Kush ishte Bastri Fazliu, veterani i UÇK-së që ndërroi jetë në Zarë të Kroacisë?

Aktuale

Kush ishte Bastri Fazliu, veterani i UÇK-së që ndërroi jetë në Zarë të Kroacisë?

Më: 25 prill 2023 Në ora: 12:22
Bastri Fazliu

Tashmë u bën dy javë prej që u nda nga ne ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bastri Fazliu, i cili është varrosur në varrezat e fshatit Peran të Podujevës.

Bastriu qysh si 18 vjeçar u rreshtua në radhët e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ishte ushtari më i ri për nga mosha i Togut “Ulpiana 34” në Brigadën 152 “Shaban Shala”, në Zonën Operative të Llapit.

Bastri Fazliu rrjedh nga një familje patriotike që vjen nga brez kufitar Silovicë.

Ai ende pa i mbushur 18 vjet i është bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Roli i tij ishte shumë i rëndësishëm, pasi ishte kyçur me gjithë familje në UÇK.

Nëna e tij Adilja e ushqeu Batalionin e Brigadës 152 “Zahir Pajaziti”, gjithashtu edhe babai i tij Shabani ishte pjesë e UÇK-së.

Bastriu ishte shembull i një luftëtari të vërtetë lirie.

Kontributi i tij në betejat e Zonës, e në veçanti në betejat e Peranit dhe të Katunishtës është i papërshkrueshëm.

Përveç kontributit në vijën e frontit, Bastriu kontribuoi edhe në sigurimin e bazës për pjesëtarët e togut, duke liruar shtëpinë e tij për këtë qëllim, sikur që kontribuoi edhe në mbështetjen logjistike për nevojat e ushtarëve.

Me një fjalë, ai ishte i përkushtuar me gjithë qenien e tij për lirinë e Kosovës.

Fundi i luftës e gjeti në vijën frontale në Majac.

Me përfundimin e luftës, Bastriu jetoi në mënyrë modeste, por gjithnjë me dinjitet.

Ishte prind, familjar e shok shembull, punoi me nder, ndërsa vdiq i ri në Zarë të Kroacicë në moshën 42 vjeçare pas një infarkti.

Jeta dhe vepra e Bastriut na obligon të gjithë neve, secilin bashkëluftëtar e qytetar të Llapit, që ta kujtojmë me respekt e krenari.

Bastriu do të kujtohet gjithmonë si një ushtar i urtë dhe besnik.

Image
Njoftim
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat