​Protestuesve në Zubin Potok u dërgohet bukë në mënyrë të organizuar

Aktuale

​Protestuesve në Zubin Potok u dërgohet bukë në mënyrë të organizuar

Më: 31 maj 2023 Në ora: 14:47
Foto nga vendngjarja

Serbëve që po protestojnë në Komunën e Zubin Potokut u është dërguar bukë në mënyrë të organizuar, raporton KosovaPress

Nga fotografitë shihet një person me paketë në duar, duke iu ofruar ushqim protestuesve.

Ekspertë të sigurisë vazhdimisht kanë deklaruar se prapa protestave në veri qëndron presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Ky i fundit ka dislokuar ushtrinë në kufi me Kosovën, ndërkohë që ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se gjoja po dëshiron luftë.

Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat