​Krasniqi: Pagat do të dalin por nuk do të harrohet shantazhi i qeverisë ndaj mësimdhënësve

Aktuale

​Krasniqi: Pagat do të dalin por nuk do të harrohet shantazhi i qeverisë ndaj mësimdhënësve

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 14:52
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se me mosekzekutimin e pagave ministri i Financave ka bërë shkelje të ligjit. Sipas tij, qeveria ka tendencë t’i nënshtrojë mësimdhënësit dhe të mos i lejojë të shtrojnë kërkesat e tyre.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Krasniqi ka thënë se qeveria në mënyrë të qëllimshme i ka përjashtuar vetëm mësimdhënësit nga paga.

Krasniqi: Qeveria me tendencë me u thënë mësimdhënësve se kemi me ju shkelë

“Pse i keni përjashtuar vetëm mësimdhënësit, pse nuk i keni përjashtuar krejt shërbyesit civil në nivel lokal që kanë qenë në grevë që e keni ditur kush janë, pse i keni përjashtuar prej të drejtës për pagë edhe lehonat ku e dini që kanë qenë në grevë ato gra, pse i keni përjashtuar prej të drejtës në page edhe atyre që kanë qenë në pushim të ligjshëm, pra këtu nuk ka të bëjë me ligjshmëri, këtu ka të bëjë me një tendencë me u thënë mësimdhënësve ‘kemi me ju shkelë, do t’iu nënshtrojmë, do t’iu shkatërrojmë si organizim sindikal para së gjithash’ dhe ‘ju mos guxoni kurrë të kërkinu asgjë përveç çka vendosë mëshira e Albin Kurtit dhe Hekuran Muratit me ju dhënë’. Ky është rreziku më i madh në krejt këtë tregim të ditëve të fundit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pagat për mësimdhënësit do të dalin por nuk do të harrohet shantazhi që sipas tij, po iu bëhet mësimdhënësve.

Krasniqi: Ministri Murati ka bërë shkelje të ligjit

“Ministri dje e ka shkel ligjin me mosekzekutim të pagave, mundohuni ta interpretoni si të doni, kallëzimin penal e ka, për këtë ka me u përgjigj. Pagat kanë me dalë, fundi ka me i ardh ashtu siç duhet, pra ky presion dhe ky shantazh që po iu bëhet mësimdhënësve, nuk besoj që ka me u harru. Unë nuk po e kuptoj a do me mbet dikush prej këtyre ministrave pa e shkel ligjin, pa e shkel Kushtetutën, ju po folni për ministren e Arsimit por kjo e ka shkelë Kushtetutën e zotëri, kjo është dashur atë ditë me kërku falje dhe me ecë në shtëpi, kjo ka vazhdu pastaj me 100 veprime të tjera të cilat veç e kanë rënduar gjendjen edhe më shumë në sistemin arsimor”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që të bëjnë presion mbi qeverinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat