Gazetarja nga Brukseli: Në takimin Kurti-Vuçiq mund të priten tensione, Escobar në Bruksel

Aktuale

Gazetarja nga Brukseli: Në takimin Kurti-Vuçiq mund të priten tensione, Escobar në Bruksel

Më: 2 maj 2023 Në ora: 18:58
Gjeraqina Tuhina

Në orën 18:00 në Bruksel, me ndërmjetësimin e emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak, ky proces pritet të vazhdojë me takimin  e sotëm të nivelit  të lartë, Kosovë-Serbi, përkatësisht kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Korrespondentja e RTK-së nga Brukseli, Gjeraqina Tuhina,  në lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Info Plus”, deklaroi se për dallim nga herët e kaluara, këtë herë nuk do të ketë takime dypalëshe.

Kjo pasi në rastet e kaluara, Joseph Borrel,shef i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri si dhe emisari për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë zhvilluar takime dypalëshe, një herë me kryeministrin kosovar Kurti e më pas me presidentin serb, Vuçiq.

Tuhina tha se këtë herë, sipas agjendës, është paraparë të shkohet drejtpërdrejtë në takim të përbashkët.

Ajo tha se në takim janë të paraparë dy pika për diskutim. E para është mbi adaptimin  deklaratës mbi të pagjeturit ku liderët duhet t’i japin vlen politike tekstit për të cilin tha se palët janë dakorduar dhe nuk pritet diskutim i madh rreth tij.

“Teksti pritet të adaptohet por jo të nënshkruhet, por i cili përmban detyrime që derivojnë nga ky miratim”, tha ajo.

Më pas, sipas korrespondentes së RTK-së, pika e dytë e ku pritet të jetë më e nxehtë është ajo me prezantimin e draftit të parë për Asociacionin për komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Tuhina tha se këtë prezantim do ta bëjë Grupi Menaxhues e më pas do të kalohet në diskutim në nivel të liderëve.

“Nuk ka njohuri se çfarë përmban ky draft propozim mirëpo është e qartë se do të jetë diskutim mbase edhe shumë i vështirë e tensione, marrë parasysh edhe strukturën e grupit që do ta prezantojë draftin e parë të Asociacionit”, u shpreh Tuhina, duke rikujtuar se ky është takimi i parë pas atij të Ohrit e ku palët u dakorduan edhe për aneksin e planit zbatues të marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

Korrespondentja Tuhina rikujtoi se në Bruksel, kur ka tema të vështira, gjithmonë gjendet dhe emisari amerikan për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar.

“Ka pasur indikacione se ai do të takohet me kryeministrin Kurti para nisjes së këtij takimi”, tha Tuhina, e cila shtoi se zakonisht Escobar shkon në Bruksel kur mbahen takimet e liderëve e ku pritet të ketë tensione.

“Ai nuk merr pjesë drejtpërdrejtë në takim brenda sepse nikoqir dhe udhëheqës i procesit është Be, por zakonisht është në qytet, e ndonjëherë edhe në ndërtesë, dhe takohet me palët nëse ka nevojë që të shtyhet ndonjë çështje përpara”.

Tuhina risolli në vëmendje deklaratën e Derek Chollet, këshilltarit të l;artë të Departamentit amerikan, i cili deklaroi se pret lëvizje në procesin e dialogut dhe detyrimeve të Kosovës sa i përket dialogut e që ka të bëjë me Asociacionin.

“Nuk duhet harruar se bëhet fjalë vetëm për prezantim të draftit dhe nuk pritet ndonjë përfundim i bisedave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat