Rusia po mposhtet - Marshimi i fitores ukrainase / Shqiptarëve po ju buzëqesh mrekullia!

Aktuale

Rusia po mposhtet - Marshimi i fitores ukrainase / Shqiptarëve po ju buzëqesh mrekullia!

Nga: Idriz Morina Më: 11 shtator 2022 Në ora: 19:38
Pamjet ankthioze nga lufta ukrainase kundër rusëve

Një luftë heroike, që po mrekullon botën. Padashtas t’i kujton fitoret madhështore të Arbrit, paraardhësve tanë gjatë fundit të Mesjetës, kur udhëhiqeshim nga mbreti ynë Gjergj Kastrioti Skënderbeu!

Ukrainasit, sot nuk e kanë një Skënderbe madhështor në anën e tyre për të fituar çdo betejë ndaj armikut, por për dallim nga arbrit, ukrainasit, kanë thuajse të gjitha armët e kësaj bote, ndoshta më të mirat të mundshme, falë SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe vendeve të NATO-s.

Pra, ata pavarësisht që nuk kanë një prijës që i udhëheq drejtpërdrejt në luftë, dhe që është faktori kryesor që e determinon fitoren, ukrainasit e kanë madhështinë e fuqisë perëndimore, ushtarake, të informacionit dhe të gjithë infrastrukturës së nevojshme për të arritur fitore.

Nga lufta pompoze, në poshtërimin rus

Në goditjen e parë, kur Rusia dhe diktatori i saj Putini e kishin parashikuar që brenda 3-5 ditë ta nënshtronin Ukrainën, dhe me të ta merrnin edhe Kievin, për ta vendosur një qeveri kukull, dështuan.

Image
Lufta e paepur e ukrainasve

Duket se ky ishte plan i përshtatshëm strategjik edhe i Perëndimit, sepse duke tentuar një pushtim të menjëhershëm të gjithë territorit, ushtria ruse e shpërndarë në të katër anët, e pa pajisur në mënyrë moderne, pa logjistikë të mjaftueshme, dhe pa llogaritur befasitë e luftës, do të fillonte dështimin.

Ndërsa, një përpjekje e Ukrainës, që t’i ndalte në kufi forcat goditëse ruse, do të ishte fatale për vet ushtrinë e Ukrainës, që në fillim të luftës kishte më pak ushtarë, dhe shumë më pak armatim edhe për të realizuar mbrojtjen. Duke e lënë avancimin rus, deri në Kiev, të cilin Rusia u përpoq ta merrte edhe me ndihmën e parashutistëve, njësive elite, duke synuar eliminimin e qeverisë, përkatësisht të liderit ukrainas Zelenskit, ushtria ruse u dobësua nga shpërndarja e saj, ndërsa një kolonë famoze tankesh dhe të armatimit të shumëfishtë, u bllokua nga ushtria ukrainase nga sulmet e vazhdueshme, aq sa ajo u detyrua të tërhiqej, që të mos e përjetonte një shkatërrim përfundimtar!

Luftërat ukrainasit nuk i ndaluan, dhe fillimisht e detyruan ushtrinë ruse të tërhiqej nga zona e Kievit, kryeqytetit ukrainas, dhe më pas nga zonat tjera, për të siguruar shpinën nga kufiri i saj.

Por, deri në këto momente, llogaritet se ushtrisë ruse i janë shkatërruar mbi 40% të kapaciteteve ushtarake të përgjithshme, ka humbur mbi 100 miliardë dollarë nga dëmet, sipas perëndimorëve së paku 20 mijë ushtarë, por ukrainasit sot i kanë deklaruar se janë vrarë 52.650 veta personel ushtarak rusë. Dhe se ka pësuar së paku 350 miliardë dollarë humbje nga sanksionet, ndërsa ka pasur të hyra prej 160 miliardë dollarësh nga shitja e naftës dhe gazit.

Tashmë, pas rreth 200 ditësh luftë, ushtria ukrainase ka filluar betejën e vërtetë për çlirimin e rreth 20% të territorit, që po mbahet i pushtuar nga forcat ruse, dhe që kanë krijuar njëlloj vazhdimësie territoriale me kufijtë e Rusisë, dhe ku ka një mbështetje jo të vogël popullore në krahinën gjeografike të Donbasit, përkatësisht në dy rajonet politike në Luhansk dhe Donetsk, dy krahina që Kremlini po përpiqet t’i bëjë shtete të pavarura.

“Ushtria e Ukrainës thotë se forcat e saj kanë rimarrë mbi 3,000 km katrorë (1,158 milje katrore) gjatë një kundërofensive të shpejtë në Ukrainën lindore”, raporton BBC. Tre mijë km katrorë bëjnë diçka më pak se 1/3 e territorit të Kosovës, dy mijë prej të cilave të çliruara nga e premtja, kur presidenti Zelenski deklaroi, se pas ofensivës së ndërmarrë, ishin çliruar një mijë kilometra. Qytetet kyçe të cilat janë çliruar në tërësi ose ende luftohet në periferi dhe zona të caktuara janë: Kupiansk dhe Izyum, të cilat kishin rol neuralgjik për ushtrinë ruse dhe furnizimet e saj.

Sipas BBC, gjenerali Valerii Zaluzhnyi, komandanti i ushtrisë së Ukrainës, ka thënë se ukrainasit kanë përparuar në rreth 50 km (31 milje) afërsi të kufirit me Rusinë.

Image
Një ushtare ukrainase aktivizon dronin

Por, në një intervistë për Financial Times, ministri i mbrojtjes i Ukrainës Oleksii Reznikov ka shfaqur frikën për rrezikun e një kundërsulmi rus.

Sidoqoftë, duket se deri sa forcat ruse të rigrupohen, forcat Ukrainase në dhjetë ditët e ardhshme mund të arrijnë ta çlirojnë një territor sa ka afërsisht Kosova, dhe se do t’i mbeten edhe rreth pesë territore të tilla nën okupim, deri kur ato do të çlirohen përfundimisht!

Mospërdorimi i armëve bërthamore duket qartë se e ka kthyer në fuqi inferiore ushtrinë ruse, dhe se kthesë dramatike, pa ndërhyrje të fuqishme të Kinës, nuk mund të bëjë. E kjo duket që nuk është e gatshme të sakrifikojë për Rusinë!

Mësimet për shqiptarët.

Lufta që po e bën me një superfuqi Ukraina është për çdo lëvdatë, pasi e ka përballë një kundërshtar të tmerrshëm, sikur ne i kemi pasur serbët, me vrasës të çmendur, me ushtri që kryen krimet më makabre, dhe krime kundër njerëzimit, gjenocid, përfshirë dhunimin e femrave, por edhe të meshkujve. Luftëtarët tanë, se di se si ndihen sot, kur i lexojnë lajmet e tilla heroike të Ukrainës, por vetëm pak prej tyre mund të mos ndihen inferior, dhe njëkohësisht mburravec. Ushtarët tanë, shumica prej tyre dërmuese, hyn vetëm pas trupave të NATO-s, pasi ato nisën vendosjen me 12 qershor, por trupat ukrainase thuajse çdo pëllëmbë të tokës po e çlirojnë me forcat e tyre përballë një superfuqie, përveç atyre pak vullnetarëve, dhe si e thamë më lart, falë armatimit perëndimor!

Me shumë gjasë fati i humbjes së Rusisë dhe Putinit është përcaktuar. Mbetet të shihet se kur do të dorëzohet autokrati Putin, po do të shkojë drejt një marrëzie ekstreme të përdorimit të bombave bërthamore për ta fshirë turpin e vet në këtë luftë, që siç është thënë nga shumë autoritete nuk është vetëm e ukrainasve, por e të gjithë atyre shteteve, që ndihen të rrezikuara nga kërcënimi rus dhe duan ta ndalin atë!

Ushtria ruse përveç mungesave të tjera, dështoi dhe po shkon drejt humbjes, duke dëshmuar moralin e ulët të ushtarëve, të cilët sapo u jepet mundësia në luftime, ia mbathin, madje në panik dhe ankth, që dëshmon se janë aq të mëdha humbjet në njerëz.

Humbja e ushtrisë ruse, e cila nuk pritet të ndodhë para pranverës së ardhshme, prill-qershor, do t’ua mundësonte shqiptarëve, të ngjiten në një pozicion strategjik të dalluar, ku serbët të paktën më nuk mund të shantazhojnë dhe krijojnë kushte supreme!

Andaj, bashkë me shkatërrimin e ushtrisë ruse, nisin të mirat për shqiptarët, nëse do të dinë dhe të jenë të gatshëm, që realitetin e ri gjeostrategjik, ta kthejnë në interes të tyre!

Ministri i Jashtëm Ukrainas, pas këtij rezultati të shpejtë pozitiv tha, se sikur perëndimi të dërgonte më shumë armë, çlirimi i gjithë Ukrainës do të ndodhte shumë më shpejt! Të shpresojmë, që të mos marri më shumë se sa di muaj!

Humbjet e ushtrisë ruse sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës:

Humbjet totale luftarake të armikut nga 24.02 deri në 11.09 ishin afërsisht:

Rreth 52.650 ushtarë apo personel ushtarak të vrarë;

Tanke, 2154 (+18 njësi),

mjete luftarake të blinduara / APV ‒ 4.617 (+33 njësi),

sistemet e artilerisë, 1.263 (+4) njësi,

RSZV / MLRS, 311,

sisteme luftarake kundërajrore, 162,

avion, 242 copë,

helikopterë, 213

Niveli operativ-taktik UAV, 902,

raketa lundrimi, 216,

anije / varka / luftanije/ 15 copë,

automjete dhe rezervuarë karburanti, 3.445 njësi,

pajisje speciale, 117 (+1)”.

Image
Lufta e ukrainasve edhe me tankse

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat