Raci: Lista Serbe po vazhdon të rezistojë shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri

Aktuale

Raci: Lista Serbe po vazhdon të rezistojë shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri

Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 13:49
Gazmir Raci

Në fillim të këtij muaji, Lista Serbe dha dorëheqje nga të gjitha pozitat që kishte në institucionet të Kosovës, gjë që bëri që komunat në veri të vendit të mbesin pa kryetarë.

Kështu, presidentja Vjosa Osmani, u detyrua të caktojë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri të vendit. Ajo vendosi që 18 dhjetori të jetë dita e zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve caktoi afat të fundit për certifikimin e kandidatëve 21 nëntorin, ditën kur edhe u takuan Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel për marrëveshjen për targave.

Mirëpo, Lista Serbe deklaroi se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, as pas shtyrjes së afatit të certifikimit, e as pas marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës e Serbisë për targat.

Analistit Gazmir Raci, ka një shpjegim për atë se pse Lista Serbe nuk ishte e interesuar të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore.

Raci, në një përgjigje tha se Lista Serbe me këtë veprim tenton të rezistojë shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri.

“Është gabim që Lista Serbe nuk ka hyrë në certifikim. Është afati ligjor që s’mund ta ndryshosh me marrëveshje politike… Po duket se këta po vazhdojnë të rezistojnë shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në pjesën veriore”, ka thënë Raci.

Ai madje tha se kandidatët kosovarë e kanë shumë të vështirë udhëheqjen në veri, në qoftë se do të zgjidhen kryetarë në komunat veriore, duke marrë parasysh faktin se atje ka shumicë serbe.

“Kandidatët kosovarë e kanë shumë të vështirë nëse zgjidhen në komunat veriore, sepse atje shumica janë serbë dhe do ta kishin shumë të vështirë udhëheqjen atje. Nëse nuk konstituohen organet e reja, prapë duhet presidentja të shpallë zgjedhjet e reja”, ka shtuar ai.

KQZ-ja i certifikoi 12 kandidatë. Nga PDK-ja u certifikuan: Albulena Behluli Hetemi (Leposaviq), Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Ilir Peci (Zveçan) dhe Taulant Kelmendi (Mitrovicë e Veriut), nga Vetëvendosje: Lulzim Hetemi (Leposaviq), Flatron Hasani (Zubin Potok), Fetah Peci (Zveçan) dhe Erden Atiq (Mitrovicë e Veriut).

Aleksandër Jabllanoviq u certifikua si kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit. Iniciativa Qytetare Mitrovica do të marrë pjesë në zgjedhjet për Mitrovicë të Veriut me kandidatin e certifikuar Betim Osmani, ndërsa Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak me kandidatin, Aleksandar Arsenijoviq e për Zveçanin është certifikuar një kandidate e pavarur, Sladjana Pantoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat