Bosch: Nëse kërkesat për viza janë të vërteta, atëherë turp për Francën që synon kryesinë e BE-së

Aktuale

Bosch: Nëse kërkesat për viza janë të vërteta, atëherë turp për Francën që synon kryesinë e BE-së

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 23:06
Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e ka quajtur “turp të madh” kushtëzimin e liberalizimit të vizave për kosovarët me sistemin ETIAS.

Bosch këto deklarime i ka bërë nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, duke thënë se nëse një gjë e tillë është e vërtetë, atëherë është një turp i madh ta dëgjojë një propozim nga një shtet si Franca, që synon kryesimin e BE-së.

“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë turp për Francën, e cila aspiron të udhëheq BE-në. ETIAS ndoshta nuk do të jetë funksionale për një kohë shumë të gjatë duke marrë parasysh përvojën me sisteme të tilla në të kaluarën. Të shtosh këtë kushtëzimin shtesë vetëm për Kosovën nuk është gjë tjetër veçse turp total!”, ka shkruar ai.

Kristof Bender, zëvendësdrejtor i Iniciativës për Stabilitet Evropian ka komentuar për Radion Evropa e Lirë faktin se mund të ketë kushte të reja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai ka përmendur po ashtu faktin se qytetarët e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor tashmë lëvizin pa viza dhe nuk kanë nevojë të presin për sistemin ETIAS.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit që pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023.

“Në çdo rast, insistimi për hyrjen në fuqi të ETIAS është thjesht një justifikim për të vonuar dhënien e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. ETIAS është një sistem regjistrimi për qytetarët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në zonën Schengen. Nuk do të hyjë në fuqi para fundit të vitit 2023. Nuk ka asnjë arsye për të pritur për këtë”, ka thënë Bender.

Bender, i cili punon edhe për Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, ka thënë se shtetet e BE-së duhet të sigurohen se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën të merret shpejt dhe “pa kushte shtesë”.

“Kjo kërkon një përpjekje reale nga shtetet anëtare që mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën për të bindur skeptikët. Nëse nuk ka një përpjekje të tillë, skenari më i mundshëm është një vonesë e konsiderueshme e mëtejshme”, ka thënë mes tjerash ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat