Gërvalla pas takimit me Osmanin: U pajtuam që të kemi thellim të bashkëpunimit

Aktuale

Gërvalla pas takimit me Osmanin: U pajtuam që të kemi thellim të bashkëpunimit

Më: 26 maj 2023 Në ora: 10:55
Bujar Osmani dhe Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla pas takimit me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani ka deklaruar se pati një diskutim me të për zhvillimet në Kosovë, Evropë dhe në botë.

Ajo po ashtu në një konferencë të përbashkët për media, bëri të ditur se në takim kanë biseduar edhe për rolin që OSBE-ja ka sot dhe që ka pasur në Kosovë gjatë së kaluarës.

“E falënderova për të gjithë kontributin që OSBE-ja ka dhënë në të kaluarën, në adresimin e temave të ndryshme që i ndihmojnë një Kosove më demokratike, që për të gjithë qytetarët e saj bëhet më e dëshiruar. E falënderova për angazhimin e tij personal në zgjidhjen e sfidave evropiane, kur ka marrë kryesimin e OSBE-së nuk është momenti më i mirë pasi Evropa gjendet në luftë, Rusia vazhdon agresionin e saj ndaj Ukrainës”, ka thënë Gërvalla.

Tutje Gërvalla theksoi se janë pajtuar që dy qeveritë kanë nevojë të punojnë jo vetëm në implementimin e marrëveshjeve por edhe në gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit.

Madje ajo tha se Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë të jetë rajon konflikti.

“Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha, u pajtuam që kemi nevojë që të dy qeveritë kemi nevojë të punojmë jo vetëm në implementimin e marrëveshjeve por gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit, Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë të jetë rajon konflikti, por është rajon i fqinjve që bashkëpunojë në baza serioze që të kenë rezultate”, ka vijuar ajo.

Tutje, Gërvalla ka thënë se me Osmanin kanë diskutuar se duhet të bëhet implementimi i marrëveshjeve që rrjedhin nga Procesi i Berlinit.

“E falënderova gjithashtu për rolin e tij si kryesues të OSBE-së në hapjen e dialogut dhe temat për temat që janë të rëndësishme për paqen afatgjatë. Implementimi i marrëveshjeve që rrjedhin nga procesi i Berlinit, të dy u pajtuam që të gjitha këto shtete që kanë nënshkruar këto marrëveshje do të ecin përpara me implementimin”.

Kujtojmë se, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani do të takohet edhe me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat