​Peci: Vitin e ardhshëm do të kemi numër rekord të të mbjellave në Kosovë

Aktuale

​Peci: Vitin e ardhshëm do të kemi numër rekord të të mbjellave në Kosovë

Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 17:24
Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka prezantuar buxhetin dhe prioritet për vitin 2023 para deputetëve të Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Ai ka thënë se Kosova nuk mund të jetë e shkëputur nga realiteti global i rritjes së inflacionit por sipas tij rritja e buxhetit për kulturat bujqësore është një prej zgjidhjeve që po i bën ekzekutivi.

Ministri i Bujqësisë ka thënë se buxheti për vitin 2023 do të jetë 87 milionë euro dhe sipas tij ministria ka vazhduar rritjen e përkrahjes buxhetore në kategorinë e pagesave direkte.

Peci: Vitin që vjen kemi me pas një numër rekord të të mbjellave në Kosovë

“Kosova nuk mund të jetë e shkëputur prej realitetit global për shkak se edhe inflacioni edhe rritja e çmimeve e ka prek çdo vend të botës dhe rrjedhimisht ne nuk mund të jemi imun karshi kësaj rritje të çmimeve. Por pavarësisht kësaj mendoj që rritja substanciale që e kemi bërë për shumicën e kulturave është njëra prej zgjidhjeve, dhe të dhënat që ne i posedojmë edhe nga tereni posaçërisht për këtë vit pavarësisht rritjes së madhe të imputeve bujqësore dhe të çmimeve, ne kemi të dhëna që vitin që vjen kemi me pas një numër rekord të të mbjellave në Kosovë, që është lajm pozitiv”, ka thënë Peci.

Por sipas deputetes nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, buxheti i ndarë nuk mund të konsiderohet rritje për shkak të rritjes së çmimeve me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës.

Musliu: Është rritur buxheti për bujqësi por i kemi çmimet më të larta që i ka pasur Kosova ndonjëherë 

Përveç që është buxheti më i madh që e tha edhe kryetarja në fjalën e saj hyrëse janë edhe çmimet më të mëdha që i ka pasur Kosova ndonjëherë, dhe po e përsëris prap, nëse bëhet krahasimi real pa u vetëkënaqur kushdo qoftë, qoftë ju qoftë ne, sot lapsin me ja shti i bjen që zero ka rritje në realitet duke marrë parasysh që me 100 euro i ka mbulu të mbjellat atëherë, a ka ble atëherë me 100 euro sot blen me 300 euro, ky është fakt real, nuk thash që shteti ka ngrit çmimet, çmimet janë ngrit edhe për shkak të inflacionit dhe ne e kemi shumë të qartë, vetëm se kjo rritje më e madhe se çdo herë tjetër nuk lë vend për tu vetëkënaqur duke marrë parasysh momentumin në të cilin jemi duke jetuar”, ka thënë ajo.

E ministri i Bujqësisë ka thënë se deri tani kanë ekzekutuar 55 milion euro për fermerët në kuadër të programit të pagesave direkte.

Peci: Kemi vazhduar me rritjen e përkrahjes buxhetore në kategorinë e pagesave direkte

“Sa i përket buxhetit vetanak, kemi vazhduar me rritjen e përkrahjes buxhetore në kategorinë e pagesave direkte dhe për me mujt me qenë më të saktë dhe me pas një pasqyrë më të saktë se kur kemi marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe gjendjen financiare buxhetore që ka ekzistuar atëherë e ku është tash, ta zëmë unë ministër kam marrë mandatin më 22 mars 2021 dhe në atë periudhë kohore gjendja financiare ka qenë sipas raportit të auditorit diku 40 milionë euro ka qenë niveli i shifrës apo borxhit kurse në vitin 2022 deri në fazën në të cilën po raportojmë që janë mbi 90% e pagesave të realizuara në kategorinë e subvencione. Deri në këtë fazë kemi ekzekutuar 55 milion e 163 mijë e 217 euro për fermerët në kuadër të programit të pagesave direkte”, ka thënë Peci.

Takimin e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe zhvillim ku në rend dite ishte projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, e ka konsideruar të panevojshëm deputetja Musliu meqë sipas saj në këtë fazë nuk mund të bëhen ndryshime në projektligj.

Por kryetarja e komisionit, Fitore Pacolli ka thënë se komisioni mund të dërgoj propozimet deri më datën 2 dhjetor dhe se deputetët mund të diskutojnë apo të pajtohen për ndonjë projekt të veçantë dhe ta shtyjnë përpara atë.

Ndërsa deputetja e PDK-së ka thënë se një informatë të tillë e kanë pranuar sot jo zyrtarisht meqë sipas saj në njoftimin zyrtar është thënë se amendamentimet mund t’i dërgojnë deri sot në orën 16:00.

Pacolli: Deri më 2 dhjetor mund t’i dërgojmë komentet propozimet tona për projektligjin për buxhetin 

“Deri më datë 2 mund t’i dërgojmë propozimet tona edhe si komision, prandaj nëse keni propozime konkrete ju lutem propozoni, nëse jo, sepse edhe buxhetin e keni marrë shumë kohë më herët edhe si deputetë keni pasur mjaftueshëm kohë për me dërgu rekomandimet ose propozimet tuaja për ndryshim në këtë projektligj. Kështu që është fjala e fundit që flasim për rregulloren e Kuvendit”, ka thënë Pacolli.

Kjo ka ngritur replika në mes të deputetëve.

Musliu: Të flas në komision është e drejtë e imja 

“Unë flas sa herë që të ma përmendin emrin dhe t’i referoheni fjalimin tim. Unë thash që e përfundoj këtu por vet fakti që i referoheni fjalës sime kam të drejtë të replikoj. Ajo çka flas në komision është e drejtë e imja ekskluzive, nuk jam jashtë rendit të ditës”, ka thënë Musliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat