Zeka: Me zbatim të marrëveshjes Kosova bëhet pjesë e krijimit të tregut të përbashkët rajonal

Aktuale

Zeka: Me zbatim të marrëveshjes Kosova bëhet pjesë e krijimit të tregut të përbashkët rajonal

Më: 24 mars 2023 Në ora: 18:04
Arian Zeka

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se me marrëveshjen e arritur së fundmi në Ohër, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të përmirësohet shkëmbimi i mallrave dhe i shërbimeve.

Duke treguar arsyet pse OEAK, ka vendosur ta mbështesë këtë marrëveshje, Zeka tha se në këtë mënyrë, Kosova mund të bëhet pjesë e iniciativës për krijimin e tregut të përbashkët rajonal

“Është pikërisht promovimi dhe shkëmbimi i mallrave dhe i shërbimeve, gjë jashtëzakonisht e rëndësishme brenda Ballkanit Perëndimor. Është parakusht për integrimin euroatlantik të të gjitha shteteve. Njëkohësisht, ne kemi rikujtuar edhe një gjë tjetër. Meqenëse, në marrëveshjen e fundit në Ohër, palët janë zotuar që të marrin për obligim zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, atëherë natyrisht që nënkupton edhe marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 të nënshkruar në Washington. E në kuadër të kësaj marrëveshje, parashihet që Kosova të bëhet pjesë e iniciativës për krijimin e tregut të përbashkët rajonal”, deklaroi Zeka.

Madje, Zeka vlerësoi që tanimë është koha që Kosova ta marrë në konsideratë të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, raporton teve1.info.

“Pra, në një farë mënyre, Qeveria e Kosovës duke dhënë zotimin e saj për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, ka pranuar që të bëhet edhe pjesë e Ballkanit të Hapur. Besoj që është koha që Qeveria të nisë të konsiderojë të marrë pjesë në këtë iniciativë, e cila mundëson qarkullimin e lirë të mallrave, qarkullimin e lirë të shërbimeve dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe qarkullimin e lirë të kapitalit”, theksoi tutje Zeka.

Zeka më tej tregoi se OEAK, sot ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga ajo e Serbisë, që të përmbushin zotimet e tyre nga marrëveshja e Washingtonit, pasi siç tha ai, në këtë mënyrë mund të ketë investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat