Gazetari nga Shqipëria këshillon Kurtin: Nuk ke rrugë tjetër pos kësaj për Asociacionin!

Aktuale

Gazetari nga Shqipëria këshillon Kurtin: Nuk ke rrugë tjetër pos kësaj për Asociacionin!

Nga: A.Zh Më: 3 shkurt 2023 Në ora: 10:09
Andi Bushati

Gazetari nga Shqipëria Andi Bushati, është përfshirë në debatin për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ai i ka propozuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që ta hedhë në referendum çështjen e krijimit të Asociacionit.

Sipas tij, kjo është rruga e vetme që duhet ta ndjekë kryeministri Kurti për këtë çështje, pasi qytetarët nuk ia kanë dhënë mandatin atij për ta bosnjëzuar Kosovën, përcjell Bota sot.

“Edhe nëse vazhdon të mos e dojë, edhe nëse ka ndryshuar mendim për Zajednicën, Albin Kurti nuk ka rrugë tjetër veçse ta hedhë në referendum çështjen e krijimit të Asociacionit.

Ai ka shumicën për të qeverisur Kosovën një mandat, por jo për ta bosnjëzuar atë përjetësisht.

Le të vendosin qytetarët se çfarë duan dhe jo ata që demokracinë e konsiderojnë si një luks vetëm për kombe të privilegjuara”, ka shkruar Bushati në një postim në Facebook.

Kurti, në seancën e mbajtur dje në Kuvendin e Kosovës, ka prezantuar gjashtë pika si kushte për themelimin e Asociacionit në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Kushtet e prezantuara nga Kurti, për themelimin e Asociacionit janë:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013)./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat