Rukiqi: Pushteti po e mbron Krasniqin nga frika që mund t’iu shpërfaqen edhe aferat e tjera korruptive

Aktuale

Rukiqi: Pushteti po e mbron Krasniqin nga frika që mund t’iu shpërfaqen edhe aferat e tjera korruptive

Më: 20 prill 2023 Në ora: 14:04
Berat Rukiqi

Të mërkurën krimet ekonomike kanë zbarkuar në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës(KEK).

Aty është arrestuar kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Ai është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat si:

“Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Për arrestimin e tij dhe performancen në KEK ka folur ish-kryesues i Bordit të Drejtorëve të KEK-ut, tani zyrtar në LDK, Berat Rukiqi.

Ai ka thënë se në kohën sa ka qenë kryesues i bordit në KEK, nuk ka ndodhur asnjëherë që negocimet të bëhen drejtpërdrejtë, por se tash thotë se kjo është bërë praktikë.

“Sektori i energjisë ka qenë sektori që ne e kemi përcjellë vazhdimisht mundem me thënë me plot përgjegjësi sepse kur kemi qenë ne në bordin e KEK-ut, nuk ka pas asnjë rast të këtyre negocimeve të drejtpërdrejta të cilat tash janë bërë praktikë aty, pra negocimet të cilat përveç që janë jo transparente hapin edhe shumë dilema tjera dhe përçojnë mesazhe të gabuara edhe te investitorët e mundshëm”, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa, e kritikon punën që është bërë në këtë ndërmarrje publike.

“Në anën tjetër pjesa tjetër që ne e kemi pa, e kemi parë një ulje të dukshme të performancës së KEK-ut  në raport me atë çka e ka për detyrë me prodhua energji elektrike, kemi vonesa në këto remontet, remontet e paplanifikuara të cilat pastaj neve na kanë kushtu për shkak se jemi detyrua me importu energji elektrike sidomos kur çmimi për kilovat i energjisë ka qenë jashtëzakonisht i lartë”, është shprehur ai.

Dhe, krejt kjo thotë se mund të jetë e qëllimshme duke i parë lidhjet me kompanitë që kanë qenë të lidhura me ambasadorin Martin Berishaj.

“Tash nëse e krahasojmë me periudhën për të cilën po flasim mundem me thënë pa dilema se vonesat kanë ndodhë krejt brenda limiteve nëse kanë ndodhë ndonjëherë, e tani po e shohim këtë rastin e Kosovës. Ajo që është jashtë krejt afateve edhe siç e kemi thënë edhe si parti politike, dyshimet tona janë që kjo mund të jetë e qëllimshme duke i ditë edhe krejt këto lidhjet që kanë qenë me kompani të lidhura drejtpërdrejtë me ambasadorin Martin Berishaj”, ka deklaruar Rukiqi.

I pyetur se a duhet të shkarkohet nga partia në pushtet, Nagip Krasniqi, Rukiqi thotë se shkarkimi është dashtë të ndodhë më herët dhe nuk do t’i kishim pasojat që tashmë janë shfaqur.

“Është dashtë me u shkarku shumë më herët, ne kemi kërkua si parti politike gjatë që të hetohen edhe drejtori i KEK-ut edhe krejt kjo kupola që tani po e shohim se është një mafi energjetike. Deri në një hetim ne nuk po themi se janë të fajshëm, por së paku të ketë një hetim dhe një llogaridhënie dhe pushteti ta kish bërë këtë më herët nuk do t’i kishim këto pasoja sot, pra ta kish bërë shkarkimin më herët. Tash është vonë për shkarkim, tash është koha për me dhënë përgjegjësi politike për këto veprime të këtyre njerëzve që janë dhënë drejtpërdrejt nga pushteti i Vetëvendosjes”, ka pohuar ai.

Pas arrestimit të Krasniqit, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dalë në mbrojte këtij të fundit derisa kanë përdorur gjuhë të ashpër kundrejt Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj.

Rukiq, këtë po e sheh si frikë të pushtetit, pasi thotë se mund t’iu dalin edhe aferat e tjera korurptive.

“Ky akordimi po e them kushtimisht për me i dal në mbrojtje siç e pamë dje në orët e vona të mbrëmjes e tregon një frikë të madhe të këtij pushteti nga ky rast për shkak se mund të shpërfaq edhe elemente tjera korruptive të lidhura drejtpërdrejtë edhe me politikën edhe të cilat janë jashtëzakonisht të dëmshme sidomos për një parti që ka ardhë me këtë parullën ‘Punë dhe Drejtësi’, dhe mënyra se si kanë reaguar tregon shumë për atë se sa është i involvuar ky pushtet në këto afera dhe nëse kish qenë situata e pastër, e qartë pa ndikime politike sigurisht se nuk do të ishte ai reagim, pro ajo që e pamë e pamë si tregues që ka një frikë të pushtetit në raport me këtë aferë dhe aferat tjera që mund t’iu shpërfaqen”, ka shtuar ndër të tjera Rukiqi për Fo.

Ndaj, gjuhës së përdorur të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, sot ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

KPK-ja konstaton se disa zyrtarë të lartë shtetërorë po tentojnë të ndikojnë sistematikisht në punët e sistemit prokurorial dhe po përçojnë mesazhe tendencioze politike, sikurse që kanë bërë edhe kësaj radhe, duke përdorur gjuhë denigruese kundër personalitetit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, gjë që është në kundërshtim me të gjitha normat etike, ligjore dhe kushtetuese.

Pak minuta më parë, Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat