Avokati Jasharaj tregon se a është i ligjshëm mosekzekutimi i pagave për grevistët

Aktuale

Avokati Jasharaj tregon se a është i ligjshëm mosekzekutimi i pagave për grevistët

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 19:17
Arbër Jashari

Qeveria nuk ka ekzekutuar pagat për muajin shtator për mësimdhënësit të cilët për më shumë se një muaj ishin në grevë duke kërkuar shtesë prej 100 eurove deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Pagat.

Avokati, Arbër Jashari, tha se ministri i Financave, Hekuran Murati sipas ligjit ka bërë shkelje procedurale, pasi sipas tij, SBASHK-u me të drejtë kërkon pagat për muajin e kaluar.

“Pra, proceduralisht është duke u shkelur ligji nga ministri Murati. Mirëpo, nga aspekti material nuk besoj që është duke e shkelur ligjin. Kemi dy interpretime të ndryshme të ligjit. Qeveria është ajo që ngul këmbë që gjatë tërë kohës mos të ekzekutohen pagat. Ndërsa, SBASHK-u me të drejtë i kërkon pagat për muajin shtator. Në praktikë është shumë vështirë që të dilet me një konkludim mbi atë se kush e ka të drejtën”, tha Jashari.

Teksa, ai konsideron se ndëshkimi ndaj të gjithë mësimdhënësve është veprim i gabuar nga Qeveria.

“Qeveria bën gabim nëse i dënon kolektivisht të gjithë mësimdhënësit. Sipas ligjit punëdhënës është Komuna dhe jo Ministria, ndërsa Qeveria është e obliguar të veprojë në bazë të listave që ia dërgon Komuna. Në këtë aspekt Qeveria duhet të veprojë, për arsye se mbi bazën e këtyre proceduarave, mundet çështja të dështojë në gjykatë”, deklaroi Jashari.

“Nëse Komuna i ka dërguar listat në formë të rregullt, ajo e bart përgjegjësinë. Ndërsa, Qeverisë i mbetet vetëm të veprojë në bazë të atyre listave dhe nuk guxon të veprojë arbitrarisht”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat