Radoniqi: Nuk mund të rrezikojmë zyrtarët zgjedhorë

Aktuale

Radoniqi: Nuk mund të rrezikojmë zyrtarët zgjedhorë

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 19:15
Kreshnik Radoniqi

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se incidentet në veri më 6 dhjetor, dëshmuan se qasja e KQZ-së është e kufizuar në këtë pjesë të vendit.

Ai tha se pret të shohë raportin e sigurisë për procesin zgjedhor të Policisë së Kosovës, duke shtuar se “me zor nuk mbahen zgjedhjet, në këtë formë”.

“Sot kishim planifikuar të shikojmë të vizitojmë zyrat tona, për të parë se a kemi qasje. Çfarë është evidente nga raporti dhe nga çka u pa në media është se është pak problematike të kemi qasje në zyrat tona”, tha ai.

Radoniqi shtoi se më pas raporti i policisë do t’i dërgohet edhe zyrës së presidentes, së bashku me kërkesat e KQZ-së për të ofruar siguri për zyrtarët zgjedhorë, pasi siç tha, nuk mund të rrezikojë jetën e zyrtarëve zgjedhorë.

Megjithatë, ai nuk u pajtua me anëtarët e komisionit, që kërkuan prezencë më të madhe të policisë, duke theksuar se “nëse duam të shkojmë me tërë aparatin policorë, të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhje duam të organizojmë”.

Disa nga anëtarët e KQZ-së kërkuan që Bashkimi Evropian t'i dërgojnë vërejtje Serbisë, për siç thanë, të "tërheqë grupet" që janë veri.

Ata thanë se zgjedhjet duhet të mbahen ashtu siç janë paraparë, më 18 dhjetor, por zyrtarëve zgjedhorë duhet t'u ofrohet siguri, nga Policia e Kosovës dhe nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këto zhvillime, por, deri më tash, nuk mori përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat