Rezultatet preliminare: LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna në veri

Aktuale

Rezultatet preliminare: LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna në veri

Nga: Bota sot Më: 23 prill 2023 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 18:54 më 23.04.2023
Qendër e improvizuar e votimit në Jarinjë - pjesa veriore e Kosovës.

Vetëm një qytetar serb hodhi votën në kuti në Mitrovicë të Veriut

Dalja e votuesve në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në katër komunat veriore është shumë e ulët, sidomos e atyre të nacionalitetit serb.

Qendra e votimit me më së shumti votues është ajo e në Lagjen e Boshnjakëve, ku gjithsej kanë votuar 379 persona nga 1,372 sa janë në listë. Edhe këtu nuk ka pasur asnjë votues të nacionalitetit serb.

Në fshatin Suhudoll të Mitrovicës së Veriut, nga rreth 240 votues sa kanë dalë, asnjë prej tyre nuk është serb.

Deri më tani, të gjithë qytetarët e nacionalitetit serb kanë bojkotuar edhe qendrën e votimit Tre Rrokaqiejt, ku nga vetëm 22 votues, asnjë prej tyre nuk ka qenë serb, sipas statistikave të dhëna për Klan Kosova nga kryesuesit e të gjitha qendrave të votimit.

Ndërkohë, në Kodrën e Minatorëve deri më tani ka votuar vetëm një serb, i cili ka votuar me kusht. Në këtë qendër votimi kanë deri ma tani kanë votuar 158 persona të nacionaliteteve tjera, nga 1,102 sa kanë të drejtë vote.

Shifër e vogël e votuesve ka qenë edhe në qendrën afër stacionit te autobusëve, ku votuan vetëm tetë persona, nga mbi 5 mijë e 200 persona në liste. Të gjithë tetë votuesit ishin të nacionalitetit shqiptarë. Megjithatë, tek kjo qendër një serb shkoi për të votuar, por që nuk e kishte emrin në listë. 

​Policia: Zgjedhjet në veri pa ndonjë incident

Policia e Kosovës ka njoftuar se procesi zgjedhor në katër komunat e veriut, deri në këto momente ka shkuar pa ndonjë incident.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se në aspektin e sigurisë gjithçka ka shkuar në rregull dhe në bazë të planit operativ për mbarëvajtjen e lirë të zgjedhjeve në veri.

Policia ka angazhuar pjesëtarë të mjaftueshëm për të siguruar një mbarëvajtje të rregullt të zgjedhjeve. 

Kujtojmë se, Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të sotme në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok do të dihen shpejt.

 

Kurteshi: Rezultatet e zgjedhjeve në veri më së voni dihen në orën 22:00

Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të sotme në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok do të dihen shpejt.

Pas mbylljes së vendvotimeve, Kurteshi beson se rezultatet preliminare do të mësohen shumë shpejt.

Kjo për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në procesin e votimit.

“Rezultatet mund të dalin më së voni në orën 22:00”,tha Kurteshi.

​Asnjë votues në pesë qendra të votimit në veri

Shumica e serbëve në katër komunat në veri të Kosovës duket se po i bojkotojnë zgjedhjet e parakohshme lokale në atë pjesë. Nga 45,095 qytetarë me të drejt vote, deri në orën 15:00, kanë votuar vetëm 1092 persona. Ndërkohë, nga 19 qendra të votimit, në pesë qendra nuk ka shkuar asnjë qytetarë për të votuar.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, deri në këto momente asnjë qytetarë nuk ka shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për të votuar në dy qendra të votimit në Zubim Potok, pastaj në dy qendra të votimit në Leposaviq dhe një qendër në Zveçan.

Në veri sot janë hapur 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 janë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”, ku qytetarët kanë mundësi të zgjedhin katër kryetarët e komunave dhe në dy prej tyre edhe asambleistët.

Në dhjetor të vitit 2022, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ndikuar nga situata e brishtë e sigurisë, mori vendim për të shtyrë për disa muaj datën e zgjedhjeve, nga 18 dhjetori në 23 prill.

Që nga shpallja e datës së re të zgjedhjeve, partia më e madhe serbe, Lista Serbe, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të bojkotojnë këto zgjedhje. Njëjtë ka vepruar edhe shteti serb, presidenti i të cilit, Aleksandër Vuçiq edhe personalisht ka përsëritur thirrjet për bojkot, duke pretenduar se vetëm “100 serbë” do të marrin pjesë në to.

Vetëm tri ditë para ditës së zgjedhjeve, njëra nga subjektet politike serbe, Partia Kosovskih Srba (PKS) është tërhequr nga gara zgjedhore. Kandidati i saj për kryetar të Leposaviqit, Aleksandër Jabllanoviq dhe 18 kandidatët për asamblenë e kësaj komune, janë tërhequr nga procesi zgjedhor.

Në përgjithësi, numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave është 11, ndërsa më shumë se 60 kandidatë janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për dy kuvendet komunale.

Në zgjedhjet për kryetar të komunës së Leposaviqit në garë janë: Albulena Hetemi Behluli (PDK) Aleksandër Jablanoviq (PKS) dhe Lulzim Hetemi (VV).

Në Zubin Potok gara zhvillohet mes dy kandidatëve, Izmir Zeqirin nga PDK dhe Flatron Hasanin e Vetëvendosjes.

Në Zveçan kandidojnë Ilir Peci nga PDK-së, Fetah Peci nga VV, ndërsa Sladjana Pantoviq është kandidate e pavarur.

Në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Veriut garojnë Iniciaitva Qytetare Mitrovica me kandidatin Betim Osmani, PDK me Taulant Kelmendin dhe Vetëvendosje me Erden Atiq.

Kurse, në zgjedhjet për dy kuvendet komunale, Partia Demokratike e Kosovës garon me 16 kandidatë në Zveçan dhe 2 në Leposaviq, e Lëvizja Vetëvendosje me 10 kandidatë në Zveçan dhe 18 në Leposaviq. Nga radhët e komunitetit serb, vetëm Partia Kosovskih Srba ka rreth 20 kandidatë në garë për kuvendin e komunës së Leposaviqit.

Zero vota, në tri prej katër vendvotimeve në Zubin Potok

Dalja e qytetarëve me të drejtë vote, për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale, në veri të vendit, ashtu siç edhe u parashikua është minimale.

Në komunën e Zubin Potokut, situata është e qetë, por deri në këto momente [ora 17:20] në tri nga katër vendvotimet, të drejtën për të votuar nuk e ka shfrytëzuar asnjë qytetar.

Në njërën nga këto vendvotime, në Velje Breg, gazetari i RTV Dukagjinit tha se deri në orën 17:20, nuk votuar as edhe një person i vetëm.

Kryesuesi i kësaj qendre, Arton Mezraja, tha se numri i personave me të drejt vote në këtë qendër votimi, është mbi katër mijë, dhe se asnjëri nga ta nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për votë.

“Në përgjithësi ka filluar mirë në ora 7 ka qenë e gatshme qendra e votimit, por megjithatë deri në këtë moment, nuk ka asnjë qytetarë që ka votuar. Numri i votuesve është 4 mijë e 11 votues. Asnjë material nuk është shfrytëzu, ka qenë vetëm një qytetar që është ndalë, dhe është interesu nëse në listën zgjedhore është një kandidate e tij e preferuar, por nuk ka qenë”,ka thënë ai.

Në këtë pikë votuese, ka qëndruar Policia e Kosovës, zyrtarët e të cilëve janë zëvendësuar nga kolegët e tyre rreth orës 16:30.

Cakolli: Pamundësi e institucioneve për të garantuar proces zgjedhor gjithëpërfshirës

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) deklaroi se zgjedhjet në veri po karakterizohen me atmosferë të qetë, si shkak i mungesës së votuesve. Sipas tij, kjo tregon mangësitë që ka ky proces zgjedhor dhe pamundësisë së institucioneve për të garantuar proces gjithëpërfshirës. Ai për KosovaPress mohon se ka Njësi Speciale që po garantojnë mbarëvajtjen e këtij procesi në katër komunat veriore.

Eugen Cakolli thotë se deri më tani numri i votuesve mbetet një-shifror.

Cakolli: Zgjedhjet në veri janë duke u karakterizuar nga një atmosferë relativisht e qetë

“Nga ajo që ne si Demokraci n’Veprim kemi parë deri më tash, zgjedhjet në veri janë duke u karakterizuar nga një atmosferë relativisht e qetë që vie si rezultat i mungesës së votuesve, në veçanti atyre nga radhët e komunitetit serb, përkatësisht daljes krejtësisht minimale dhe simbolike. Pra, po flasim për numra një-shifror, e madje në qendra të ndryshme të votimit edhe asnjë votues serb, të cilët nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës, të paktën deri në këtë kohë”, theksoi ai.

Kjo, sipas Cakollit, tregon mangësitë e këtij procesi zgjedhor dhe pamundësisë së institucioneve për të garantuar proces gjithëpërfshirës.

Cakolli: Kjo tregon edhe një herë për mangësitë që ka procesi zgjedhor

“Kjo tregon edhe një herë për mangësitë që ka procesi zgjedhor si dhe pamundësisë së institucioneve tona për të garantuar një proces, i cili do të ishte gjithëpërfshirës, përkatësisht kur do të ofrohej mundësitë në kuptim të situatës së sigurisë që të marrin pjesë edhe votuesit nga radhët e komunitetit serb, të cilët për shkak të presioneve, mungesës së interesimit, por edhe mungesës së kandidatëve nga radhët e komunitetit serb, të cilën kanë vendosur që të mos marrin fare pjesë në procesin e votimit”, deklaroi Cakolli për KosovaPress.

Nga monitorimet në qendrat e votimit, Cakolli tha se nuk kanë vërejtur parregullsi.

Cakolli: Nuk ka ndonjë parregullsi

“Nga ajo çfarë mund të evidentojmë, të paktën në qendrat alternative të votimit, të cilët janë pak më të ndjeshme për shkak të lokacioneve të tyre, nuk është se ka ndonjë parregullsi, për shkak të mungesës së votuesve. Edhe po të kishte të tilla, janë të natyrës teknike, mungesës së energjisë elektrike si dhe fakti që policia po duhet të ruajë në vazhdimësi këto qendra nga frika e ndonjë incidenti që pastaj do të mund të kompromentonte edhe vetë integritetin e procesit zgjedhor”, u shpreh ai.

Cakolli u shpreh se në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zveçanit vërehet në afërsi të qendrave të votimit një prezencë e shtuar e njësive të KFOR-it dhe forcave të EULEX-it.

Cakolli: Nuk qëndrojnë që njësitë speciale ato që janë duke garantuar mbarëvajtjen

“Nuk qëndrojnë deklarimet dhe aludimet që janë njësitë speciale ato që janë duke garantuar mbarëvajtjen, për shkak se në afërsi të të gjitha qendrave të votimit është vërejtur kryesisht prani e forcave të rregullta të policisë që është në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, përfundoi ai.

Në katër komunat veriore të drejtë vote kanë mbi 45 mijë qytetarë. Deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 1092 qytetar në katër komunat në veri të Kosovës.

Në Zhazhë të Zveçanit kanë votuar 87 persona, proces i qetë

Në fshatin Zhazhë të Zveçanit i banuar me shumicë shqiptare, deri në orën 15:00 kanë votuar 87 veta, derisa të drejtë vote kanë 239 persona.

Media e ka vizituar këtë qendër të votimit, e cila është e vendosur në shkollën e këtushme “Isa Boletini” dhe procesi po shkonte qetë dhe pa probleme.

Në mëngjes, kjo qendër është hapur me rreth 1 orë e 30 minuta vonesë, për shkak se ishte vonuar materiali zgjedhor.

​Tre votues serb në qendrën e votimit në Leposaviq

Tre qytetarë të nacionalitetit serb kanë votuar në qendrën e votimit në Leposaviq. Kështu bëri të ditur menaxheri i kësaj qendre, Enver Aliu.

Ai tha se nuk procesi i votimit është i qetë dhe nuk kanë evidentuar ndonjë parregullsi.

Aliu: I kemi tre votues të nacionalitetit serb

“Qendra është hap me kohë, deri në këtë moment i kemi tre votues të nacionalitetit serb. Votues serb... gjithçka ka shkuar qetë... jo jo, gjithçka është në rregull”, tregon ai.

Në këto zgjedhje të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, të drejtë vote kanë mbi 45 mijë qytetarë. Në kuadër të këtij procesi, janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 janë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”. Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb.

KQZ publikon të dhënat për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në ora 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ ) në konferencën e tretë të mbajtur lidhur me zgjedhjet në veri ka publikuar disa të dhëna lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në ora 15:00.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se procesi zgjedhor është duke vijuar në rregull dhe se nuk është njoftuar për ndonjë pengesë deri tani.

“Në Leposaviq 110 votues apo 0.83%, në Zubin Potok janë 240 votues apo 3.6%, në Zveçan janë 145 votues apo 2.07% dhe në Mitrovicë të Veriut 590 votues apo 3.3%”, tha ai.

Elezi theksoi tutje se konferenca e radhës do të mbahet në ora 19:30, pas mbylljes së vendvotimeve.

Ndryshe, qytetarët në katër komunat veriore Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, janë duke votuar sot për kryetarin e ri të komunës. Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 votues.

KQZ ka njoftuar se nga 44 qendra votimi sa janë gjithsej, vetëm 6 prej tyre do të shërbejnë për të njëjtin qëllim, ndërsa 13 të tjera do të hapen në kontejnerë, si qendra alternative. 

Në Lagjen e Boshnjakëve deri në orën 15:00 votuan 270 votues

Në vendvotimin në objektin e Komunës në Lagjen e Boshnajkve në Mitrovicën e veriut, deri në ora 15:00 kanë votuar 270 votues.

Këtë e ka bërë të ditur për EO kryesuesi i kësaj qendre, Kelmend Kelemndi, i cili tha se në këtë qendër të drejt vote kanë 1 372.

Ai tha se deri më tani procesi ka shkuar në rregull dhe nuk është shënuar asnjë incident.

Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës.

Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe do të jenë 19 qendra votimi, e shumica prej tyre do të improvizohen në kontejnerë.

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative, me gjithsej 28 vendvotime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat