AKB përkrah marshin “Liria ka emër”, Shahini thotë se nuk ka ngjyrë politike por lirie

Aktuale

AKB përkrah marshin “Liria ka emër”, Shahini thotë se nuk ka ngjyrë politike por lirie

Më: 27 mars 2023 Në ora: 14:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka dhënë përkrahjen e saj për marshin protestues në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe ish-krerëve të saj.

Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka ftuar të gjitha bizneset t’i bashkohen marshit, teksa ka thënë se ai nuk ka ngjyrë politike, por ngjyrë lirie.

Ne si Aleancë Kosovare e Biznesit i kemi dhënë mbështetjen tonë marshit të 2 prillit me emrin ‘Liria ka emër’. I ftoj të gjitha bizneset e vendit, të cilët dje ishin pjesë e luftës dhe sot janë pjesë e lirisë t’i bashkohen kësaj proteste masovike, në mënyrë që ta çojmë mesazhin se liria ka vërtetë emër”.

Njerëzit tanë padrejtësisht mbahen në burgje të ndryshme me akuza të pabëra, por drejtësia i qet në shesh të gjitha. Ne mburremi me luftën dhe luftëtarët tonë. Ky marsh nuk ka ngjyrë politike, ka ngjyrë lirie, ngjyrë demokracie, drejtësie”, u shpreh Shahini.

Ndërsa njëra nga organizatoret e këtij marshi, njëherësh edhe deputete e PDK-së, Eliza Hoxha, falënderoi për përkrahjen e AKB-së dhe e vlerësoi lartë atë.

Për ne është shumë domethënëse që akterë të shumtë që janë nën ombrellën e AKB-së ta mbështesin marshin tonë dhe të na ndihmojnë në realizimin e synimit kryesor që është aktiviteti që e kemi me datën 2 prill në orën 14:00 që të gjithë të solidarizohemi për çlirimtarët që janë në Hagë”, tha ajo.

Marshi është organizuar nga platforma me emrin e njëjtë, “Liria ka emër”, dhe vjen si shenjë proteste për gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat