Nura: Mbi 120 familje janë evakuuar, s’dua ta paragjykoj Kurtin pse s’na ka vizituar

Aktuale

Nura: Mbi 120 familje janë evakuuar, s’dua ta paragjykoj Kurtin pse s’na ka vizituar

Më: 20 janar 2023 Në ora: 19:50
Fadil Nura

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka folur në lidhje me takimin që ka pasur me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e ministrat Armend Mehaj e Rozeta Hajdari.

Nura tha se Osmani shfaqi gatishmërinë për t’i ndihmuar dhe të sensibilizojë edhe më tepër autoritetet qendrore në mënyrë që qytetareve të Skenderajt por edhe komunave të tjera të prekura nga vërshimet, t’iu dilet në ndihmë.

I pari i Skenderajt tha se prioritet për ta dje ka qenë evakuimi, ndërsa sot janë marrë me evidentimin e dëmeve, por edhe me furnizimin e familjeve që janë evakuuar, që sipas tij, janë rreth 120 familje që i kanë lënë shtëpitë.

“Sot jemi marrë me evidentimin e dëmeve njëkohësisht edhe me furnizimin e familjeve që janë evakuuar dhe fatkeqësisht kanë arritur të dalin vetë por të gjitha gjësendet, edhe ato më elementare nuk kanë mundur t’i heqin nga shtëpitë, dhe është shtruar nevoja që t’i furnizojmë dhe ekipet tona janë në terren duke i furnizuar me gjëra ushqimore e gjëra të tjera elementare për jetë”.

Kemi diku 120 familje të evakuuar, përfshirë qendrën e Skenderajt, Llausha, Tushila, Kllodonica, Klina e Epërme, Klina e Mesme dhe Klina e Ulët dhe Kuçica. Pra, këto janë zonat më të prekura që janë goditur anash rrjedhës së Lumit Klina”, është shprehur Nura.

Tutje, ai ka komentuar edhe mos-vizitën e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në Skenderaj, për të cilin tha se nuk do ta paragjykoj arsyen.

Nuk mund të gjykoj e as ta paramendojë një gjë të tillë, pasi mbi të gjitha nuk do të duhej që konceptet politike të na dallojnë. Kurti e ka pasur shumë më të lehtë, pasi për të shkuar në Istog do të duhej të vinte nga Skenderaj, do ta kishte rrugën më trup dhe nga këtu për në Mitrovicë”.

Nuk dua të paragjykoj pse s’ka ardhur, ministrat kanë qenë, dhe derën e kanë të hapur të gjithë ata që mund të kontribuoj”, është shprehur Nura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat