Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj i ka dalë në mbështetje sindikatave të cilat kanë hyrë në grevë nga e enjtja.
Sipas tij, Qeveria Kurti është e vetmja në historinë e Kosovës që haptazi neglizhon, përjashton dhe lufton sindikatat e punëtorëve.
Për Molliqajn, ky pushtet që në opozitë protestonte bashkë me sindikatat, në pushtet është bërë armiku kryesor i tyre.
“Zhvendosja ideologjike përkundër interesave të punëtorëve sjellë këso anomalie. Në krizat e njëpasnjëshme të cilat po i përjetojmë, humbësit e mëdhenj dhe të vazhdueshëm janë punëtorët e familjet e tyre. Qeveria ka rritur buxhetin, biznesi privat ka shtuar çmimet e fitimet, bankat po fitojnë miliona dividentë në kurriz të pagave të ulëta të punëtorëve”, theksoi ish-deputei.
Ai tha se greva është plotësisht legjitime edhe domosdoshmëri.
“Me rritjen e çmimit të çdo produkti, me rritjen e çmimit të rrymës, me reduktimet që do të vazhdojnë të përkeqësohen gjatë dimrit për faj të mosveprimit të qeverisë, jetesa në Kosovë është vështirësuar shumë. Punëtorët janë qytetarë të republikës. Mbi kurrizin e tyre po qëndron kriza e rritjes e çmimeve. Këta njerëz nuk kanë për borxh një qeveri që i neglizhon, i përbuzë, i shantazhon dhe kërcënon. Këta njerëz meritojnë dhe po kërkojnë të jetojnë dinjitetshëm”, përfundoi Molliqaj në një postim në Facebookun e tij.