“Afera e Hidrocentraleve”, eksperti financiar thotë se hidrocentralet nuk kanë mundur të privatizohen pasi që s’ka pasur bazë ligjore

Aktuale

“Afera e Hidrocentraleve”, eksperti financiar thotë se hidrocentralet nuk kanë mundur të privatizohen pasi që s’ka pasur bazë ligjore

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 17:44
Foto nga vendngjarja

– Eksperti financiar, Agim Sheqiri tha se 4 hidrocentralet që janë objekt i akuzës nuk kanë mundur të privatizohen pasi që nuk ka pasur bazë ligjore.

Këtë deklarim Sheqiri e dha të mërkurën në rastin ku po akuzohen katër ish-ministrat e Qeverisë ‘Thaçi 2’, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarit Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nga i akuzuari Gjuka se a është i saktë pretendimi tij me të cilin ka thënë se këto hidrocentrale është dashur të mbesin si asete të KEK-ut, eksperti Sheqiri tha se rregullat kanë treguar se ato nuk mund të privatizohen.

“Nuk e di a është dashur apo nuk është dashur, por rregullat kanë treguar se ato nuk mund të privatizohen”, tha ai.

Pas kësaj, i akuzuari Gjuka e pyeti se për cilat rregulla e ka fjalën, për çka Sheqiri tha se është baza ligjore dhe rregullativat ligjore.

Eksperti Sheqiri gjatë deklarimit të tij të sotëm ka sqaruar se ka qenë rregull e përgjithshme që hidrocentralet që prodhojnë më pak se 5 MW (mega-volt), nuk kanë nevojë të kenë licencë apo të i nënshtrohen licencimit, ndërsa ato që prodhojnë mbi këtë limit duhet të kenë licencë.

I pyetur nga prokurori Atdhe Dema se 4 hidrocentralet që janë objekt i akuzës pas privatizimit a kanë pasur licencë, Sheqiri tha se nuk ka dijeni por sipas rregullave është dashur të kenë.

Tutje, gjatë rimarrjes në pyetje nga prokurori Dema, Sheqiri është pyetur për çështjen e konsensionimit pasi që këto 4 hidrocentrale kanë qenë në konsensionim në bazë të kontratave, a ka hasur në ndonjë përshkrim se kujt do ti kthehen hidrocentralet pas skadimit të periudhës kohore të konsensionimit.

E lidhur më këtë, eksperti Sheqiri tha se është kërkuar që të informohen investitorët përmes dokumenteve të shkresave që hidrocentralet do të mbeten pronë e KEK-ut pas kalimit të periudhës së konsensionimit, e sipas tij kjo është në dokumentet të cilat i ka konsultuar.

Në fund, Sheqiri tha se Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE), asnjëherë nuk ka pasur licencë dhe nuk ka aplikuar për licencim.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, se a qëndron pranë ekspertizës dhe të thënave të tij në këtë shqyrtim gjyqësorë, eksperti Sheqiri tha se qëndron në tërësi pranë të gjithave.

Seancat e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 10, 19 dhe 20 tetor 2022.

Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik 2021, gjatë së cilës seancë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.

Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.

Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.

Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.

Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.

Me këto veprime, PSRK i ngarkon këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

PSRK e akuzon edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.

Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.

Me këtë, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.

PSRK akuzonte edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.

Për këtë arsye, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, akuzoheshin edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarët e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.

Prokuroria e akuzonte edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktoj dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.

Me këtë, Haziri akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, akuzohej edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.

Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, akuzohej se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat