Përfundon ecuria, këta janë tre kryetarët që u betuan sot

Aktuale

Përfundon ecuria, këta janë tre kryetarët që u betuan sot

Më: 25 maj 2023 Në ora: 07:16 Përditësuar në ora: 13:35 më 25.05.2023
Ceremonia e betimit të kryetarëve

Betohet kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi

Është betuar kryetari i ri i komunës së Leposaviqit, Lulëzim Hetemi.

Ai ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 23 prillit, që u mbajtën në katër  komunat veriore.

Hetemi është betuar në shkollën “Kadri Bistrica” në Bistricë.

Hetemi është kandidati i fundit që po betohet, pasi Atiq, Zeqiri e Peci tashmë kanë kryer procedurat e betimit. 

​Kryetari i Zubin Potokut: Kemi kompetenca të plota kushtetuese

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili u betua në objektin e Zyrës komunale për komunitete në fshatin Çabër, tha se do të shkojnë në objektin e Komunës së Zubin Potokut. Ai tha se të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti i tij.

Pas betimit, Zeqiri tha se është kryetar me kompetenca të plota kushtetuese dhe se do ta zbatojë ligjin e Kosovës në formën më të mirë të mundshme.

Zeqiri: Do të shkojmë në objektin e Komunës e Zubin Potokut

“Nuk do të thotë sot apo nesër, mirëpo do të shkojmë në Komunë të Zubin Potokut, do të jenë të gjithë objektet që i takojnë qytetarëve dhe komunës do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti. Nuk e shoh edhe aq shumë të rëndësishme ku dhe mbahet betimi, e shoh të rëndësishëm që së shpejti do të jenë në posedim, të gjithë at zyre dhe dikasteret do të drejtohen me ligjet e Republikës së Kosovës”, tha ai kur u pyet se kur do të shkojë në objektin e Komunës së Zubin Potokut.

Ai tha kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore kanë kompetenca të plota kushtetuese.

Zeqiri: Ne jemi kryetarë me kompetenca të plota kushtetuese

“Ne jemi kryetarë me kompetenca të plota kushtetuese mirëpo do të jemi në harmoni të plotë me të gjithë faktorët relevantë që janë, edhe në komunë por edhe në qeverisje, unë do të zbatoj ligjin në formën më të mirë të mundshëm...Deri më tani mund të themi se marrëdhëniet etnike mes neve janë të mira, do të përpiqemi t’i bëjmë të shkëlqyera”, tha ai.

Ndërsa i pyetur se cilat do të jenë vendimet e para që do t’i marrë, Zeqiri tha se është në përpjekje të shtrijë komunikimin me shumicën serbe në këtë komunë.

Zeqiri: Jemi në përpjekje të shtrijmë komunikim me shumicën serbe në Zubin Potok

“Unë dhe kabineti im jemi në përpjekje të shtrijmë një komunikim me shumicën serbe, meqenëse dihet situata e bojkotit, jemi të hapur për të gjithë ata profesionistë të na bashkohen në kabinetin qeverisës, jam në pritje edhe një kohë të shkurtë do të presim do të ofertojmë, jemi të hapur, ani pse ndoshta gjatë procesit zgjedhor kanë bojkotuar, mirëpo ne jemi të hapur sikur të ishim bashkë të votuar, uroj të kemi në kabinetin tim shumicën e drejtimit të dikastereve ta drejtojnë profesionistë të shumicës serbe, ashtu qysh edhe neve i kemi raportet etnike, po flas këtu si pakicë, unë uroj që një shumicë të dikastereve të drejtojnë serbët”, tha ai.

Zeqiri është kryetari i dytë që u betua pas zgjedhjeve të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, pas betimit të kryetarit të veriut të Mitrovicës, Erden Atiq.

Peci para varrit të Isë Boletinit: Do të punoj për të gjithë pa dallim

Në shkollën fillore dhe të mesme të ulët "Isa Boletini", është mbajtur seanca solemne për zgjedhjen e kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci. Në këtë seancë është zgjedhur edhe kryesuesja, Selvete Kelmendi, 19 asambleistë, por jo edhe nënkryetari. Kryetari i Zveçanit ka deklaruar se nuk ka marrë garanci nga Qeveria e Kosovës, për të shkuar në objektin e komunës.

Pas betimit, kryetari i ri është deklaruar pranë varrit në Kullën e Isë Boletinit.

Ai u zotua se do të punojë për të gjithë.

Peci: Do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët

"Unë e mora postin si kryetar komune. Ju njoftoj se do të punoj për të gjithë. Do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit", ka thënë ai.

Derisa është pyetur se kur do të jetë fizikisht në Komunën e Zveçanit, kryetari nuk është përgjigjur. Ndërkohë ka deklaruar se aktualisht do të vendosen në zyrën e komuniteteve në Lipë.

Peci: Për momentin nuk kemi marrë garanci nga qeveria

"Për momentin e kemi një zyrë të komuniteteve, në fshatin Lipë... Kjo nuk është çështje që varet prej meje. Është Qeveria e Kosovës, ajo qysh të vendosë”, tha ai.

Ai ka treguar edhe nëse kanë marrë garanci nga ekzekutivi për të shkuar në objektin e Komunës.

“Për momentin jo, por jemi në bisedime të shohim", ka deklaruar ai shkurt.

Peci ishte kandidat i PDK-së në zgjedhjet e 23 prillit, në të cilat doli fitues

Ilir Peci: Zyrën e kemi në fshatin Lipë

Ilir Peci sot është betuar si kryetar i ri i Komunës së Zveçanit.

Pas betimit ai ka bërë një prononcim para gazetarëve, ku ka bërë të ditur se zyrën do ta ketë në fshatin Lipë.

“Unë porsa e mora postin si kryetar komune. Ju njoftoj se do të punojë për të gjithë dhe do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Zveçanit.

Momentalisht, zyrën e kemi në zyrën e komuniteteve në fshatin Lipë”.

​Zeqiri pas betimit: Do të ofrojmë shërbime për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim

Kryetari i zgjedhur i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, deklaroi se do të ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët e kësaj komune, pa asnjë dallim.

Pas betimit si kryetar, tha se do të plotësojnë kërkesat e të gjithë qytetarëve, përfshirë atyre nga komuniteti serb.

Kandidati i PDK-së i cili doli i pari në zgjedhjet e 23 prillit në Zubin Potok, u betua në një seancë solemne në fshatin Çabër.

Gjithçka kaloi qetësisht dhe pa ndonjë incident.

Seancën solemne të Kuvendit Komunal, i cili përbëhet prej 19 këshilltarëve, prej të cilëve dy janë serb, e udhëhoqi anëtari më i vjetër, Sefer Veseli.

“Uroj që neve tani e tutje të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë duke i ofruar qytetarëve të komunës së Zubin Potokut pas asnjë dallim të gjitha shërbimet, t’i plotësojmë kërkesat e të gjithë qytetarëve duke përfshirë sidomos komunitetin shumicë serb. Uroj të jemi bashkë, të jemi unik në punët dhe përgjegjësitë tona të përditshme që do t’i kemi të jemi sa më të fokusuar ta zbatojmë ligjin e Republikës së Kosovës në tërë territorin e Komunës së Zubin Potokut”, tha ai.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Sllavisha Bishevac nga Iniciativa Qytetare për Zubin Potokun, ka dhënë dorëheqje para dy javësh nga pozita e tij në këtë Komunë, me qëllim të “parandalimit në mënyrë demokratike” të marrjes së detyrës nga kryetari i zgjedhur, Izmir Zeqiri.

Zeqiri është kryetari i dytë që u betua pas zgjedhjeve të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, pas betimit të kryetarit të veriut të Mitrovicës, Erden Atiq.

Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

Betohen kryetari i ri i Zubin Potokut dhe ai Zveçanit

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, bënë të enjten betimin në pozitat e tyre.

"Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet", tha Zeqiri.

Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa Peci u betua në shkollën fillore "Isa Boletini" në fshatin Boletin të Zveçanit.

Betimin pritet ta bëjë edhe kryetari i ri i Leposaviqit, ndërsa ai i Mitrovicës së Veriut e ka bërë më 19 maj.

Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe - që të gjithë shqiptarë - kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.

Në Leposaviq, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.

Ilir Peci betohet si kryetar i ri i Zveçanit

Ilir Peci është betuar si kryetar i ri i Komunës së Zveçanit.

Përveç kryetarit Peci, në këtë seancë janë betuar edhe asamblistët e kësaj komune.

Më herët, Izmir Zeqiri është betuar si kryetar i ri i Zubin Potokut.

Ceremonia është bërë zyrën lokale për komunitete dhe kthim.

Izmir Zeqiri u betua kryetari i ri i Zubin Potokut

 Izmir Zeqiri është betuar si kryetar i ri i Zubin Potokut. Ceremonia është bërë zyrën lokale për komunitete dhe kthim.

“Betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Komunës së Zubin Potokut me nderë e besnikëri, në mënyrë të paanshme me ndërgjegje dhe pajtim me ligjin, në mënyrë që të siguroj kushte një jetë të qetë për të gjithë”, ishte betimi i Zeqirit para këshilltarëve të komunës.

Ndërsa seanca e betimit e Ilir Pecit do të mbahet ne shkollën fillore "Isa Boletini", pak metra larg nga kulla e Isë Boletinit.

Mbërrin në objektin e shkollës “Isa Boletini” Ilir Peci, pritet betimi i tij si kryetar i Zveçanit

Tashmë ka arritur në objektin “Isa Boletini”, Ilir Peci, gjersa së shpejti pritet të nisë ceremonia e betimit të tij si kryetar i Zveçanit.

Në orën 10:00 pritet i tij, gjersa në orën 10:00 është caktuar betimi edhe i kryetarit të ri të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri në Çabër.

Në ora 13:00 do të betohet kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi në Bistricë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat