Rasti i vrasjes së motrës në Fushë Kosovë, eksperti tregon se çka është gjetur në thonjtë e dorës së viktimës

Aktuale

Rasti i vrasjes së motrës në Fushë Kosovë, eksperti tregon se çka është gjetur në thonjtë e dorës së viktimës

Më: 10 mars 2023 Në ora: 14:29
Fushë Kosovë

Në rastin ku F.S. akuzohet se e ka privuar nga jeta motrën e saj T.S., në Fushë Kosovë, specialisti i serologjisë Bashkim Mustafa, ka konstatuar se në thonjtë dorën e majtë të viktimës nuk ka profil të ADN-së të ndonjë personi tjetër.

Një konstatim të tillë specialisti Mustafa e dha duke sqaruar ekspertizën e 30 janarit të këtij viti dhe duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarës F.S., avokati Halit Shaljani, se a është gjetur ndonjë mostër e të akuzuarës F.S., gjatë ekzaminimit të trupit të viktimës.

Sipas tij, profili i ADN-së të fituar nga shalli dhe thonjtë e dorës së majtë të të ndjerës T.S. përputhet vetëm me profilin e ADN-së të saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ai tha se mostrat e pështymës të marra nga Sh.S., F.S., T.S. dhe S.S. kanë qenë mostra të përshtatshme për analizë të ADN-së.

Ndërkaq, lidhur me pikën 4 të kësaj ekspertizë specialisti Mustafa ka deklaruar se krahasimi i profileve të ADN-së ka qenë i papërshtatshëm për arsye se profilet e fituara kanë qenë jo të plota dhe të përziera, duke pasur parasysh afërsinë e ngushte familjare mes Sh.S., F.S., T.S. dhe S.S.

Gjithashtu, e njëjta ekspertizë është administruar si provë sipas detyrës zyrtare nga trupi gjykues.

Ndërsa, avokati Shaljani i ka propozuar gjykatës që në cilësi të dëshmitares të dëgjohet psikologjia Kumrie Haxhiu, e cila sipas tij, është duke e trajtuar të mbrojturën e tij në qendrën e paraburgimit në Lipjan.

Tutje, ka propozuar që të ftohet edhe njëherë eksperti i psikiatrisë forenzike, pasi që sipas tij, ka dallime substanciale në mes të raportit të psikiatrisë dhe dëshmisë së të njëjtit.

Këto propozime janë kundërshtuar nga prokurori i shtetit Ilaz Beqiri, me arsyetimin se gjykata ka vendosur në seancën e kaluar në lidhje me propozimin për dëgjimin e psikologes Kumrie Haxhiu.

Ndërsa, për dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë forenzike ai tha se deklarimi i të njëjtit nuk ka relevancë në këtë çështje penale.

Këto propozime janë refuzuar nga trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Kushtrim Shyti.

Sipas tij, nuk është e nevojshme të dëgjohet psikologja Haxhiu , e as eksperti i psikiatrisë forenzike, pasi që vlerësimin për gjendjen e shëndetit mendor të të akuzuarës e ka dhënë Instituti i Psikiatrisë Forenzike si institucion i vetëm që ka kompetenca për të dhënë mendime të tilla.

Tutje, ka theksuar se nuk ka asnjë kontradiktë në mes të ekspertizës dhe deklarimeve të ekspertit.

Kurse, pas administrimit të provave është ftuar të merret në pyetje e akuzuara F.S.

Mirëpo, avokati Shaljani pas konsultimit me të mbrojturën e saj, ka thënë se e njëjta nuk është duke e kuptuar rëndësinë e veprës për të cilën po akuzohet.

Ndërsa, e njëjta deklaroi se nuk i kujtohet asgjë, duke shtuar që nuk është tip që i lëndon njerëzit.

“Mua nuk më kujtohet asgjë se nuk jam tip që i lëndoj njerëzit dhe personi i fundit me qenë në burg jam unë. Nuk është burgu për mu”, ka shtuar tutje F.S.

Pas deklarimeve të tilla, gjykatësi Shyti propozoi që të kalohet në fjalën përfundimtare.

Mirëpo, avokati Shaljani kërkoi kohë shtesë për përgatitjen e fjalës përfundimtare, me që pas rihapjes së këtij shqyrtimi gjyqësor janë pranuar prova të reja dhe janë marrë në pyetje dëshmitarë.

Andaj, seanca e sotme është shtyrë, kurse e radhës është caktuar me 15 mars të këtij viti.

Ky shqyrtim gjyqësor filloi rishtazi për shkak të ndërrimit të anëtares të trupit gjykues Fatime Dermaku, me gjykatësin Gëzim Ademi andaj u konsideruan si të lexuara të gjitha veprimet e deri tanishme .

Ndryshe, më 11 gusht 2022 pritej të bëhej shpallja e aktgjykimit për këtë rast por që nga ana e trupit gjykues për të njëjtin rast është rihapur shqyrtimi gjyqësor me arsyetimin se trupi gjykues ka vlerësuar se duhet të administrohen provat, përkatësisht dokumentet mjekësore të paraqitura nga ana e mbrojtësit të të akuzuarës, avokat Halit Shaljani për shëndetin e të njëjtës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S e cila akuzohet se deri sa ishte në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.

Sipas aktit akuzues, derisa tani e ndjera ishte e shtirë në krevatin e dhomës së saj e pandehura fillimisht e kishte shtrënguar në qafë dhe fyt e më pa e kishte lidhur edhe shaminë në fyt, me ç’rast nga ngufatja kishte ndërruar jetë, ndërsa e pandehura kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja.

Lidhur me këtë, F.S po akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par 1, pika 1.3 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat