​Kurti takon komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, bisedojnë për sigurimin e pajisjeve të reja për FSK-në

Aktuale

​Kurti takon komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, bisedojnë për sigurimin e pajisjeve të reja për FSK-në

Më: 26 janar 2023 Në ora: 17:32
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe gjeneralmajori Benjamin J. Corell.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajorin Benjamin J. Corell.

Duke theksuar angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për ngritjen profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ai veçanërisht falënderoi shtetin e Iowa-s dhe Gardën Kombëtare të Iowa-s për kontributin e deritashëm për Forcën e Sigurisë si dhe rolin rol kyç në të bërit e Kosovës kontribuese të sigurisë në botë, duke e përfshirë FSK-në në misionet e ruajtjes së paqes. Kryeministri ritheksoi se synimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është të kemi Forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese në mbrojtje të vendit dhe të jetë e ndërveprueshme me partnerët dhe aleatët në ruajtjen e paqes në botë. U bisedua edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive, rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e pajisjeve të reja dhe të avancuara për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në takimin e përbashkët, ku mes tjerësh ishin të pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier, koloneli Ejup Maqedonci dhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, u theksua partneriteti i fortë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, dhe potenciali për rritje të bashkëpunimit.

Duke folur për Shërbimet Konsullore në Iowa, të hapura në maj të vitit të kaluar, u theksua se po ndikon në përmirësimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetin e Iowa-s dhe më gjerë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat