​Policia e Kosovës pranon pajisje në vlerë prej gjysmë milionë euro nga qeveria gjermane

Aktuale

​Policia e Kosovës pranon pajisje në vlerë prej gjysmë milionë euro nga qeveria gjermane

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 11:34
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka pranuar donacion me pajisje në vlerë rreth gjysmë milionë euro nga qeveria gjermane. Donacioni përmban pajisje profesionale për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se sundimi i rendit dhe ligjit dhe luftimi i krimit e korrupsionit është fokusi primar i qeverisë.

"Policisë së Kosovë, shteti gjerman i ofron ndihmën e nevojshme që PK të jetë më efikase në kryerjen e detyrave të saj. Donacioni që qeveria gjermane po dhuron do të ndihmojë në parandalimin e kontrabandës dhe krimit me pajisjet e fundit teknologjike. PK në këtë rast dhe departamenti i kufirit ka një bashkëpunim me zyrën ndërlidhëse të qeverisë gjermane në Tiranë. Në korrik, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, është shkëmbimi i informacionit për lëvizje të paligjshme, falsifikimin e dokumenteve dhe emigrimin e paligjshëm", ka thënë Sveçla.

Ambasadori gjerman Jorn Rohde tha se partneriteti mes Kosovës dhe Gjermanisë është i ngushtë në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit.

"Ne jemi ulur sot këtu duke qenë të vetëdijshëm që kemi një partneritet të ngushtë prej dy dekadave. Dhe ky donacion i sotëm shpresoj që do të kontribuojë në sigurinë tonë të përgjithshme. Bashkëpunimi ynë në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit është jashtëzakonisht i ngushtë dhe këto tema janë përmendur edhe në samitin e Ballkanit Perëndimor", ka shtuar ai.

Ushtruesi i detyrës së Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti tha se ky donacion do të ndihmojë për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit.

"Nuk është kjo hera e parë që ambasada gjermane ka dhuruar donacion Policisë së Kosovës", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat