NATO konfirmon mbështetjen për organizatat e sigurisë në Kosovë

Aktuale

NATO konfirmon mbështetjen për organizatat e sigurisë në Kosovë

Më: 28 mars 2023 Në ora: 17:23
Ilustrim

Gjatë kësaj të marteje në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimin të detyrës të Drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zv.ministri Shemsi Syla, zv.komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, oficerë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe NALT, dhe shefja e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.

Kurti ka thënë se Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, na mundëson të ruajmë sigurinë tonë aktuale dhe të sigurojmë një të ardhme drejt partneritetit për paqe dhe anëtarësimit në NATO.

Ai ka shtuar se mbështetja nga NALT dhe në veçanti nga Gjenerali Hoppe, në hartimin e tre ligjeve bazë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, themelimin e komisionarit parlamentar për FSK-në dhe bashkëpunimin e ngushtë në përmirësimin e procesit të rekrutimit ishte vendimtare për përmirësimin efektiv të mbikëqyrjes demokratike civile të Forcës.

“Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në fjalën e tij tha se kontributi i Gjeneralit Hoppe në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK është një dëshmi e lidershipit, ekspertizës dhe përkushtimit të tij ndaj vlerave dhe parimeve të NATO-s. Ministri Mehaj shtoi se përpjekjet e tij kanë ndihmuar në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës, duke kontribuar në sigurinë e përgjithshme të rajonit dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar”, njofon Ministria e Mbrojtjes.

Drejtori në largim i NALT, gjeneral brigade Joachim Hoppe ka thënë se ka qenë një nder i madh të përfaqësojë NATO-n në Kosovë dhe se ndjehet krenar për punën që ka bërë NATO-ja dhe ekipi i tij në këshillimin e organizatave të sigurisë në Kosovë.

“Nga ana e tij, drejtori i ri i NALT, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein u shpreh falënderues për mirëseardhjen e ngrohtë në Kosovë dhe theksoi se do të ruajë mbështetjen e NALT-it për organizatat e sigurisë në Kosovë duke vazhduar të ndërtojë më tej mbi përpjekjet e pararendësit të tij. Në këtë ceremoni Shefja e Operacioneve Aktuale, Divizionit të Operacioneve të SHP të NATO-s, Ariella Viehe e dekoroi Gjeneralin Hoppe me medalje të NATO-s”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë kësaj ceremonie gjenerali Hoppe u dekorua me medaljen për “Shërbim të shquar” nga ministri Mehaj si dhe me medaljen për “Shërbim vetëmohues” nga zv.Komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi.

Që nga gushti i vitit 2016, misioni i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s është që të mbështesë zhvillimin e mëtejmë të organizatave të sigurisë në Kosovë, sipas mandatit të tyre origjinal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat