Latifi: Veriu i Kosovës nuk është çështje targash, ja pse Serbia nuk i njeh krimet e saj në Kosovë

Aktuale

Latifi: Veriu i Kosovës nuk është çështje targash, ja pse Serbia nuk i njeh krimet e saj në Kosovë

Nga: A.ZH Më: 25 gusht 2022 Në ora: 13:07
Blerim Latifi

Profesori universitar i Filozofisë Blerim Latifi, ka thënë se veriu i Kosovës nuk është çështje targash, por betejë për një kriter, pa të cilin nuk mund të jesh shtet.

Ai ka thënë se Serbia nuk po i pranon krimet e saj në Kosovë, pasi nëse ajo do ta bënte një gjë të tillë, do ta njihte legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të humb kohë duke kërkuar që Serbia t'i pranojë krimet, por duhet të mos lejojë që e vërteta e tyre të zbehet, përcjell Bota sot.

Reagimi i tij në Facebook:

Studiuesit e shtetit debatojnë shumë mbi kriteret që e përkufizojnë shtetin modern.

Joseph S.Ney, një ndër mendimtarët politikë më të rëndësishëm amerikanë, vë theksin tek disa kritere që për të janë themelore:

- Të jesh shtet duhet të njihesh e të pranohesh si i tillë- nga shtetet tjera. Në këtë kuptim, të jesh shtet ngjason, deri diku, me anëtarësinë në një klub: duhet pranuar si i tillë nga anëtarët e tjerë.

-Tjetri kriter: ekzistenca e një qeverie në gjendje të ushtrojë kontroll de fakto mbi një territor të caktuar.

- Tjetri: populli duhet ta konsiderojë legjitime qeverinë e tij.

- Tjetri: populli që ka krijuar shtetin e tij duhet të ketë qenë historikisht i shtypur.

Kjo na shpjegon se pse Beogradi gjithë diplomacinë e tij e ka orientu në pengimin e njohjeve të reja të pavarësisë se Kosovës, përmes trazirave në veri përpiqet ta pengojë kriterin tjetër të shtetësisë së Kosovës, atë të kontrollit de fakto të qeverisë së Prishtinës në gjithë territorin e saj.

Prandaj veriu nuk është çështje targash, por betejë për një kriter, pa të cilin nuk mund të jesh shtet, në kuptimin juridik e politik të kësaj fjale. Targat janë veç njëri aspekt i dukshëm i këtij kriteri.

Ndërsa sa i përket kriterit historik, duke i mohuar krimet e kryera në Kosovë nga shteti serb, Beogradi synon të anashkalojë kriterin që i jep legjitimitet pavarësisë së Kosovës: shtypjen historike të shqiptarëve të Kosovës nga regjimet e ndryshme serbe.

Ne nervozohemi pse Serbia nuk po i pranon krimet e saj në Kosovë, por nëse ajo do ta bënte një gjë të tillë, do ta njihte legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Ne nuk duhet të humbim kohë duke kërkuar që Serbia t'i pranojë krimet, por të mos lejojmë që e vërteta e tyre të zbehet, sepse nëse ajo zbehet, atëherë zbehet edhe njëri nga argumentet themelore etiko-juridike të pavarësisë sonë.

Klausevici thotë se lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera. Edhe e kundërta është po aq e vërtetë: politika është vazhdim i luftës me mjete të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat