LVV del me një video, sulmon Thaçin, Veselin, Mustafën e Limajn

Aktuale

LVV del me një video, sulmon Thaçin, Veselin, Mustafën e Limajn

Më: 3 tetor 2022 Në ora: 17:54
Hashim Thaçi e Fatmir Limaj

Partia që aktualisht po udhëheq me vendin, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video me të cilën i ka quajtur ish-partitë që kishin qeverisur dhe sindikatat si “shkatërrues të shtetit”.

Në videon e publikuar thuhet se përgjatë 20 viteve partitë kishin një qëllim të përbashkët dhe Kosovën e shihnin si “tender, ryshfet, haraç dhe korrupsion”.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE!”, thuhet në përshkrimin e kësaj videoje.

Sipas LVV-së, tashmë lufta e partive opozitare ka kaluar në një nivel tjetër duke sabotuar kështu përmes organizmave të kapur.

Madje, në video thuhet se po prodhohen emergjenca në mënyrë që pushteti të mos merret me shtetin dhe shoqërinë si duhet.

“Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër vetëm për të sabotuar shtetin e sulmuar Qeverinë. Cilën Qeveri, atë që suksesshëm u përballë me pandeminë, që u gjet në moment të duhur të krizës me ekonomi, duke ndihmuar qytetarët, e që po përballet me krizën e inflacionit dhe do të merret edhe me energjinë. Për një vit e gjysmë në Republikën e Kosovës u bë e mundur të qeveriset pa asnjë skandal qeveritar. Për një vit e gjysmë ata që nuk u përllogaritën kurrë nga shteti filluan ta ndiejnë dorën e tij. Zhurma e tyre vazhdon”, thuhet në video.

Tutje, nga kjo parti theksohet se Qeveria nuk shantazhohet nga këto veprime dhe se Vettingu e Byroja për Konfiskimin e Pasurisë do të bëhen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat