lexim të dytë, përndryshe ju them në shtator shkojmë në bllokadë për shkak se si opozitë pastaj do të kemi ne pozicionin tonë opozitar”, ka thënë Tahiri.

Komisioni funksional për Shëndetësi i ka rekomanduar Kuvendit që të mos e miratojë në parim këtë projektligj me arsyetimin se qeveria tashëm e ka në strategjinë legjislative një projektligj të tillë.

Çështja e rregullimit të çmimit të barnave është përcjellë me debat në seancën e së enjtes ku partia në pushtet ka kritikuar qeveritë e kaluara pse nuk e kanë rregulluar një gjë të tillë për 20 vjet.

Muzaqi: Opozita nuk e ka për qëllim rregullimin e çmimit të barnave

“Pse nuk e rregulluat për dy dekada çështjen e çmimit të barnave dhe pajisjeve dhe produkteve medicinale. Pranojeni që nuk e kishit qëllim, as tash nuk e keni qëllim rregullimin çmimeve të barnave për qytetarët dhe në interes të qytetarëve por keni qëllim përshtatjen e tyre për interesa të kompanive dhe zinxhirëve ku ju keni hise. Nëse vërtetë doni të reflektoni e t’i shërbeni vendit me diçka produktive atëherë propozoni diçka që ne nuk e kemi në agjendë, kështu bëheni edhe kreativ edhe konstruktiv”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes, Besim Muzaqi.

E për këtë ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Haxhius: Me Thaçin ua sollëm pavarësinë, me Ramushin dhe Kadrinë ushtrinë, projektligjet bëni ju

“E tha kolegu pse nuk e keni bërë më herët për 20 vjet, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ua kemi sjellë lirinë, me Hashim Thaçin e ke shpallë pavarësinë, me Ramushin e Kadrinë e kemi bërë ushtrinë, nuk kemi mundur bre t’ua kryejmë të gjitha, më besoni, ju kemi lënë diçka edhe juve, këto ligje të paktën bëni ju”, ka thënë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Kjo deklaratë është përcjellë me të qeshura për të cilën ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Konjufca-Haxhiut: Më vjen keq që keni qenë të zënë

Po më vjen keq Kamish që keni qenë kaq të zënë”, ka thënë Konjufca.

Diskutimet në lidhje me këtë projektligj janë duke vazhduar në seancën e Kuvendit të Kosovës. 

Pozita e opozita të ndara rreth Projektligjit për rregullimin e çmimeve të barnave

Shqyrtimi i Projektligjit për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale ka përplasur pushtetin me opozitën në seancën e Kuvendit.

Deputetja Floretë Zejnullahu e PDK-së, si parti iniciuese e projektligjit ka thënë se Qeveria s’i ka marrë parasysh propozimet e kësaj partie opozitare.

Ky projektligj ka për qëllim rregullimin e çmimeve dhe ndaljen e abuzimeve me to nga kompanitë farmaceutike. Projektligji përcakton çmimin fiks për shitje të produkteve me shumicë dhe pakicë”, tha ajo.

Sipas saj, Qeveria s’i ka marrë parasysh propozimet e tyre, vetëm pse projektligji ka ardhur nga një parti opozitare.

Qeveria e ka lënë qytetarin pa remdesivir në pikun e pandemisë dhe qytetarët kanë shpenzuar një milion euro në blerjen e këtij bari. Ky projektligj ka për qëllim rregullimin e çmimeve dhe ndaljen e abuzimeve me to nga kompanitë farmaceutike. Projektligji përcakton çmimin fiks për shitje të produkteve me shumicë dhe pakicë”, ka thënë ajo.

Ka reaguar deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi, i cili deklaroi se është PDK-ja ajo e cila e ka bërë të kundërtën, pra duke çrregulluar tregun e barnave.

Pse nuk e keni sjellë në Kuvend këtë projektligj për 20 vjet? Pranojeni që nuk e kishit qëllim e as tash nuk e keni qëllim, por keni interes për përshtatjen e çmimeve me kompanitë ku ju keni hise. Mos krijoni iluzione të shtyni agjenda tuajat në kundërshtim me interesin e qytetarëve në Qeverinë e Albin Kurtit. Nuk do të lëshohem në përmbajtje sepse aty ka gabime elementare. LVV-ja ka qenë gjithmonë e zëshme për ta rregulluar këtë çështje, por jo si ju”, ka thënë Muzaqi.

Në përgjigjen ndaj Muzaqit, deputetja Zejnullahu ka thënë se ligji është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian e se “është për t’i ndalur abuzimet në sektorin e farmacisë”.

Teksa ka mohuar lidhjet me oligarkët, ajo ka akuzuar VV-në se “është e shitur te ta”.

“Ju jeni të lidhur me kompanitë farmaceutike. Kjo ju shtyn me e pengu këtë ligj”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ish-ministër i Shëndetësisë, ka thënë se kjo fushë duhet të rregullohet me ligj me domosdoshmëri.

Në mandatin e deputetëve është edhe hartimi i ligjeve edhe ky ligj është hartuar dhe ka shkuar ne Qeveri për mendim. Por, nuk duhet të akuzohet se është bërë ligj i keq sepse deputetët këtë punë kanë të bëjnë ligje dhe nëse nuk janë të mira e kemi mundësinë e përmirësimit të tyre. Ne e përkrahim këtë projektligj”, ka thënë ai.

Ministri i Shëndetësisë: E e përkrahim këtë projektligj

Fillimisht ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, deklaroi se e çmon përpjekjen e opozitës për të ndihmuar këtë dikaster.

Ai tha se në mandatin e deputetëve është edhe hartimi i ligjeve edhe ky ligj është hartuar dhe ka shkuar ne Qeveri për mendim.

Por, nuk duhet të akuzohet se është bërë ligj i keq sepse deputetët këtë punë kanë të bëjnë ligje dhe nëse nuk janë të mira e kemi mundësinë e përmirësimit të tyre. Ne e përkrahim këtë projektligj”, deklaroi ministri Latifi, sipas së cilit, opozita mund ta ndihmojë Ministrinë e Shëndetësisë, pasi të përfundojë projektligji nga ministria.

Të gjithë deputetët e Kuvendit që po diskutojnë për këtë çështje po pajtohen se çmimi i ilaçeve duhet të rregullohet me ligj dhe se një gjë e tillë është e vonuar.

Kadrijaj – LVV-së: E keni vra pafajësinë kur erdhët në pushtet

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në seancën e sotme të Kuvendit ka akuzuar parinë në pushtet, duke thënë se më nuk mund ta luajnë rolin e të pafajshmit.

E keni vra pafajësinë kur keni ardh në pushtet. Mos dilni me luajt rolin e të pafajshmit, sepse jeni mbushë me mëkate”, tha deputetja Kadrijaj, duke iu drejtuar deputetëve të pozitës në Kuvend.

Ajo akuzoi koalicionin qeverisës për mos  trajtimin dhe mos miratimin e Projektligjit për rregullimin e çmimeve të barnave, Ligjin për pagat.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka vlerësuar se Projektligji për rregullimin e çmimeve të barnave është tejet jetik për qytetarët e Kosovës.

Është një prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë dhe për të ndaluar abuzimet me çmime. Me vite qytetarët paguajnë barna më shtrenjtë se qytetarët e rajonit. Në 2018 është marrë vendim që të rregullohet ky segment, më pastaj ky udhëzim administrativ është larguar për të lënë pa rregullim të barnave”, tha ajo.

E kanë edhe vendet e BE-së dhe në Kosovë kërkohet që të ketë një rregullim të çmimeve të barnave. Së bashku me ekspertë kemi punuar që ta sjellim një projektligj që rregullon çmimet e barnave”.

Zejnullahu-Vetëvendosjes: Ju jeni të shitur te oligarkët

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, ka thënë se është vetë Vetëvendosje ajo që është e shitur tek oligarkët.

Duke iu përgjigjur akuzave të VV-së, Zejnullahu tha se ish-ministrin e Shëndetësisë e kanë shitur tek oligarkët.

“Ju jeni të shitur te oligarkët, Arben Vitinë e keni shitur te oligarkët, ne nuk kemi lidhje me ta. Historia do ta dëshmojë që jo për 20 vjet por edhe 200 vjet nuk do të mbaheni mend për asgjë. Me mos votimin e këtij Projektligji do të humbin qytetarët”, tha Zejnullahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat