Konfrontimi i gjyqtarëve me qeverinë, anulohet seanca në rastin e 53-milionëshit

Aktuale

Konfrontimi i gjyqtarëve me qeverinë, anulohet seanca në rastin e 53-milionëshit

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 14:46
Pal Lekaj

Pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) që puna e gjykatave të reduktohet dhe të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale pas vendimit të qeverisë të zbritjen e pagave të gjyqtarëve, është anuluar seanca në rastin ku ish-ministrit i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre të tjerët Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë rast, së bashku me Lekajn, në këtë rast akuzohen edhe Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatrit, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas, kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani, seanca e sotme është anuluar deri në një vendim tjetër të KGjK-së.

“Njoftohen palët në procedurë se duke iu referuar vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 23 nëntor 2022, anulohet seanca në këtë çështje penale deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, tha ajo.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj të këtij viti, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pa fajshëm për veprën penale që u vihet barre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 19 shkurt, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.

Në aktin akuzues thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.

Ky veprim, sipas prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Tutje thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, e njëjta është aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”,  me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat