Batusha: BE dëshiron ta ketë afër Serbinë, por po ndjek qasje të gabuar - Serbia po përpiqet të blejë kohë

Aktuale

Batusha: BE dëshiron ta ketë afër Serbinë, por po ndjek qasje të gabuar - Serbia po përpiqet të blejë kohë

Më: 24 maj 2023 Në ora: 18:13
Agon Batusha

Deputeti i VV-së, Agon Batusha, vlerëson se Bashkimi Evropian nuk po tregohet e ashpër me Serbinë karshi shkeljeve që ajo po ia bën Marrëveshjes me Kosovën.

Batusha thotë se nuk është e mjaftueshme vetëm të mbahet shënim.

“Ndërmjetësuesi duhet të jetë neutral dhe të trajtojë barabartë të dyja palët. Barabartë në tavolinë dhe barabartë edhe në rastet kur iu kërkohet të bëjnë zbatime të marrëveshjeve. Serbia nuk ka zbatuar asnjë prej pikave, madje i ka thyer qysh në fillim të herës 8 pika nga Marrëveshja e Ohrit dhe nuk kemi pa ndonjë deklaratë serioze nga BE-ja dhe kjo e vë në pikëpyetje kredibilitetin e BE-së si ndërmjetësues, sepse ai duhet të jetë palë e barabartë ku të dy palët i besojnë këtij ndërmjetësuesi i cili e lehtëson procesin. Dhe ne kemi pa që në rast se Kosova ka hezitim në ndonjë pikë, kemi pa deklarata të ashpra nga z. Borrell, por kur Serbia bën shkelje të hapura të kësaj marrëveshje duke cenuar territorin e Kosovës, duke kërcënuar me luftë sepse mobilizimi ushtarak nuk do të thotë asgjë tjetër, BE thotë se po mbajmë shënim. Duhet të kemi deklarata serioze, hapa konkretë për mbarëvajtjen e dialogut e jo të mbahet shënim”, ka thënë Batusha.

Sipas tij, BE privatisht edhe mund ta kërcënojë Serbinë për sanksione, por sipas tij qasja publike e BE-së duhet të jetë e barabartë për të dy palët.

“BE nuk mund të ketë standarde të dyfishta. Nëse thua qe do të ketë sanksione, duhet të ketë sanksione. Kërcënime për sanksione nuk duhet të ketë vetëm për njërën palë, se në prapavijë ndoshta i kanë bërë presion edhe Serbisë që do të ketë sanksione, por dallon kur ta bën publikisht dhe dallon privatisht. Ne nuk e dimë çka bisedojnë me Serbinë por qasja publike dhe qasja që thuhet në publik duhet të jetë e barabartë për të dyja palët. Ne dëshirojmë të gjithë të anëtarësohemi në BE por ajo oborrin e vet duhet ta menaxhojë më së miri. Deri sot po shohim që ka një qasje të vobektë”, ka thënë Batusha.

Batusha thotë se Serbia ka nisur të afrohet te Kina pasi Rusia është dobësuar në Ukrainë dhe është vetëm duke blerë kohë.

“Ne e kuptojmë që BE dëshiron ta shohë Serbinë të shkëputur nga Rusia, sepse kjo është edhe gjeopolitikë, nuk bëhen vetëm marrëveshje ndër-rajonale por edhe gjeopolitikë. Rusia, vëllau i madh i Serbisë është në telashe të mëdha në Ukrainë, momentalisht është dobët shumë dhe nuk do të këndellet edhe për një kohë të gjatë. Serbia ka fillu të ketë qasje te Kina, të ofrohet te Kina. Dhe BE-ja natyrisht dëshiron ta ketë afër vetes Serbinë sepse është në oborrin e saj por qasja që kanë zgjedh ta ofrojnë është gabim. Serbia po blen kohë vetëm që të gjejë një zgjidhje çka të bëjë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat