Dialogu i Brukselit për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, s’po ia mbush syrin. Krejt këtë proces ai e sheh sikur “po riciklohet” ku palët po shohin “të tregojnë fytyrat e tyra të mira, duke mos thënë se ne jemi pala e keqe”. Dhe këtë ai tha se për “të dyja palët”.
Në teori ai tha se “kompromisi është i mundshëm” por jo edhe në praktikë, ku fajin e identifikoi te pala serbe. Mes tjerash, Abazi nuk beson se një Asociacion i ndërtuar mbi linja etnike është i mirë, ngase tha se sa i përket të drejtave dhe garancioneve për komunitetin serb ato gjenden në Planin e Ahtisaarit.
“Në teori mendoj se ka mënyra për të arritur një kompromis ku të dyja palët do të ishin të lumtura. Në praktikë mendoj se nuk ka asnjë interes, e në veçanti nga pala serbe për të arritur në një konkluzion. Andaj edhe pajtohem se ky do të jetë një proces i gjatë. Dialogu në vetvete është i fokusuar në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është njëra prej arsye që kjo s’do të shkojë askund, sepse nuk ka asgjë që mungon në Planin e Ahtisaarit në të drejtat dhe garancionet për komunitetit serb, përfshirë edhe 10 ulëset e rezervuara në Kuvend”, tha ai në Al Jazeera.
“Takimi në Bruksel tregoi se kryesisht po reciklon veten në të treguarin e fytyrave të mira pa thënë se ne jemi pala e keqe, nga të dyja palët. Por, nuk ka interes që të shkohet para në mirëbesim. Mendoj se më shumë është show për të folur me publikun e brendshëm, dhe për të rritur rëndësinë që Vuçiq t’u thotë serbëve se unë jam dikush i rëndësishëm në Bruksel”.
Në dritë të kësaj, Abazi nuk sheh vullnet politik për të shkuar para në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. E madje, edhe Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, e sheh në funksion të veçimit të serbëve të Kosovës nga pjesa tjetër e vendit.
“Po të kishte të bënte kjo çështje me serbët si qytetarë do të zgjidhej menjëherë, por kemi të bëjmë me interesa politike dhe ekonomike për dominim. Serbia këtë Asociacion e do mbi linja etnike, do të thotë të përjashtojë serbët në të qënit të barabartë/njëjtë me qytetarët tjerë të Kosovës, në të pasurit një Kosovë si shoqëri multietnike. Jemi në retorikën e 90’ave. Ka të bëjë me kush fiton fitore të vogla, dhe më shumë pushtet në zgjedhjet e ardhshme”, tha Abazi.